Ristani: Kërkesa e PS-së, pa bazë ligjore

PS, pretendime qesharake për fletë-votimet
Anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pretenduan në mbledhjen e djeshme se institucioni i administrimit të zgjedhjeve s’duhet të nxitohet në miratimin e projekt/aktit për djegien e fletëve të votimit të 8 majit, pasi procesi zgjedhor bashkë me fletët e votimit është nën hetim nga Prokuroria. Kjo kërkesë e 3 anëtarëve që përfaqësojnë Partinë Socialiste në KQZ ishte sa paradoksale aq edhe qesharake, pasi organi i akuzës s’ka nisur asnjë hetim ndaj procesit zgjedhor të 8 majit, ndërsa kontestimi i projekt/aktit është në vazhdën e qëndrimit destruktiv të Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të saj në institucione si në KQZ ashtu edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
“Pse do t’i ndiqni kaq shpejt fletët apo doni të zhdukni provat për prokurorinë?”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së.
Kreu i KQZ-së Arben Ristani i kërkoi përfaqësuesit të opozitës bazën ligjore në lidhje me këtë kërkesë.
“Kam shumë respekt për aftësitë tuaja juridike, por ju lutëm me jepni bazën ligjore ku mbështesni kërkesën”, tha Ristani.
Duke iu drejtuar përfaqësuesit të PS-së Ristani tha se “kur është puna për të thënë budalliqe të dërgojnë ty këtu në KQZ e nuk dërgojnë Gencin p. sh.:”.
Sakaq, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ Njazi Kosovrasti tha se drafti për djegien e fletëve të votimit është në përputhje me ligjin ndërsa arsyetimi i Partisë Socialiste është i dëmshëm pasi nuk ka nxitim për këtë veprim por thjesht zbatim ligji. Çështja e djegies së fletëve të votimit mori përmasa të gjëra një vit më parë kur KQZ ende s’kishte marrë një vendim për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2099-ës. Atëherë KQZ shtyri miratimin e projekt/aktit nisur nga situata e tensionuar politike dhe protesta e PS-së, për hapjen e kutive të votimit.