E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, dyshime mbi regjistrimin e popullsisë

Në prag të fillimit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni janë shfaqur dyshime mbi mundësinë e falsifikimit të regjistrimit, informon agjencia e lajmeve INA.

Dyshimet e para janë hedhur nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili thekson se falsifikimi i mundshëm mund të ndodhë me shifrat e komunitetit maqedonas, dhe jo shqiptar.

Ne do të jemi pjesë e këtij procesi si vëzhgues. Nuk është e saktë se problemi kryesor është se ne frikësohemi se mund të zvogëlohet numri i shqiptarëve. Problemi kryesor është është se ne mendojmë se do të falsifikohet numri i maqedonasve, theksoi Thaçi. Ai ka nënvizuar se partia e tij ka realizuar muaj më parë një regjistrim paralel në tre komuna, por rezultati do të shpallet pas regjistrimit  dhe shpalljes së rezultatit të regjistrimit zyrtar.

Ai me këtë rast kërkoi përgjegjësi nga ana e Qeverisë lidhur me realizimin e procesit të regjistrimit.

Lidhur me këtë pohim, kryetarja e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR), Vesna Janevska theksoi se këto deklarimet janë pjesë e politikave të disa subjekteve të caktuara. Regjistrimi do të realizohet sipas Ligjit të miratuar nga Parlamenti nga ana e të gjitha partive, ka theksuar Janevska.

Sipas saj, tashmë janë bërë parapërgatitjet lidhur me procesin e numërimit të popullsisë, që pritet të fillojë javën e ardhshme prej 1 deri më 15 tetor.

KSHR ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë Ligjin për regjistrim, të bëjnë gati dokumente personale (njërin prej tyre) dhe të përfshihen në procesin e regjistrimit.

Anëtarët shqiptarë pranë KSHR kanë theksuar se neni 40 i Ligjit për regjistrim mundëson regjistrimin edhe të mërgimtarëve, të dhënat e të cilëve i jep ndonjë anëtarë i familjes përmes ekspozimit të dokumenteve të tyre personale. Milaim Ademi nga KSHR-ja thekson se deklaratat e kryetares Vesna Janevska janë personale, lidhur me deklarimin se diaspora nuk mund të regjistrohet, por vetëm ata që më pak se një vit gjenden jashtë vendit. (INA)

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›