Bashkia e Tiranës, e hapur për bashkëpunim me bashkitë e Vjenës dhe Budapestit
Ambasadorët e Austrisë dhe Hungarisë vlerësojnë vizionin e Bashës për shndërrimin e Tiranës në një metropol evropian
Projektet ambicioze të kryetarit të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, për kthimin e kryeqytetit shqiptar në një qendër urbane moderne dhe evropiane, kanë tërhequr vëmendjen e mjaft vendeve të zhvilluara perëndimore, përfaqësuesit e të cilave janë shprehur të gatshëm të mbështesin dhe kthejnë në realitet vizionin “Basha”. Kryebashkiaku Basha priti dje në një takim ambasadorin austriak në Tiranë, Florian Rauning, ku u ra dakord për bashkëpunim në disa fusha. Pasi u njoh me prioritetet dhe punët e Bashkisë, Rauning shprehu gatishmërinë për të rritur shkëmbimet mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Vjenës.
Basha e mirëpriti këtë propozim, duke theksuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në fushën e riciklimit të mbetjeve urbane, fushë ku Bashkia e Vjenës është mjaft e njohur, si dhe në çështjet e menaxhimit të trafikut dhe parkingjeve. Basha siguroi ambasadorin austriak për mbështetjen e Bashkisë në aktivitete dhe shkëmbime kulturore mes Austrisë dhe Shqipërisë.
Kryebashkiaku Basha njohu me projektet e tij për Tiranën Evropiane dhe ambasadorin e Hungarisë në Tiranë, Janos Husar. Kryebashkiaku Basha dhe ambasadori Husar ranë dakord për të thelluar më tej marrëdhëniet mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Budapestit, në projekte të përbashkëta. Gjithashtu, duke u njohur me planet dhe projektet zhvillimore të Bashkisë së Tiranës, ambasadori Husar tha se biznesi hungarez ka interes për të qenë prezent në Tiranë.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takoi edhe kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe delegacionin që e shoqëronte.
Basha e njohu kryetarin e Komunës së Gjakovës me planet dhe projektet që ka Bashkia për qytetin e Tiranës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Nga ana e tij, Lekaj shprehu vlerësimin për vizionin e z.Basha si dhe e ftoi atë për një vizitë pune në Gjakovë.