E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, sekreti i fundit turistik në Europë

27-09-2011 / Gazeta 55

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” i kushton një kronikë promovuese bukurive turistike të Shqipërisë

Edhe pse sezoni turistik ka përfunduar dhe pushuesit i janë kthyer jetës së tyre normale, agjencia e lajmeve “Reuters”, i ka kushtuar një shkrim turizmit shqiptar në këtë fund shtatori. “Shqipëria, sekreti i fundit turistik në Europë”, është titulli panoramës që “Reuters”, i ka bërë Shqipërisë nga Durrësi, Tirana e deri në Dardhë. “Shtrirja e plazhit përgjatë bregdetit të Durrësit në Shqipëri ofron një qetësi dhe çlodhje. Lojëra me top për më aktivët, rreze dielli dhe çadra për ata më pak aktivë”, shkruan “Reuters”. Përmes një udhëtimi në bregdetin e Durrësit, turistët e huaj shprehen se ndihen më të kënaqur që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet. “Ne nuk kemi qenë kurrë në këtë pjesë të Europës, por e dashurojmë atë. Kemi mbetur të surprizuar dhe të kënaqur për për këtë eksperiencë dhe e kemi shijuar atë në maksimum”, kështu i konsideron Nick Saintangelo, një turist amerikan, ditët që ka kaluar në Shqipëri, sipas të cilit pushime të jashtëzakonshme mund të kalosh vetëm në këtë copë tokë, siç konsiderohet në shkrim e cila bën pjesë e 450 km vijë bregdetare që ka Shqipëria. “Reuters”, përmend shifrat e publikuara nga qeveria shqiptare për hyrjen e turistëve të huaj në vend, duke thënë se kabineti shqiptar po bën më të mirën për ekspozuar bukuritë e vendit të tij. Agjencia citon ministrin e Turizmit, Aldo Bumçi, sipas të cilit qeveria shqiptare do të investojë për të zhvilluar më tej turizmin për të pasur edhe më shumë rezultat. Për këtë shkruan “Reuters”, Rruga e Kombit që lidh portin e Durrësit me Kosovën, ka qenë një ndër investimet më të mëdha. “Turizmit malor dhe atij kulturor i është dhënë gjithashtu prioritet”, thuhet në shkrim. Shqipëria numëron rreth 300 kështjella, kisha, ortodokse apo katolike, xhami dhe shumë vende arkeologjike. Për të vërtetuar më mirë këtë, nuk mund të mungonte Dardha. “Një fshat i vogël në rrethin e Korçës, shumë i njohur përpara komunizmit, si vendi që preferohej nga familja mbretërore, tani po njeh një ri-ngjallje”, shkruan agjencia e njohur. Turistja kanadeze, e cila ka vizituar Dardhën për herë të dytë, e cilëson atë si një vend të mrekullueshëm dhe me një natyrë, kuzhinë dhe traditë folkloristike të mrekullueshme. “Shqipëria ishte vendi më i varfër dhe më i izoluar ndër vendet komuniste, por gjithsesi duke mbajtur të mbyllur nga bota e jashtme, këta lidera komunistë ruajtën një zonë të tërë të virgjër të Mesdheut nga zhvillimi i pafre”, mbyll shkrimin agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, duke ri-sjellë edhe një herë në këtë fillim vjeshte, bukuritë natyrore shqiptare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›