ACR-minatorë, marrëveshja ende larg. Ministria e Ekonomisë padit organizatorët e grevës
(E PERDITESUAR) - Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave depozitoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një padi penale për drejtuesit e grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, për shkelje të sigurisë në punë dhe dëmtime të pronës publike.
“Janë bërë shkelje të rënda të sigurisë në punë që cënojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve”, thuhet në padi.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës vendosi të pezullojë shfrytëzimin e minierës së Bulqizës deri në rehabilitimin e saj.
***
Marrëveshja mes minatorëve që kanë hyrë në grevë urie dhe kompanisë koncensionare të minierës së Bulqizës, ACR, duket se është ende larg.
Firma austriake është shprehur se e mirëpret kërkesën e minatorëve për bisedime dhe I ka ftuar ata në Tiranë për një takim ditën e nesërme, në orën 11:00.
Por, minatorët kanë refuzuar që të shkojnë në Tiranë. Konfederata e Minatorëve është shprehur se takimi mes minatorëve dhe ACR duhet të bëhet në Bulqizë.
E ndërsa palët zihen për vendin e takimit, 13 minatorët që kanë hyrë në grevë urie, tashmë ndodhen në kulmin e rezistencës së tyre, pasi kanë 16 ditë pa ngrënë asnjë ushqim.
Në rast se nuk gjendet një zgjidhje sa më shpejt, ata rrezikojnë seriozisjt jetën e tyre.
