Nafta, çmimet rekord nuk ndikojnë konsumin
Rritja me 25% e çmimit të naftës në vend në harkun kohor të një viti, nuk ka ulur konsumin
Shqiptarët nuk ndryshojnë sasinë e shpenzuar të karburantit edhe pas çmimeve rekord në treg
Konsumi i naftës në vend nuk ka pasur asnjë ndryshim në harkun kohor të një viti, pavarësisht se çmimet kanë pësuar një rritje me rreth 25 për qind, që prej janarit të vitit 2007. Çmimet e naftës në tregjet e vendit që prej tremujorit të parë të vitit 2007, ku shënonin 125 lekë për litër, kanë pësuar një rritje në 155 lekë për litër, ose thënë ndryshe me 25 për qind. Por shqiptarët kanë vazhduar që të mbajnë një nivel të pandryshuar të konsumit, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve. Sipas të dhënave që jep Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në periudhën Janar-Prill të vitit 2007, kur çmimi i karburanteve ishte mesatarisht 125 lekë në treg, sasia e zhdoganuar ka rezultuar 117 037 ton, ndërsa në periudhën Janar-Prill të këtij viti është zhdoganuar 116 843 ton. Nga shifrat, shihet se jemi në të njëjtat nivele, fakt ky që tregon se ende nuk ka një impakt rritja e çmimit në sasinë e kërkuar në treg.
Dollari dobët
Nëse çmimi i naftës në vend do të ishte i kuotuar në dollarë, atëherë rritje në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar, do të ishte tepër e lartë e krahasuar me këtë vit. Gjatë ditëve të fundit, nafta në bursa ka arritur një çmim rekord prej 135 dollarë për fuçi, nga 56 dollarë për fuçi që ishte çmimi i naftës gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2007. Çmimi mesatar i naftës për vitin 2007 në bursat ndërkombëtare, sipas agjencisë "Reuters" është vlerësuar në 72.30 dollarë për fuçi. Por mbiçmimi i lekut dhe zhvlerësimi i vazhdueshëm i dollarit kanë bërë që nafta në tregun vendës të zhvlerësohet, duke mbrojtur disi konsumatorët nga kriza globale. Dollari ka arritur gjatë ditëve të fundit një çmim që shkon në 78 lekë, duke kapur rekordet historike në kursin e këmbimit me lekun gjatë këtyre viteve.
Shpenzimet për naftë
Tregu shqiptar ka njohur një rritje të fortë në kërkesën për karburante gjatë vitit 2007. I përfshirë në një krizë të thellë energjitike, shpresa e vetme për mbijetesë, për shumë biznese të mëdha e të vogla, mbeti gjeneratori. Shpenzimet për karburante importi, në 2007 shkuan në rreth 300 milionë dollarë. Nëse i shtohet edhe nafta e prodhuar në vend, tregu kalon 350 milionë USD. Rritja e çmimeve të naftës është reflektuar në kosto shtesë në transport dhe në rritje çmimesh në shumë sektorë të tjerë, duke i vënë blerësit para një inflacioni çmimesh. Në fillim të vitit 2007 çmimi i naftës shënonte rreth 50 dollarë për barel, për të arritur në 98 usd/barel në fund të vitit dhe në muajin mars të vitit 2008 një rekord prej 106 dollarësh për barel dhe në maj të këtij viti, është rekordi që mbërrin në 135 dollarë për fuçi.
TVSH-ja tavan
Nga ana e specialistëve të këtij sektori është kërkuar që të rishitet nga ana e qeverisë mundësia për vendosjen e një tavani në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën. Tashmë qeveria ka marrë një masë të tillë për akcizën, që si tavan ka çmimin 37 lekë për litër. E njëjta masë kërkohet edhe për tatimin mbi vlerën e shtuar që aktualisht është 20 për qind. Ndërsa çmimet rriten çdo ditë në bursat ndërkombëtare, edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që paguajnë qytetarët për naftën vazhdon që të rritet në vlerë. Një masë e tillë vlerësohet se është në favor të krizës së çmimeve, në një kohë që nafta e importuar në vend vazhdon që të ketë rritje çmimi.