E Diel, 1 Nëntor 2026

ADN-ja e Lute Rabiajt do të krahasohet me atë të viktimës së “Don Boskos”

09/04/2005  ADN-ja e Lute Rabiajt do të krahasohet me atë të viktimës së “Don Boskos”, për të konkluduar zyrtarisht në deklarimet e saj se ai ishte i biri, Enver Rabiaj. Ndërkaq, nga hetimet paraprake rezulton se, dëshmia e të moshuarës nga Gradishta e Lushnjës është e vërtetë. Kjo, pasi shenjat në trup të përshkruara prej saj kanë rezultuar të njëjta. Si edhe nga krahasimi që është bërë mes fotos së servirur prej saj dhe fytyrës së dëmtuar të viktimës, janë vënë re ngjashmëri të shumta. Por për të disponuar një rezultat zyrtar, hetuesit kanë kërkuar kryerjen e krahasimit të ADN-së së saj, me të identifikuarin si Enver Rabiaj. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Mjekësisë Ligjore. Sipas këtyre burimeve, paraprakisht është konkluduar se viktima është Enver Rabiaj, djali i fundit i Lute Rabiajt. Kjo edhe për shkak të gjendjes emocionale që përjetoi e moshuara kur identifikoi viktimën. Burimet pohojnë se për të pasur një rezultat zyrtar rreth identitetit të viktimës, është e nevojshme të kryhet edhe krahasimi i ADN-së. Ndërkaq, hetimi është përqëndruar në bashkëpunëtorët e Rabiajt në atentatin e dështuar. Policia e kryeqytetit ndaloi tre të rinj lushnjarë, të cilët dyshoheshin se kishin dijeni mbi ngjarjen. Por, nga verifikimet e tabulateve të thirrjeve telefonike celulare, rezultoi se ata nuk kishin komunikuar me numrin e viktimës natën e ngjarjes, por disa javë më parë. Ndërsa personi që dyshohet të ketë biseduar me Enver Rabiajn atë natë është Leonard Prifti. Ndërkaq, dyshohet që edhe numri që iu gjet viktimës ka qenë i Leonard Priftit, i cili ia ka dhënë për përdorim. Si objektiv i atentatit dyshohet një ish-zyrtar i policisë, përfundojnë burimet e organit qendror të akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›