Kapen katër të miturit endacakë, vodhën gjashtë dyqane në Tiranë
09/04/2005 Policia e kryeqytetit ka ndaluar katër të mitur të akuzuar për vjedhje të ndryshme, ndërsa ka shpallur dy bashkëpunëtorë të tyre në kërkim. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se gjashtë ndalimet janë ezauruar gjatë 24 orëve të fundit. Kështu, forcat policore të Komisariatit nr.1 kanë arrestuar dy minorenë endacakë, S.S. 12 vjeç nga Korça, me banim në Tiranë dhe K.C., 13 vjeç nga Vlora. Ata akuzohen për vjedhjen e një dyqani më 28 janar të këtij viti dhe do të hetohen në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre, thonë burimet. Ndërkaq, uniformat blu të Komisariatit nr.2 në Tiranë, kanë arritur të zbardhin vjedhjen e pesë dyqaneve nga dy të miturit e sipërpërmendur gjatë një dite. Ata akuzohen për vjedhjen e bar kafe “Alb Meat” në bulevardin “Bajram Curri”, butikun “Moda Usa” dhe “Rovena”, një rrobaqepësi dhe një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, më 6 prill të këtij viti. Policia e Komisariatit nr.2 ka arrestuar dy ditë më parë edhe dy persona të tjerë, ndërsa po vidhnin një dyqan kankilerie. Burimet thonë se janë ndaluar Fiqiri Demiri 21 vjeç dhe D.M. 18 vjeç, që të dy banues në Vorë. Sipas policisë, dy të arrestuarit në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë qenë duke vjedhur dyqanin kur janë arrestuar në tentativë për t’u larguar. Policia po punon për kapjen e dy bashkëpunëtorëve në këtë vjedhje, përfundojnë burimet.