Kundravajtjet, për 24 orë 600 masa ndëshkimore në Tiranë
09/04/2005 Policia e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet ka vendosur gjatë 24 orëve të së enjtes rreth 600 masa ndëshkimore të ndryshme ndaj drejtuesve të automjeteve. Ka qenë urdhri i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të respektimit të rregullave të qarkullimit, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësja për shtyp pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, e cila theksoi se këto masa ndëshkimore janë marrë në zbatim të urdhrit që nxori disa ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Katragjini pohoi se, urdhri është nxjerrë në kuadër të marrjes së masave të nevojshme për uljen e numrit të aksidenteve automobilistike. Nga shtimi i aksidenteve dhe shqetësimet e krijuara në këtë drejtim, kohët e fundit, Policia e Tiranës ka orientuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë dhe seksionin e Kavajës për të shtuar kontrollet ndaj kundravajtësve. Gjithashtu është vendosur të merren masa administrative edhe për menaxhimin më të mirë të lëvizjes së mjeteve e të këmbësorëve, thanë burimet zyrtare të policisë. Në këtë kuadër të këtij urdhri, vetëm në 24 orët e fundit u morën 310 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit, 11 leje drejtimi të pezulluara, nga të cilat shtatë për konsum pijesh alkoolike dhe katër për shpejtësi tej normave të lejuara dhe kundërsens. Gjithashtu mësohet të jenë marrë 125 masa administrative për qëndrim të gabuar, 42 masa administrative për tejkalim të normave të shpejtësisë si dhe 45 masa administrative për përdorim të dritave të gjata. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë vë në dukje dhe u kërkon drejtuesve të automjeteve të zbatojnë rregulloren e qarkullimit rrugor, “me qëllim pakësimin e kundravajtjeve dhe parandalimin e aksidenteve automobilistike”.