E Shtunë, 31 Tetor 2026

AECID, 170 mijë euro për Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit

TIRANË - Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobbio, nënshkruan të martën në mjediset e ministrisë memorandumin e mirëkuptimit për Konsolidimin e Shtetit Ligjor në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit. Projekti kap vlerën prej 170 mijë eurosh dhe do të zbatohet për një periudhë prej dy vjetësh. Në kuadër të këtij memorandumi, Mbretëria e Spanjës do të mbështesë Shqipërinë nëpërmjet financimit të projektit “Mbështetje në forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës së Shtetit shqiptar”. Ministri Alibeaj e cilësoi projektin si strategjik dhe të pazëvendësueshëm dhe falënderoi përpjekjet e vazhdueshme të Spanjës për të kontribuar në reformën e drejtësisë dhe në Konsolidimin e Shtetit Juridik në Shqipëri në të gjitha fushat. Ky projekt, - tha Alibeaj, - është tepër i rëndësishëm për një nga hallkat më të rëndësishme dhe më sensitive të mozaikut shtetformues dhe shtoi se “avokatura e shtetit, institucion relativisht i ri, është një nga institucionet që do të mbrojë atë ombrellë shtetërore, atë garanci që ligjit duhet t’i jepet për të funksionuar në mënyrë të drejtë”. Ky projekt, - vijoi ai, - ka për qëllim ta shndërrojë këtë institucion (i suksesshëm deri tani) në një nga avokatët legalë, më të besueshëm, më profesionalë të shtetit, i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha institucionet shtetërore. Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio, u shpreh: “Shteti juridik nënkupton jo vetëm që marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve të jenë të rregulluara nga drejtësia dhe thyerja e tyre nën kontrollin e Pushtetit Gjyqësor, por gjithashtu nënshtrimi i vetë shtetit juridik ndaj së Drejtës dhe performanca e tij në përputhje me të”.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›