Pranga Delijorgjit, Minxollit dhe Pinarit
Tragjedia e Gërdecit, lëshohen tre urdhërarrestet e para. Materialet mbërrijnë sot në gjykatë, nesër masa e sigurisë
Laureta Rryçi
Tiranë - Grupi hetimor për tragjedinë e Gërdecit pret tri fletarrestet e para. Mihal Delijorgji, Ylli Ponari dhe Dritan Minxolli kaluan në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të qëndruar atje deri në një masë sigurie që do të jepet për ta. Burime nga policia pohuan dje se Seksionet e posaçme të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut bënë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre të arrestuarit. Ndërkohë, nuk është lëshuar urdhërarrest për drejtorin e “Vrana Security”. Hetuesit kanë shpjeguar se deri tani nuk janë gjetur elementë që të provojnë se drejtuesi ka kryer vepër penale. Ndërkohë, mbi tre të arrestuarit është ngritur fillimisht akuza e mosrespektimit të rregullave të punës. Të njëjtat burime konfirmuan se sot pritet të dërgohen të gjitha materialet që provojnë veprën penale në Gjykatën e Tiranës. Pritet që gjyqtari i gatshëm të njihet fillimisht me to për të qenë në dijeni mbi provat e grumbulluara në momentin që do të vendosë për masën e sigurisë së tre të arrestuarve.
Shoqërimi
Në orët e mbrëmjes së dy ditëve më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan katër persona. Burimet e para nga policia sqaruan se personat në fjalë deri në orët e vona të mbrëmjes ishin vetëm të shoqëruar. Në të vërtetë kjo ishte e vlefshme vetëm për orët e natës. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, grupi hetimor erdhi në përfundimin se presidenti i firmës çmontuese “Alb Demil”, Mihal Delijorgji, drejtori Ekzekutiv i firmës së tij, Dritan Minxolli, si dhe drejtuesi i firmës “MEICO”, Ylli Pinari, do të arrestoheshin. Para se të merrej ky vendim ndaj tyre, mësohet se të tre janë marrë në pyetje për të shpjeguar gjithçka që kanë dijeni që nga momenti i nënshkrimit të kontratës e deri në aktivitetin e mëpasshëm në Gërdec. Ndërkohë që zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes i është dashur të japë informacione të hollësishme mbi çdo dokument ku ka hedhur firmën për çmontimin e armëve në Gërdec. Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes duket se do të shpjegojë pikërisht se përse i është dhënë tenderi firmës për çmontimin e armëve dhe si është monitoruar kjo firmë. Ndërsa Agim Vranja, në cilësinë e drejtorit të “Vrana Security”, pasi është marrë në pyetje është lënë i lirë.
Masa e sigurisë
Gjyqtari i gatshëm do të vlerësojë se sa të drejta kanë qenë urdhërarrestet mbi fajësinë apo jo të tre të arrestuarve. Tashmë materialet po përgatiten për t’u dërguar gjatë ditës së sotme në gjykatë dhe pritet vetëm të zhvillohet masa e sigurisë për të tre ata. Masa do të vendosë edhe nëse grupit hetimor do t’i jepet kohë për të grumbulluar prova të tjera në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Box
Fabrika
Firma “Alb Demil” çmontonte municionet në repartin e çmontimit në Gërdec që prej një viti. Deri tani ishin çmontuar vetëm fishekë të të gjitha kalibrave. Prej gjashtë muajsh, fabrika bënte dhe çmontimin e predhave. Në fabrikë ishin të punësuar rreth 300 punëtorë, kryesisht banorë të Gërdecit, Vorës dhe rrethinave. Paga varionte sipas pozicionit dhe punës që punëtorët bënin brenda ditës. Kishte familje në Gërdec ku ishin punësuar të gjithë pjesëtarët e saj. Dëshmitë e të plagosurve kanë treguar se ishin të punësuar në të zezë shumë fëmijë apo persona të tjerë.
Të arrestuarit
Mihal Pandeli Delijorgji, 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i kompanisë që merrej me demontimin e municioneve luftarake
Dritan Siri Minxolli, 30 vjeç, banues në Tiranë , drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie
Ylli Ramazan Pinari, 55 vjeç, banues në Tirane, me detyrë drejtor i ndërmarrjes “MEIKO”, në Ministrinë e Mbrojtjes.
19 Mars 2008