Aksident në hekurudhë, humbën jetën dy gra
TIRANË – Dy të moshuara kanë humbuar jetën në një aksident tragjik. Burime policore thanë se një aksident i rëndë ndodhi dje në mesditë pranë Vorës, ku treni i linjës Tiranë-Durrës përplasi për vdekje dy gra të moshuara që po ecnin mbi shina. Burime nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se ngjarja ndodhi në momentin kur shtetaset Marie Tuci 66 vjeçe dhe Mate Buçpepa, 65 vjeçe janë përplasur nga treni i udhëtarëve, ndërsa ecnin mbi shina. Sapo kanë marrë njoftimin, forcat e policisë shkuan në vendin e ngjarjes duke filluar hetimet mbi shkaqet e aksidentit të ndodhur.
Arrestohet, aksidentoi me vdekje një shtetas të paidentifikuar
Tiranë - Shërbimet e policisë rrugore arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasin Ali Kodra, 23 vjeç, banues në Tiranë, me akuzën “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim i mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”. Sipas policisë, 23-vjeçari Kodra dy ditë më parë në Rrugën e Kavajës, duke qarkulluar në drejtim të aksit rrugor Tiranë-Kombinat, me automjetin tip “Volkswagen”, me targë TR. 7190 N, aksidentoi për vdekje një qytetar rreth moshës 50 vjeç, i cili ende nuk është identifikuar. Policia konfirmoi se aktet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
19 Mars 2008