E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani, Alibeajt: “Krijoni institucion riedukimi për të miturit”

Shkas letra e dy prindërve nga Berati që e kanë fëmijën të arrestuar. Në rekomandim kërkohet të bëhet sa më parë propozimi në qeveri
Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një institucion riedukimi për të vendosur të gjithë të miturit që kryejnë vepra penale. Ky ka qenë dhe rekomandimi më i fundit që Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka nisur ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Burime pranë Zyrës së Avokatit të Popullit shpjeguan se shkak është bërë ankesa e dy prindërve nga Berati që djali i tyre 13-vjeçar u arrestua nën akuzën e vrasjes së një gruaje në këtë qytet.
Historia
Sipas rekomandimit që Dobjani ka nisur për Alibeajn thuhet se bashkëshortët Ylli dhe Fatmira Hadaj nga qyteti i Beratit janë ankuar tek Avokati i Popullit se djali i tyre i mitur 13-vjeçar, Romario Hadaj, nga data 12.11.2007 e në vazhdim mbahet i izoluar në Spitalin Rajonal në Berat. Ai kontrollohet e ruhet nga punonjës të policisë së shtetit. Sipas materialeve të Prokurorisë së Beratit rezulton se i mituri është identifikuar si autor i vrasjes së shtetases E.S. më dt.12.11.2007, në vendin e quajtur “Gropa e Madhe” në kodrat e fshatit Pashalli, në rrethin e Beratit. Mbi kërkesën e organit procedues, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për vendosjen e shtetasit Romario Hadaj në një institucion edukimi për të mitur. Ngarkohet Policia Gjyqësore me zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim prokurori i Rrethit Gjyqësor Vlorë, por Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin e saj ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Nga arsyetimi i këtij vendimi ka rezultuar se i mituri Romario Hodaj nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale në kuptim të Nenit 12 të Kodit Penal. Kjo do thotë që për atë shtetas ka shkaqe padënueshmërie që lidhen me mosarritjen e moshës për përgjegjësi penale për krime. Në këto kushte, ndaj tij nuk mund të caktohet asnjë masë sigurimi nga ato të parashikuara nga Neni 227 e vijues të Kodit të Procedurës Penale. Edhe nga aktekspertimi i ekspertit psikiatër-ligjor është përcaktuar se gjendja psikiatrike e fëmijës Romario Hadaj nuk kërkon trajtim mjekësor të detyruar, por edukativ të detyruar në një institucion edukativ, nën një regjim sigurie të lartë dhe nën supervizionin e pandërprerë të një personeli edukativ
(përfshirë edhe punonjës socialë e terapistë).
Kërkesa
Nga verifikimi i komisionerëve të Avokatit të Popullit rezultoi se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë me shkresën e saj i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, duke i kërkuar të konfirmohet institucioni i vuajtjes së masës edukuese që do të zbatohet në rastin konkret ndaj të miturit Romario Hodaj. Po kështu, ajo, në funksion të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, ka kërkuar që nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të konfirmohet sa më parë se cili është institucioni i caktuar për ekzekutimin e masave edukuese për të miturit që kanë kryer vepra penale, por që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale. Rezulton se në të dy rastet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk është kthyer asnjë përgjigje. Kjo mungesë përgjigjeje nuk është korrekte nga ana ligjore dhe tregon për mungesë përgjegjshmërie nga personat përgjegjës që janë marrë me to.
Rekomandimi
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, nëpërmjet këtij rekomandimi i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që të propozojë në qeveri për të marrë të gjitha masat e nevojshme organizative, teknike, materiale dhe financiare për krijimin e institucionit të edukimit ku do të ekzekutohen vendimet gjyqësore të formës së prerë, kur gjykatat vendosin masa edukuese për vendosjen e të miturve në një institucion edukimi, në bazë të nenit 46/2 të Kodit Penal.

Precedentët, rekomandimi i Dobjanit

“Duke shfrytëzuar këtë rast, ju sjellim në vëmendje se vendime gjyqësore të tilla në vendin tonë ka pasur për persona të tjerë të mitur, por që sikurse ky rast kanë ngelur pa u ekzekutuar. Ndërkohë, kemi konstatuar se gjykatat, ndonëse konstatojnë kushtet ligjore të aplikimit të masës edukuese të vendosjes së të miturve në një institucion edukimi, hezitojnë në dhënien e vendimeve të tilla për shkak të mungesës së institucionit të edukimit. Është me rëndësi të theksojmë se në bazë të Nenit 142/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore”. Dhe në Republikën e Shqipërisë është Ministria e Drejtësisë organi i shtetit, përgjegjës, i caktuar me këtë detyrë”.

1. Të propozoni në qeveri për të marrë të gjitha masat e nevojshme organizative, teknike, materiale dhe financiare për krijimin e institucionit të edukimit ku do të ekzekutohen vendimet gjyqësore të formës së prerë, kur gjykatat vendosin masa edukuese për vendosjen e të miturve në një institucion edukimi, në bazë të Nenit 46/2 të K.Penal.

2. Për qëndrimin dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, bazuar në Nenin 22 të Ligjit Nr. 8454, dt.04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, lutemi të vihemi në dijeni brenda afatit 30-ditor.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›