E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen dy tutorë prostitutash nga Italia dhe Gjermania

Tiranë - Interpol Tirana ekstradoi dy shtetas për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit në rrethana rënduese”. Dje, rreth orës 12:00, Zyra Qendrore e Interpol Tiranës ekstradoi nga Milano Viktor Nikollin, 50 vjeç, nga Puka, si dhe nga Frankfurti Petrit Sulejmanin, 36 vjeç, nga Fieri. Ekstradimi i Sulejmanit është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me Vendimin Nr. 251, datë 31.10.2005, e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, parashikuar nga Neni 114/a, pika 4 dhe 5 dhe Neni 34/5 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Nga hetimet paraprake dhe nga gjykimi i çështjes ka rezultuar se në vitin 1998 shtetasi Petrit Sulejmani është njohur në Larisa/Greqi me shtetasen A. B., e cila ndërkohë ushtronte prostitucion në Greqi. Duke qenë në dijeni të këtij fakti, Sulejmani i ka premtuar martesë shtetases A. B. Ai e ka shfrytëzuar këtë shtetase rreth një vit në Greqi, pastaj janë kthyer për në Shqipëri dhe më pas janë nisur me gomone për në Itali. Gjithashtu shtetasi Petrit Sulejmani e ka shfrytëzuar si prostitutë atë në Itali, në Angli dhe më pas në Gjermani. Më datën 29.08.2002, kjo shtetase pasi është kthyer në Shqipëri nga autoritetet gjermane ka bërë kallëzim ndaj Petrit Sulejmanit. Ndërkohë, Viktor Nikolli është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Laç, e cila me Vendimin Nr. 112, datë 06.07.2005, e ka dënuar atë me 8 vjet burgim për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 114/a pika 4 e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Apelit Tiranë, me Vendimin Nr. 20, datë 18.01.2006, ka vendosur lënien në fuqi të Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Laç. Shtetasi i lartpërmendur me anë të mashtrimit ka arritur të bindë shtetasen me inicialet SH. N. që të shkonte bashkë me të jashtë shtetit. Pasi kanë arritur në Portugali, shtetasi Viktor Nikolli e ka detyruar shtetasen me inicialet SH. N. të prostituonte. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol Milanon dhe Interpol Frankfurtin u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i këtyre shtetasve dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit këta shtetas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Tentoi të vrasë dy shtetas, arrestohet nga policia

Tiranë - Specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në orën 23:45 arrestuan në flagrancë Gëzim Vishën, 43 vjeç, banues në Bathore. Arrestimi i tij u bë pasi akuzohet se më datë 17.03.2008, rreth orës 19:00, në Bathore, ka tentuar të vrasë me armë të ftohtë thikë dy shtetas, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

Tentoi të vidhte kabllin elektrik, vdes nga korrenti

Tiranë – Hyn për të vjedhur kabllin elektrik në kabinë, e zë korrenti dhe vdes. Burime policore thanë dy ditë më parë se rreth orës 18:30 specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit morën njoftim se në Rrugën e Rinasit, brenda një kabine elektrike, u gjet i vdekur një shtetas. Nga verifikimi rezultoi se shtetasi në fjalë ishte Bashkim B., 42 vjeç, banues në Bërxullë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka hyrë në kabinën elektrike për të vjedhur kabllin elektrik dhe më pas ka gjetur vdekjen. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Kishte vjedhur lokalin, identifikohet pas një muaji

Tiranë – Vodhi lokalin, identifikohet nga policia. Burime të sigurta thanë për gazetën se struktura e posaçme e Seksionit kundër Vjedhjeve të Tjera arritën, në sajë të punës së bërë, të identifikojnë autorin e vjedhjes së një lokali më datë 13.02.2008, pranë sheshit “Avni Rustemi”. Autor i kësaj vjedhjeje rezultoi Altin Mehmeti, 37 vjeç, banues në fshatin Babrru. I sipërpërmenduri ndodhet aktualisht në burg, pasi është arrestuar më 14.02.2008 nga Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut për veprën penale “Vjedhje me armë”. Pasi u kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë.

Kallëzohet për vjedhje të energjisë elektrike 39-vjeçari

Tiranë – Një kallëzim penal është bërë pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaj shtetasit Genci Shima, 39 vjeç, banues në Tiranë. Shima akuzohet për “Vjedhje të energjisë elektrike”, vepër që parashikohet në Nenin 137 të Kodit Penal. U konstatua se i lartpërmenduri kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ndërmarrjen e tij në fshatin Shish-Tufinë. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›