E Diel, 1 Nëntor 2026

Muratori humb jetën, rrëzohet nga kati i gjashtë i pallatit

FUSHË KRUJË – Pa kaluar as 10 ditë nga aksidenti me pasojë plagosjen e gjashtë specialistëve të huaj që po riparonin oxhakun e fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, një tjetër ngjarje tragjike ka ndodhur në këtë zonë, por kësaj radhe ka gjetur vdekjen një murator. Burimet zyrtare të policisë së Krujës bëjnë të ditur se dje pasdite është rrëzuar nga kati i gjashtë i një pallati që po ndërtohej shtetasi Mirush Metani. Sipas këtyre burimeve, 30-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e rënies nga lartësia. Viktima ka marrë plagë të rënda në trup duke e bërë të pamundur shpëtimin e jetës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Ndërkohë, një grup hetimor po merret me zbardhjen e çështjes. Nga të dhënat e para mësohet se janë marrë dëshmitarë që po punonin me 30-vjeçarin Metani, si dhe drejtuesit e punimeve në pallatin që ndodhet në qytezën e Fushë-Krujës. Grupi hetimor po merret edhe me kushtet e sigurisë në punë dhe respektimin e kontratave të sigurimeve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur një sërë aksidentesh në punë, në Fushë-Krujë, Tiranë, Berat, Vlorë dhe në rrethe të tjera. Të paktën katër persona kanë gjetur vdekjen dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur. Megjithë alarmin e lëshuar nga strukturat e qeverisë, përfshirë edhe Inspektoratin e Punës, sërish mbetet i lartë numri i aksidenteve në punë, ku shkak kryesor mbetet mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik nga firmat.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›