AGIM SULAJ, të dehesh dhe të meditosh mbi humorin e karikaturës
Petrika GROSI
Kohët e fundit, piktori i njohur shqiptar që jeton dhe punon në Itali, Agim Sulaj është rikthyer në Tiranë, ku dhe ka çelur ekspozitën e tij të radhës me piktura në vaj e karrikatura, duke bërë njëherësh edhe inagurimin e galerisë së tij personale, e cila ndodhet në katin e dytë të dy kullave përballë Parlamentit.
Në intervistën që zhvilluam dje me karikaturistin shqiptar të njohur në rang botëror, mësuam më tepër mbi punët e reja të Agim Sulajt dhe arritjet e tij më të fundit. Gjithashtu, artisti flet mbi gjetjet e tij në punë të ndryshme, çmimet e fituara në garat ndërkombëtare të karikaturës dhe planin ambicioz për të rizgjuar karikaturën e fjetur shqiptare me anë të zhvillimit të një konkursi të përvitshëm ndërkombëtar në Tiranë, ku do të marrin pjesë artistët më në zë të botës sa i takon kësaj gjinie. Por që kjo ide të konkretizohet Agim Sulaj shton se i duhet mbështetje nga MTKRS, Galeria Kombëtare e Arteve si dhe nga ambasadat e shteteve të ndryshme në Shqipëri.
Pas një viti jeni rikthyer në Tiranë. ǒmund të thoni lidhur me këtë vizitë?
Ardhja ime ka një motiv të veçantë, pasi më në fund, në vendin tim inagurova galerinë personale, ku do të prezantoj që nga tablotë në vaj që më shoqërojnë gjithmonë, deri te karikaturat për të cilat kam marrë dhe do të marr çmime. Publiku artdashës do të gjejë në këtë galeri frytet e karikaturës që i mungojnë Shqipërisë, detajet e veçanta të humorit në punët e mia.
Shohim në mur mbi 20 karikatura. Si i keni përzgjedhur dhe me çfarë lidhen ato?
Janë 25 karikatura, me të cilat kanë marrë pjesë dhe kanë fituar çmime të ndryshme nëpër konkurrime ndërkombëtare në Bullgari, Iran, Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Poloni, Siri, Turqi etj. I kam vendosur jo pa qëllim këto punë, pasi është për të ardhur keq që në Shqipëri mungon lëvrimi i kësaj gjinie. Dikur ka qenë revista “Hosteni”, e cila ishte një industri e shëndetshme për karikaturën. Pas ndryshimit të sistemit, artistëve të kësaj gjinie ju rra lapsi nga duart dhe u morën me punë të tjera. Karikatura është një mjet filozofik ku nëpërmjet artisti shprehet dhe kritikon probleme e fenomene të ndryshme të shoqërisë. Vizatimeve humoristike, publikut i mbeten në kujtesë dhe e bëjnë të qeshë por edhe të reflektojë për një periudhë kohe. Karikaturisti mban qëndrim përmes punëve të tij dhe është si një politikan që kritikon.
Po më thoshit para intervistës, se sapo keni fituar një tjetër çmim...
Bëhet fjalë për një konkurs kombëtar në Itali, ku pjesëmarrësit ishin të gjithë artistë italianë por ja që çmimin e madh e mori një shqiptar që jeton dhe punon në Itali. Karikatura vizatonte në mënyrë filozofike emigrimin, këtë temë kaq të ndjeshme që italianëve u kthehet herë pas here duke u bërë problematikë e jetës së tyre. Zgjodha të vizatoja një valixhe të vjetër emigranti dhe mbi të udhëton një njeri. Sipërfaqja e kësaj valixheje është kthyer në një det të pafund. Njëherësh, aty jepet imazhi se bota është si një valixhe e madhe ku të gjithë lëvizin pafund.
Çfarë ju krijon më tepër mbresë nga karrikaturat tuaja?
Secila ka të veçantat e saj dhe si karakteristikë të parë kanë vlerësimin që i bën bota kësaj gjinie. Jashtë humori vlerësohet me shumë seriozitet. Në këto konkurse kam takuar artistë të karikaturës nga më të mëdhenjtë në botë. Sa u takon punëve mund të përmend atë që fitoi çmimin e madh në Bullgari; një portë e madhe nga e cila del një fëmijë dhe shikon me tmerr botën ku do të bjerrë si në një greminë. Me këtë punë mora medaljen “Ezopi i Artë”, të cilën në botë e kanë vetëm 18 artistë. Unë jam i nëntëmbëdhjeti. Por këto çmime i përkasin njëherësh edhe vendit tim, ku u rrita e u formova si artist dhe ku gjithmonë rikthehem me nostalgji.
Mendoni se jeni artisti shqiptar me më shumë çmime në karikaturë?
Kjo është e vërtetë, sepse nuk ka shumë artistë shqiptarë që kanë marrë çmime në këtë gjini. Edhe Medi Belortaja e Ilir Pojani, mbaj mend që kanë marrë njady çmime në fillim të karrierës së tyre...
Po nga vlefta monetare, si variojnë këto çmime?
Ndonjëherë çmimet kanë vlerë simbolike por ka dhe raste kur ato arrijnë në shuma të mëdha. Çmimet që kam fituar personalisht, nisin nga 2-10 mijë euro. Vërtëtë jetoj me pikturën dhe karikaturën por në konkurrime vlera monetare kalon në plan të dytë. Të rëndësishme janë marrëdhëniet me shokët e miqtë e karikaturës, artistët e tjerë të njohur botërorë që kanë fituar çmime në të kaluarën. Pa këto lloj marrëdhëniesh nuk mund të ecësh para në të ardhmen.
Bashkëpunoni me ndonjë revistë apo gazetë në Itali?
Kam bashkëpunime me “Corriere di Rimini” dhe “La Stampa”. Ndërsa për pikturën, u bënë vite që bashkëpunoj me galerinë “Forni” të Bolonjës. Këtë vit kam bashkëpunim dhe me një tjetër galeri në Itali, e cila trajton mënyrën time të pikturimit, hiper-realiste dhe neorealiste.
A keni realizuar karikatura për ndonjë personalitet të njohur?
Punët e mia kanë si karakteristikë idetë që përcjellin dhe filozofinë e tyre, jo personazhet. Trajtoj tema të tilla si ndotja e mjedisit, liria e shtypit dhe mungesa e saj, varfëria, uria, emigrimi, vizionet për të ardhmen etj.
Teksa flasim për mjedisin shqiptar, a mendoni se karikatura këtu, ka mbetur thjesht në shtrembërimin e portreteve, gjë që mund të realizohet lehtësisht edhe nga kompjuteri, ç’ka do të shpjegonte mungesën e lëvrimit të kësaj gjinie?
Është mëse e vërtetë dhe qëndron si konstatim. Karikatura shqiptare, ndoshta mund të ketë mbetur në kritikën fizike. Megjithatë, duhet kuptuar se misioni i karikaturës nuk është thjesht zmadhimi apo zvogëlimi i formave dhe tipareve të një personazhi.
Nëse dikush sheh punët tuaja, mund t’i vijë për të qeshur por mund të futet edhe në meditim të thellë.
Karikatura ime të bën më shumë të mendohesh. Ajo është më shumë filozofike se sa humoristike. Në fillim publiku mendohet para punës sime dhe pastaj mund të buzëqeshë për gjetjen. Të tilla janë punët e njeriut të burgosur në Itali, i cili nëpërmjet vizatimit kërkon të arratiset në një botë tjetër apo njeriu që pret një pemë dhe çan qiellin... Zakonisht, konkurimet botërore të karikaturës zhvillohen mbi tema të caktuara që u jepen artistëve paraprakisht për t’u frymëzuar.
Gjithmonë mbetet interesante karikatura juaj “Vera e dehur”. Si lindi kjo ide?
Pasi u deha njëherë, fillova të luaj me gotën e verës dhe vura re që gota qëndronte gjithmonë vertikalisht, ndërkohë që vera lëvizte për llogari të saj. Kjo lëvizje më dha idenë se ishte dehur vera dhe që ajo kishte një gravitet tjetër.
Si e shikoni mungesën e konkurseve të karikaturës në Shqipëri?
Jemi në kohën kur njerëzit i kanë parë të gjitha llojet e shprehjes artistike që nga piktura, filmat, muzika, teatri etj. Karikatura ka gjithmonë diçka të re për të thënë, duke i bërë artdashësit dhe njerëzit e thjeshtë që të meditojnë mbi probleme e fenomene të ndryshme sociale e politike dhe njëherësh, të buzëqeshin ndopak. Një konkurs ndërkombëtar i karikaturës është i domosdoshëm për Shipërinë. Duke pasur njohje me artistët më të mirë botërorë të kësaj gjinie kam menduar se ndoshta mund të organizohet një eveniment i tillë edhe në vendit tonë. Por që kjo të arrihet, më parë duhet të kem mbështetjen e institucioneve të artit dhe kulturës në vend, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mbështetjen e ambasadave të shteteve përkatëse nga do të vijnë artistët si dhe sensibilizimin e sponsorave ndaj kësaj gjinie arti të humbur dhe shumë të kërkuar në Shqipëri. Për këtë mund të flasim në një moment të dytë, kur edhe unë ta kem konkretizuar idenë time për këtë projekt madhor.
Së fundi, çfarë është karikatura për Agim Sulajn?
Është dëshira për të kritikuar realitetin negativ me mjete paqësore; ajo dëshirë, që e ka çdo qytetar i civilizuar dhe çdo artist, për të përmirësuar jetën e komunitetit përmes humorit dhe ironisë.
8 Tetor 2009