Privatizimi i INSIG, qeveria nxjerr në shitje të gjitha aksionet e kompanisë
Privatizimi i INSIG, qeveria nxjerr në shitje të gjitha aksionet e kompanisë
Ndryshon formula e privatizimit, shitje 100 për qind
INSIG zotëron rreth 16 për qind të tregut të sigurimeve
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka vendosur ta “likuidojë” me një goditje të vetme kompaninë INSIG. Pas vendimit për ndryshimin përsëri të formulës së privatizimit marrë dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, është miratuar projektligji për shitjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar. Ajo që ka ngjallur diskutime në komision është formula e privatizimit që parashikon shitjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë. Privatizimi i INSIG-ut dështoi gjatë vitit të kaluar pasi kompania amerikane që u shpall fituese e tenderit u tërhoq nga gara gjatë fazës së negocimit. Ajo ofroi 25 milion euro për 61 për qind të aksioneve dhe afro 17 milion euro për pjesën e mbetur. Gjithashtu edhe 2 aksionerët e tjerë të INSIG, IFC dhe BERZH i rishitën qeverisë 39 për qind të aksioneve të tyre duke bërë që shteti të jetë pronar i të gjithë paketës së aksioneve të Kompanisë së Sigurimeve. Pak para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, qeveria nxitoi të shpallte fituesin e tenderit për shitjen e INSIG-ut. Aktualisht INSIG është një kompani 100 për qind shtetërore e cila zotëron rreth 16 për qind të tregut të sigurimeve.
Privatizimi
Ndryshimet që i janë bërë kësaj here formulës së shitjes së kompanisë INSIG lënë të hapur mundësinë që blerësi të jetë edhe një biznes vendas me eksperiencë në fushën e sigurimeve. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje për këtë qëllim projektligjin "Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG sh.a.-së". Sipas Drejtoreshës së Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Lindita Rusmali, në tenderin e hapur ndërkombëtar do të dalin 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie pas kthimit nga dy institucionet ndërkombëtare financiare BERZH dhe IFC të 39 për qind të aksioneve qeverisë shqiptare. Procesi i privatizimit të INSIG-ut filloi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e tij. Pas rënies dakord me BERZH-in dhe IFC-në, procesi u konsultua nga “BNP Paribas”, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare “KPMG” për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitjen e kompanisë "INSIG". Në garë u parakualifikuan 8 kompani, të cilat ishin “American Reserve Life Insurance”, “Croatia Osigurania”, “Sava Re”, “Grazer”, “Eurohold Insurance Group”, “Triglav”, “Fondaria Sai” dhe “Qatar Insurance Center”. Por, për shkak të krizës financiare botërore, në fazën finale të tij rikonfirmoi ofertën e saj për blerjen e INSIG-ut vetëm kompania amerikane “American Reserve Life Insurance”, e cila më pas u tërhoq nga blerja për shkak të krizës financiare globale. Qeveria shqiptare kishte rreth 61 për qind të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, përkatësisht nga 19.5 për qind secila. Meqenëse BERZH-i dhe IFC-ja ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG zotërohet 100 për qind nga shteti shqiptar.
Kompania
Instituti i Sigurimeve “INSIG” u krijua më 31 korrik 1991 me miratimin e ligjit nga Parlamenti Shqiptar për krijimin e Institutit të Sigurimeve, duke e ndarë atë nga Instituti i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. INSIG numëron tashmë mbi 150 mijë klientë në të gjithë vendin dhe është një ndër shoqëritë më të fuqishme në tregun e sigurimeve në kushtet e një konkurrence të plotë dhe me një shtrirje rajonale në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 2000 Instituti i Sigurimeve ka qenë institucion shtetëror. Viti 2000 do të shënonte fillimin e hapave për privatizimin e kompanisë, duke e kthyer atë në një shoqëri anonime, mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë viti 2007 ishte viti që përgatiti kompaninë në rrugën drejt privatizimit.
8 Tetor 2009