Kosovë-Kroaci, nënshkruhet marrëveshje për sigurinë
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim policor me Qeverinë e Kroacisë. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në kohën kur në Beograd u zhvillua takimi i parë mes EULEX-it dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, për gjetjen e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim policor, të nënshkruar ndërmjet këtyre dy palëve më 11 shtator. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës as kësaj radhe nuk kanë dashur të komentojnë mundësitë për përfshirjen eventuale të ekzekutivit kosovar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Kosova nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, por do të jetë pjesë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e sundimit të ligjit. “Ne kemi qenë të informuar nga EULEX-i që do të kenë takime të tilla në Beograd. Ju e dini se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë pjesë e atij aranzhimi teknik, por do të jetë pjesë aktive e luftimit të dukurive negative dhe e bashkëpunimit rajonal për cilindo që do të jetë për interesat e popujve dhe vendeve tona”, tha Kuçi.
Ministri i Brendshëm kroat, Karamarko, e cilësoi si të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe atë të sundimit të ligjit, marrë parasysh synimin e vendeve ballkanike për integrim në Bashkimin Europian.
8 Tetor 2009