E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama me plan të ri për emigrantët e paligjshëm



Blerina Olldashi

Emigrantët ilegalë në Shtetet e Bashkuara do të jenë më të privilegjuar, falë reformës së re të administratës Obama, e cila synon kushte më të mira jetese dhe punësimi. Me këtë rast bëhen të ditura hollësitë e reformës së politikave, mbi ndalimin këtyre emigrantëve. Sekretarja e Sigurimit Kombëtar, Xhanet Napolitano se Zyra e kontrollit të Emigracionit dhe Doganave, pritet të fillojë vlerësimin e hoteleve dhe objekteve të tjera të banimit, për t’i shndërruar ato në objekte për mbajtjen e emmigrantëve të paligjshëm, të cilët nuk kanë kryer vepra penale ose nuk kanë përdorur dhunë. Kjo është vetëm një nga pikat e reformës, e cila synon përmirësimin e gjendjes së këtyre personave që qëndrojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, duke menduar edhe për pakësimin e shpenzimeve që sjell strehimi i tyre. Në mjaft raste, personat e ndaluar kanë shfaqur shqetësimin për kushtet e vështira dhe ambientet e papërshtatshme ku jetojnë. Çdo vit, me mijëra emigrantë dërgohen në burgje, së bashku me të burgosur që kanë kryer vepra penale, çka përbën një rrezik të paevitueshëm. “Ky lloj sistemi do të shmangë problemet që ekzistojë prej vitesh në burgjet tona, si dhe do të lehtësojë punën e punonjësve”,- tha Napolitano. Me këtë rast, ajo shtoi se
zbatimi i ligjeve të emigracionit do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. SHBA-të janë kritikuar për mbajtjen e emigrantëve ilegalë, si dhe për tejmbushjen e këtyre burgjeve, jashtë çdo norme të lejuar. Akuza janë drejtuar ndaj qeverisë edhe në lidhje me mungesën e trajtimit mjekësor. Gjatë vitit 2008, rreth 380 000 persona ishin nën kujdestarinë e Zyrës së kontrollit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), e cila është pjesë e Departamentit të Sigurisë së Shtetit. Plani për reformën, i cili do t’i dërgohet për shqyrtim Kongresit, synon përmirësimin e kushteve të emigrantëve, si dhe evitimin e një kostoje të lartë, që në vitin 2008 shkoi 2 bilionë dollarë. Napolitano shprehet se këto hotele të kthyera në ambjente për pritjen e emigrantëve, do të kushtojnë rreth 14 dollarë në ditë, krahasuar me shifrën 100 dollarë për mbajtjen në burgje. Presidenti Barak Obama bëri të ditur se në SHBA jetojnë dhe punojnë rreth 12 milionë emigrantë ilegalë. Napolitano thotë se nismat do të përmirësojnë llogaridhënien dhe sigurinë në objektet e paraburgimit, ndërsa autoritetet vazhdojnë zbatimin efektiv të ligjeve të emigracionit. Sipas reformave të njoftuara, autoritetet do të kryejnë një vlerësim të rrezikut dhe klasifikimin e emigrantëve të paligjshëm në mënyrë që ata të mbahen në vende të përshtatshme. Autoritetet do të fillojnë t’i mbajnë imigrantët e paligjshëm jokriminelë dhe të padhunshëm në objekte të cilat u përshtaten më shumë.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›