E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, betohet kabineti i kryeministrit Papandreu



Betohet kabineti i ri i socialistëve grekë, përbërja e të cilit u shpall dy ditë më parë. Skema e re qeveritare me 14 ministri dhe 15 ministra (plus ministrit të shtetit) dhe gjithsej 36 anëtarë ka dy ministri dhe 8 anëtarë më pak se ajo e kabinetit Karamanlis. Në skemën e reduktuar 24 ministra dhe zëvendësministra janë figura të reja dhe vetëm 12 kanë përvojë të mëparshme qeveritare, kurse 9 janë gra por edhe 5 kuadro jashtëparlamentare. Zëdhënësi i deritanishëm i PASOK-ut, Jorgos Papakonstandinu mori ministrinë e Financave, ashtu si edhe bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë të kryeministrit u emëruan në postet kyçe qeveritare. Krijimi i tri ministrive të reja, i Financave, i Mjedisit-Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës, i Mbrojtjes së Qytetarit, kur ministri të tjera u shkrinë ose u riemërtuan, pasqyrojnë filozofinë por dhe tre prioritetet e kabinetit të ri qeveritar. Papandreu mbajti vetë postin e Ministrit të Jashtëm dhe që nga viti 1989 i riktheu qeverisë postin e nënkryetarit ku emëroi ish-ministrin e jashtëm Teodoros Pangallos.

Kosovë
KE-ja do të monitorojë zgjedhjet lokale

Komisioni Europian do të dërgojë një mision ekspertësh në Kosovë për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Drejtori në Drejtorinë e zgjerimit të BE-së, Majkëll Leigh, i ka dërguar një letër zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, përmes të cilës konfirmon se Komisioni Europian do të dërgojë një mision ekspertësh për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Konfirmimi vjen pas kërkesës që Qeveria e Kosovës i kishte bërë këtij komisioni në muajin korrik.

Mal i zi
Arrestohen 19 klandestinë shqiptarë dhe 2 trafikantë serbë

19 shqiptarë janë arrestuar nga rojet kufitare të Malit të Zi, teksa po përpiqeshin të kalonin ilegalisht në Itali si dhe 2 trafikantët serbë. Mediat kosovare dhe ato malazeze bënë të ditur se nga të arrestuarit, 16 prej tyre janë nga Shqipëria dhe tre nga Kosova, ndërsa dy qytetarë serbë u akuzuan për trafikim të qenieve njerëzore. Policia malazeze nuk ka bërë të ditur për mediat emrat e të arrestuarve. Ata do të dalin para drejtësisë dhe do të përgjigjen për vepren penale.

Rusi
Lavrov: Plani i ri amerikan pa rreziqe për vendin

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se plani i ri amerikan për sistemin e mbrojtjes raketore në det, nuk përbën kërcënim serioz për Rusinë, dhe se do t’u japë shtysë marrëdhënieve ruso-amerikane. Duke folur në qytetin ukrainas Harkiv, Lavrov tha se plani i ri i administratës Obama “nuk krijon rreziqe të tilla”, për të cilat Moska thoshte se dilnin nga plani i ish administratës amerikane për mburojën antiraketore në Europën Lindore. Administrata Obama tha se heq dorë nga plani në Europën Lindore dhe favorizon një sistem të lëvizshëm të bazuar në det.

Francë
24 punonjës të Telekomit vetëvrasje brenda 18 muajsh

24 punonjës të “France Telecom” kanë vrarë veten 18 muajt e fundit. Sindikatat u bënë thirrje punonjësve të shfrytëzonin grevën e përgjithshme, për të protestuar kundër kushteve të punës. Shkak mendohet të ketë qenë riorganizimi në punë, i cili përcaktoi që asnjë menaxher të mos lejohej të qëndronte më shumë se tre vjet në postin e tij. Vitet e fundit edhe punonjësit e thjeshtë janë lëvizur vazhdimisht, duke u caktuar papritur detyra të reja. Punonjësit humbisnin besimin në aftësitë e tyre, duke shfaqur gjendje stresi dhe depresioni.

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›