Pedagogët, tashmë edhe kërkimi i detyruar
Kërkimi shkencor do të përfshihet në punën e përditshme të pedagogëve, sipas ndryshimeve të fundit që po tenton të vendosë në jetë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Burime jozyrtare nga kjo ministri bënë të ditur për “standard” se është gati propozimi për përfshirjen e kërkimit shkencor të pedagogëve si një element i detyrueshëm i punës së tyre të përditshme.
Këto ndryshime kanë si synim të kthejnë universitetet publike në vend nga mësimdhënëse në mësimdhënëse dhe kërkuese, me qëllim final, harmonizimin e këtyre dy aspekteve të tyre, bëjnë të ditur burimet. Për këtë arsye, pritet të kërkohet nga universitetet publike, duke filluar nga ato me qendër në Tiranë, që të krijojnë infrastrukturën e përshtatshme për qendra kërkimore, të cilat si fillim do të marrin mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare.
Burimet bëjnë të ditur se qëllimi final është krijimi i qendrave shkencore fitimprurëse në këto universitete, sidomos në ato fusha ku ekziston kërkesa e tregut për kërkime shkencore. Si pasojë, vëmendje e veçantë pritet të vendoset në institute kërkimore për energjinë, mjekësinë dhe informatikën, për të cilat ekzistojnë financime të vazhdueshme nga Komuniteti Evropian.
Fusha e dytë që pritet të financohet ka të bëjë me kërkimet ekonomike dhe sociale, të cilat mund të gjejnë terrenin e nevojshëm brenda tregut vendas. Burimet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se drafti është tashmë gati dhe është duke u biseduar për detajet e fundit teknike për vendosjen e tij në jetë.
Përpara disa ditësh, disa prej universiteteve publike në vend kishin shprehur gatishmërinë për të zgjeruar institutet kërkimore që kanë deri tani në organikën e tyre dhe që janë atashuar në këto universitete, pas ndryshimit të organizimit të Akademisë së Shkencave. Duket se tashmë do të kenë edhe ndihmën financiare për një zgjerim të tillë.