E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akreditimi i Universitetit të Tiranës nga Këshilli Britanik



“Akreditimi i Universitetit të Tiranës do të nisë brenda këtij viti nga Këshilli Britanik i Akreditimit”, - bëri të ditur dje rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Këshilli Britanik drejtoi procesin e akreditimit edhe në Kosovë dy vite më parë, ku të gjitha universitetet private rezultuan se nuk plotësonin parametrat e duhur. Sipas rektorit Kule, procedurat do të nisin shumë shpejt, në mënyrë që të nisë procesi i akreditimit brenda këtij viti.

Kule-Watson

“Që nga dita e nesërme do të fillojnë zyrtarisht procedurat që duhet të ndiqen, me qëllim që Këshilli i Akreditimit Britanik të realizojë këtë proces thelbësor për universitetin”, - tha rektori i UT-së, Dhori Kule pas takimit me Lordin Watson, anëtar i Këshillit të Akreditimit britanik.

Lordi Watson u shpreh se procesi i akreditimit do të shtrihet në drejtimin e cilësisë së mësimdhënies, kurrikulave. "Ky proces është i ndërlikuar dhe kërkon kohë”, - shtoi ai.

Kule pohoi se UT ka mbaruar procedurat e vetëvlerësimit dhe ka marrë edhe vendimin e senatit. “Pas kësaj, në mënyrë që ne të shfrytëzojmë dhe të kemi mundësinë e operatorëve të besueshëm të huaj, e përkthyem edhe në gjuhën angleze, i propozuam dhe i kërkuam Lordit Watson që ta bëjmë këtë proces akreditimi me Këshillin Britanik të Akreditimit”, - tha rektori Kule.

Këshilli Britanik i Akreditimit, që ka një përvojë të gjatë në fushën e akreditimit, ka ndjekur një vit më parë procesin e akreditimit në universitetet në Kosovë.

Akreditimi

Akreditimi është një proces në të cilin duhet të kalojë çdo universitet. Në vendin tonë ekziston Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë, që është nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe që jep miratimin përfundimtar për dhënien e licencave në një universitet, e më pas, për njohjen e diplomave të tyre në tregun e brendshëm. Deri tani, të akredituara janë të gjitha universitetet publike dhe tri prej universiteteve private.

Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjitha universitetet publike duhet të riakreditohen nga Agjencia shtetërore e Akreditimit. Vetëm Universiteti i Tiranës ka kërkuar akreditim të huaj, në mënyrë që parametrat e përdorura gjatë këtij procesi të jenë të të njëjtit nivel me vendet e zhvilluara evropiane, ndërkohë që universitetet e tjera do të akreditohen nga agjencia shtetërore.

Në Kosovë, dy vite më parë, kur qeveria vendosi akreditimin e universiteteve private nga Këshilli Britanik i Akreditimit, asnjë prej tyre nuk mori miratimin përfundimtar, duke detyruar qeverinë e shtetit fqinj që të mbyllte të gjitha universitetet private deri në plotësimin e standardeve.

Qyteti Studenti, regjistrimi tashmë edhe me anë të internetit

Ndërsa kanë mbetur ende pak ditë nga fillimi i vitit të ri akademik 2009-2010, studentët e rinj që përdorin internetin, “kanë fatin” të shohin emrat e tyre, bujtinën e fjetjes, madje edhe dhomën ku do të sistemohen, në faqen zyrtare të internetit: qytetistudenti.com.

“Të dhënat për emrat e studentëve të rinj që do të paraqiten këtë vit, janë përgatitur 10 ditë më parë nga administratorët e bujtinave në bashkëpunim me tre inspektorë nga Drejtoria e Qytetit Studenti. Në faqen virtuale, jepen të dhënat për dokumentacionin që duhet të paraqesin studentët për strehim në këto bujtina si dhe tarifa për një vit shkollor”, - ka konfirmuar Taulant Çelmeta, specialist i Zyrës së Auditit, në Qytetin Studenti, Tiranë.

Sipas faqes zyrtare, “numri i studentëve për këtë vit do të jetë tre vetë në dhomë, ndërsa bujtinat parashikohen të mirëpresin rreth 6500 studentë”.

Një fakt tejet interesant, i konfirmuar edhe nga Çelmeta, është se “këtë vit, janë vënë në shërbim për strehimin e studenteve vajza, godinat 28-29 dhe kjo e ndodhur për arsyen se është rritur ndjeshëm numri i tyre, ndërsa është ulur numri i djemve studentë”.

Faqja zyrtare e internetit ka publikuar gjithashtu edhe numrin e telefonit celular të drejtorit të Qytetit Studenti, Bujar Brovina (0682080636), ku “studentët mund të telefonojnë për çdo pengesë strehimi apo kur ata do të vërejnë abuzime nga punonjësit e shërbimit në bujtina”.

Përpos këtyre, faqja e internetit jep informacion edhe për vendosjen për herë të parë në Qytetin Studenti e rrjetit të internetit, me tarifa të lira për studentët për 24 orë.

Gjithashtu, në mbyllje, për përgatitjet e reja që do të mirëpresin bujtinat e Qytetit Studenti, Çelmeta ka shtuar se “ka përfunduar sistemi i ri i ujësjellësit me vlerë 18 milionë lekë të reja si dhe është kryer rikonstruksioni i pjesshëm i bujtinave 20 dhe 21”.

Më 16 shtator 1957, u përurua Universiteti i Tiranës. Deri në vitin 1958 studentët kishin konviktet e tyre pranë institucioneve mësimore përkatëse. Qyteti Studenti u krijua pas ndërtimit në Sauk të Sanatoriumit, që bëri të mundur zhvendosjen e të vjetrit dhe lënien e hapësirave për ketë qytet të ri. Në atë kohë kishte vetëm 3-4 ndërtesa, një mensë, një bibliotekë që po ndërtohej dhe shumë ferra në pjerrtësinë e kodrave.

Në vitin 1967, QS numëronte gjithsej 6 fakultete, në të cilët studionin afërsisht 300 studentë konviktorë nga 3613 studentë të kohës. Në vitin 1968 filluan ndërtimet e para dhe u bë elektrifikimi i QS-së. Kështu, godinave 18, 13, 6, 5, 4 si dhe godinës së policisë (ish-komanda ushtarake) iu shtuan përkatësisht godinat 16, 17, 1, 2, 3 dhe 15. Lëvizjet e viteve 1968-1970 sollën ndryshime edhe në QS. Në vitin 1978 bëhet inaugurimi i kinoklubit “Studenti” që do të kthehej në qendër të zhvillimit të aktiviteteve të këtij institucioni.

Viti 1987 ishte viti i përfundimit të bujtinave: 7-8, 9-10, 11-12, 20-21, 22-23, 24-25, 26-27, 28-29, të cilat u ngritën me kontributin vullnetar të rretheve. Në vitin 1990, QS u përfshi nga lëvizja për demokraci, e cila kishte përfshirë tërë vendin. Sheshi qendror që u pagëzua me emrin sheshi “Demokracia”, u bë tribunë e lëvizjes. Godina 15 u bë shtëpi nismëtare për demokraci, bashkë me godinën e kinoklubit, ku studentët u futën në grevën e parë të urisë, nëpërmjet së cilës u realizuan kërkesat e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›