Mënyrat e trajtimit të kancerit në tru
Vdekja kohët e fundit e senator Ted Kennedy-t i ka bërë shumë njerëz më të vetëdijshëm për kancerin në tru, veçanërisht për atë malinj të quajtur glioma, i cili mori jetën e senatorit.
Gliomat malinje janë llojet më të shpeshta të kancerit në tru. Pak pacientë mbijetojnë, 18 muaj pas diagnostikimit me këtë lloj kanceri.
Doktor John Sampson i Universitetit “Duke” thotë se arsyeja e një prognoze të tillë është se në kancerin në tru luajnë rol shumë lloje qelizash; për shembull një qelizë reagon ndaj kimioterapisë; një tjetër ndaj rrezeve, por qeliza e tretë nuk reagon ndaj asnjë lloj trajtimi. Kjo e bën kancerin në tru mjaft të vështirë për ta trajtuar e jo më pastaj për ta kuruar.
Kohët e fundit, shkencëtarët pranë Universitetit “Duke” kanë filluar provat për një vaksinë, e cila mund të ndihmojë sistemin imunitar të trupit të godasë qelizat e kancerit në tru. Provat e deritanishme klinike kanë treguar se pacientët po mbijetojnë dy herë më gjatë sesa parashikohej. Madje, ka pacientë që duke marrë një vaksinë në muaj, kanë mundur të mbijetojnë 5 vjet me kancer në tru.
Eksperimente po bëhen edhe me barna që bllokojnë furnizimin me gjak të qelizave kanceroze dhe si rrjedhim tumoret janë zvogëluar deri në 60 për qind.
Shumë mjekë thonë se përdorimi i kombinuar i disa mënyrave trajtimesh menjëherë pas diagnostikimit do të jetë ndoshta metoda më e mirë për të luftuar kancerin në tru.
VOA
Aspirina ndihmon të prekurit nga kanceri
Që prej kohëve të lashta, njerëzit kanë përdorur barna kundër dhimbjeve dhe temperaturës. Por, shkencëtarët e kohës sonë kanë gjetur arsye të tjera për përdorimin e aspirinës. Ky ilaç ndihmon rrjedhjen e gjakut nëpër artere. Si rezultat, pacientët me rrezik për bllokim arteresh, shpesh rekomandohen nga mjeku të marrin çdo ditë një aspirinë me dozë të ulët. Dhe ndërsa studimet në fushën e aspirinës vazhdojnë, një studim i ri tregon se aspirina mund të ndihmojë edhe pacientët me kancer në zorrën e trashë.
Studimi i kryer mes 1 mijë e 300 pacientëve me këtë lloj kanceri tregoi se pacientët që morën aspirinë 325 miligramëshe të paktën 2 herë në javë ishin 30 për qind më pak në rrezik të vdisnin nga kanceri në zorrën e trashë, në krahasim me pacientët që nuk morën aspirinë. Ky studim u krye në spitalin e përgjithshëm në Masaçuset mes pacientëve që kishin mesatarisht 11 vjet që ishin diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë.
Por shkencëtarë të tjerë paralajmërojnë se përdorimi i aspirinës në doza të larta mund të shkaktojë dëme si në stomak, zorrë e tru, prandaj gjithmonë pacienti duhet të këshillohet me mjekun para se të marrë aspirinën.
Skaneri portativ
Në raste të lëndimeve në kokë, njeriu ka vetëm një alternativë, që është vizita në spital për të përcaktuar shkallën e dëmit. Por tani, me zhvillimin e një pajisjeje portative për skanimin e trurit, kjo praktikë mund të ndryshojë dhe madje në shumë raste mund të parandalojë edhe vdekjen. Aktorja britanike Natasha Richardson ndodhej në kulmin e saj si në jetë edhe në karrierë. Ajo ishte bijë e aktores së njohur Venesa Redgrave dhe bashkëshorte e aktorit me prejardhje irlandeze Liam Neeson. Por në moshën 45-vjeçare, Natasha vdiq nga një lëndim në tru, pas rrëzimit gjatë ecjes me ski.
Michael Singer është shef i qendrës “BrainScope”, pjesë e kompanisë “America on Line”. Singer thotë se një pajisje skanimi për të cilën po punon kjo firmë, mund t’i kishte shpëtuar jetën aktores, sepse do të kishte përcaktuar menjëherë shkallën e lëndimit në tru.
Aparate për skanimin e trurit sot mund të gjenden vetëm nëpër spitale. Ato janë të kushtueshme dhe kërkojnë teknikë të specializuar për përdorim. Por Singer thotë se pajisja e firmës “BrainScope”, e cila është ende në zhvillim e sipër, do të jetë portative, do të punojë me bateri dhe është shumë e thjeshtë për t’u përdorur.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përllogarit se 1,4 milionë njerëz pësojnë çdo vit lëndime traumatike në tru, por ky numër mund të jetë më i lartë, sepse shumë lëndime në tru kalojnë pa u diktuar dhe pa u diagnostikuar.
Doktor Dan Kohen thotë se numri i saktë i lëndimeve traumatike në tru vështirë të përcaktohet. Shumë njerëz pësojnë goditje a tronditje në kokë, ndiejnë trullosje për pak çaste, por kurrë nuk shikojnë tek mjeku për diagnostikim.
Doktor Kohen, ish-mjek në Pentagon, tani punon si këshilltar shëndeti. Ai thotë se diagnostikimi sa më i shpejtë i goditjeve në tru ka shumë rëndësi, sepse një tronditje sado e vogël mund të bëhet shkak për dëmtim afatgjatë të trurit.
Doktor Kohen thotë se “20 për qind e ushtarëve amerikanë në Irak e Afganistan kthehen nga lufta me shkallë të ndryshme lëndimesh në tru. Ata shpesh nuk u kushtojnë rëndësi lëndimeve të lehta, më shumë për çështje kohe, sepse për një diagnostikim duhet shkuar në spital dhe për këtë mund të duhet të shkëputesh nga puna që bën. Tani për tani nuk ka pajisje tjetër për skanimin e trurit, veç aparateve të mëdha të instaluara nëpër spitale dhe në terren, provat për të vlerësuar shkallën e lëndimeve në kokë janë, si të thuash, primitive. Pacientit i kërkohet të numërojë gishtat e dorës dhe vetëm kaq”, - thotë doktor Kohen.
Doktor Kohen thotë se është ende herët të flitet për vlerat e pajisjes së re që po zhvillon firma “BrainScope”, por kërkimet duken shpresëdhënëse. Ai e krahason pajisjen e re portative të skanimit të trurit me ato që përdoren nga ekipet mjekësore të ndihmës së shpejtë, të cilat vendosen në gjoksin e pacientit për të përcaktuar shkallën e rrezikut të ndonjë goditjeje të mundshme në zemër.
Ndërkohë, ekspertët pranë firmës “BrainScope” vazhdojnë provat. Pajisja e tyre do t’i paraqitet për shqyrtim administratës së ushqimeve dhe barnave brenda një viti.
VOA