E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kabinat e plazheve, “të uzurpuara”



Bashkia e Durrësit nga e hëna do të nisë verifikimin e të gjitha kabinave të dikurshme të plazhit publik, pasi sipas zyrtarëve të këtij institucioni, “shumica e personave që ankohen, disponojnë një ose dy shtëpi, duke synuar nxjerrjen e fitimeve me mashtrime”. Në plazhin publik në Durrës, janë ende mbi 200 ish-kabina të dikurshme që janë zaptuar prej 20 vitesh nga persona që disponojnë nga një apo më shumë shtëpi banimi ose që i kanë dhënë ato me qera.

Shumë kabina të tjera janë pushtuar prej familjeve që prej vitesh kanë emigruar jashtë shtetit dhe presin privatizimin e tyre për të përfituar sa të mundin prej këtij procesi. Të gjitha këto familje nuk e përfitojnë statusin e të pastrehut. Për këtë qëllim Bashkia e Durrësit ka vendosur që të verifikojë të gjitha kabinat e plazhit me synim verifikimin e familjeve që jetojnë atje dhe për të marrë më pas vendimet e duhura sipas ligjit. Kjo, pasi sipas vendimit të KM-së për vitin 2010 pritet të nisin ndërtimet edhe për disa pallate të reja për të pastrehët.

Nisur nga rritja e ndjeshme e numrit të popullatës në Durrës, qeveria ka prioritet të saj edhe zbutjen maksimale të problemit social të strehimit në këtë qytet. Nga ana e saj duke dashur bashkëpunimin me strukturat qeverisëse, edhe Bashkia e Durrësit ka urdhëruar ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit në plazh, që të nisë verifikim e ankimimeve nga poseduesit e ish-kabinave të plazhit, duke i kaluar në sitë ato.

Qëllimi i këtij vendimi të marrë nga bashkia është evidentimi i saktë i familjeve që vërtet janë në nevojë dhe nuk kanë asnjë mundësi strehimi si dhe i atyre familjeve që abuzojnë dhe kanë në pronësi banesa të tjera. Do të verifikohen edhe ata që kanë vite që janë larguar jashtë shtetit e mbajnë të kyçura një numër jo të pakët kabinash dhe do të jenë drejtuesit e bashkisë si dhe Këshilli Bashkiak ata që do të vendosin se si do të veprohet me ato familje. Kriteret janë: verifikimi faktik i personave që banojnë nëpër ish-kabinat , statusi që ata gëzojnë lidhur me strehimin, vitin kur kanë hyrë brenda tyre, faturat e shlyerjes së detyrimeve ndaj Komunales, KESH-it dhe Ujësjellësit.

Në plazh rezultojnë mbi 560 ish-kabina të cilat janë zaptuar në fillim të viteve ’90 nga persona të ndryshëm, madje disa prej tyre janë kthyer në objekte 2-3-katëshe, pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Durrësit për t’u kthyer pronarëve një truall në zonën e plazhit mbi të cilin gjenden disa prej ish-kabinave, ku janë strehuar po aq familje.

Kanë qenë vetë këta banorë ata që kanë deklaruar se në plazh janë 200 kabina të pushtuara nga njerëz spekulantë, të cilët disponojnë shtëpi banimi dhe i shfrytëzojnë ato për t’i dhënë me qera. Gjithashtu, ka të tjerë që mbajnë të pushtuara një numër të madh ish-kabinash dhe që prej vitesh ndodhen jashtë vendit dhe që nuk e gëzojnë statusin e të pastrehut. Kjo kategori shpreson në privatizimin e kabinave që të mund t’i shesë ato apo të hyjë në marrëveshje me firmat e ndërtimit për të përfituar sipërfaqe nga pallatet që mund të ngrihen mbi këto troje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›