E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, lë pacientët të festojnë në spital

Teksa qytetarët bënin dje pazaret, flisnin, uronin e bëheshin gati për të hapur dhuratat për festën, nuk kanë mundur dot të largojnë për një çast situatën e gripit pandemik.

Dje në mesditë ka ndodhur ajo që të gjithë shpresonin të mos ndodhte, të paktën në ditën e Krishtlindjeve.

Një 55-vjeçare, paciente kronike e shtruar dy ditë më parë në spitalin "Nënë Tereza", ka humbur jetën si pasojë e komplikacioneve nga gripi i derrit. Shërbimi i infektivit në QSUT konfirmoi dje viktimën e tetë të gripit të derrit, pacienten e cila vuante nga diabeti dhe tensioni. Ndërkohë që raste të tjera po kurohen në repartin e terapisë intensive. Veç tyre, nga dita në ditë, harta e të infektuarve nga gripi i derrit po zgjerohet edhe më shumë. Çdo ditë konfirmohen 5-6 raste, edhe pse numri i të prekurve është më i lartë. Kampionët e ekzaminimit, të cilat merren në masa të kufizuara, nuk mund të japin statistikën e plotë për të prekurit nga AH1N1. Ajo që thonë specialistët është që mendohet të jenë prekur rreth 60 mijë persona nga format e lehta të gripit.

Rastet e rënda

Aktualisht janë pesë raste të rënda, të cilat ndodhen në terapi intensive në dy qendrat spitalore universitare në kryeqytet. Konkretisht qendra spitalore "Nënë Tereza" dhe spitali universitar i sëmundjeve të mushkërive, "Shefqet Ndroqi", po trajtojnë rastet më të rënda nga i gjithë vendi.

Repartet e terapisë intensive në këto dy spitale janë të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar situatën, edhe në rast se fluksi i të prekurve në forma të rënda do të jetë i lartë. Mjekët e dy shërbimeve me punë më të madhe në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, janë të specializuar dhe të trajnuar për të përballuar çdo situatë që mund të ofrojë virusi pandemik, edhe në ditë festash.

Situata e gripit

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, këtë muaj kemi një rritje të infeksioneve respiratore krahasuar me javën paraardhëse.

"Ajo çka vihet re është se nga tetori kemi një rritje të

menjëhershme të infeksioneve respiratore, e cila flet për qarkullim intensiv të një virusi që shkakton epidemi.

Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore akute vërehet në moshat fëmijënore", thuhet në buletinin informativ të ISHP-së lidhur me situatën e gripit në vend.

Aktualisht janë mbi 370 persona të prekur nga gripi i derrit. Laboratori i virologjisë vazhdon të ekzaminojë kampione, por më së shumti në rastet e pacientëve të prekur nga gripi i formave të rënda. Monitorimi i situatës, edhe sipas direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, do të përqendrohet në kontrollin e mutacioneve që mund të pësojë virusi, apo në kombinimin e dy gripave në një.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›