Aksidentet, 360 të vdekur në 360 ditë
Një vit tragjik po mbyllet për sa u përket aksidenteve automobilistike dhe viktimave në to. Bilanci është i tmerrshëm për një vend të vogël si Shqipëria: në 360 ditë kanë humbur jetën 360 njerëz, ndërsa numri i të plagosurve rëndë është gati dyfish më i madh.
Qarqet më problematike
Tirana, qarku me përqendrimin më të madh të popullsisë dhe numrin më të madh të mjeteve në qarkullim, është edhe këtë vit në krye të listës së zezë të aksidenteve, me 76 viktima dhe 69 të plagosur. Qarku i Durrësit ka pasur gjithashtu një numër shumë të lartë aksidentesh tragjike, me 57 të vdekur. Numër të madh viktimash ka pasur edhe në rrugët e Qarkut të Fierit, ku numërohen 46 të vdekur. Në Elbasan, numri i viktimave gjatë këtij viti llogaritet në 36, ndërsa në Lezhë, ku kalon edhe një pjesë e së ashtuquajturës "Autostradë e Vdekjes", bilanci i viktimave është shtuar dje me vdekjen e dy personave, duke shkuar në 35. Numër i lartë aksidentesh të rënda kanë ndodhur në Korçë dhe Gjirokastër, ku numri i viktimave është 27. Numër relativisht viktimash ka pasur edhe në Shkodër e Vlorë, ku kanë humbur jetën në aksidente rrugore përkatësisht 23 dhe 17 persona.
Më të varfrit, më pak aksidente
Situata e aksidenteve rrugore është më pak problematike në qarqet me numër më të vogël popullsie dhe me nivel më të ulët ekonomik, si Berati, Kukësi dhe Dibra. Në Berat, gjatë këtij viti ka pasur 9 të vdekur në aksidente rrugore, në Dibër 4, ndërsa në Kukës 3. Ekspertët e policisë rrugore mendojnë se numri i ulët i aksidenteve me pasoja të rënda në rrethet e sipërpërmendura lidhet me rrugët e amortizuara, që nuk lejojnë udhëtimin me shpejtësi të lartë dhe sidomos me numrin e paktë të makinave dhe qarkullimin e rrallë në rrugë.
Dy të vdekur, vetëm dje
Një peshkatar nga fshati Tale i Lezhës ka humbur jetën tragjikisht dje, kur makina me të cilën udhëtonte u përmbys në një kanal anës rrugës. Burime nga vendi i ngjarjes njoftuan se Mark Murri, rreth 40 vjeç, humbi jetën pasi makina e tij ra në një kanal me ujë. Shoferi mendohet se ka vdekur nga mbytja, pasi nuk mundi të dilte nga makina e përmbysur, ndërsa ndihma që erdhi brenda pak minutash nuk ishte e vlefshme.
Një tjetër aksident me vdekje ndodhi dje në Tepelenë. Një emigrant ka humbur jetën paradite, në afërsi të fshatit Krahës, rreth 25 kilometra larg qytetit të Tepelenës. Automjeti tip "Honda", me targa greke, ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur për rreth 20 metra, duke përfunduar poshtë një ure dhe si pasojë ka humbur jetën drejtuesi Paulin Gjergji, 41 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues i përkohshëm në Greqi. Gjatë këtij viti, në jug të vendit, kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore 26 shtetas, si dhe janë plagosur 40 të tjerë.
Re.Re.