E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, specialistët pranojnë për herë të parë se ka pasur raste të vështira të virusit

Ulqinaku: ”Midis 16 të prekurve nuk kanë munguar dhe raste të rënda”. Shtohen dy raste të tjera me virus, mostrat dërgohen në Rumani për ekzaminime

Emanuela Sako

Për herë të parë specialistët e Shëndetit Publik pranojnë se në vendin tonë gripi i derrit është shfaqur në formën e tij të rëndë. Në këtë mënyrë janë hedhur poshtë deklaratat e bëra më parë nga specialistët, të cilët janë shprehur se të gjithë personat e prekur nga virusi e kanë kaluar pa probleme fazën, falë mjekimit me Tamiflu që u është bërë. Epidemiologu, Dritan Ulqinaku shprehet se në 16 rastet e konfirmuara ka pasur edhe forma të rënda të shfaqjes së virusit, por fatmirësisht deri më tani vendi ynë nuk ka regjistruar asnjë rast vdekjeje. Kjo deklaratë vë në lëvizje të gjithë personat që dyshojnë se janë prekur me virus të kryejnë vizitat te mjeku specialistët. Njëkohësisht, të gjithë personat që dyshohet se kanë grip duhet të marrin mjekimin në kohën e përshtatshme, në mënyrë që të shmangen vonesat kohore për marrjen e medikamentit.
Rastet
Aktualisht dyshohet edhe për dy raste të reja, të cilat ISHP i ka cilësuar të prekur nga virusi. Aktualisht mostrat e këtyre personave janë nisur drejt Rumanisë për të kryer ekzaminimet përfundimtare. Sipas buletinit epidemiologjik të ISHP-së, numri i mostrave të marra ka arritur në 400 persona në të gjithë vendin. Çka tregon se virusi i rrezikshëm ndodhet mes popullsisë dhe çdokush është i rrezikuar për t’u prekur nga ky virus. Ndërkohë që problemi i vetëm mbetet sigurimi i vaksinës. Ndonëse prej muajsh shumë shtete në botë janë prekur nga virusi A/H1N1 duket ende e largët dita e prodhimit dhe e përdorimit të vaksinës kundër këtij virusi. Dritan Ulqinaku, thotë se aktualisht vaksina është duke u testuar në grupe vullnetare nëpër botë ndërsa pritet që në muajin tetor kjo vaksinë të dalë në përdorim të gjerë. Ulqinaku tregon se kategoritë e para të cilat do të përfitojnë vaksinimin janë gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe njerëzit me probleme imunitare të organizmit të tyre.
Situata
Numri më i madh i personave të dyshuar është përqendruar në Tiranë. Megjithëse mostrat e marra janë nga të gjithë qytetet e vendit dhe sidomos në vendet që shfrytëzojnë turizmin bregdetar dhe që kanë numrin më të lartë të turistëve të huaj. Kështu, 4 rastet e fundit të konfirmuara dy ditë më parë me virusin e gripit të derrit janë nga Tirana. Dy prej këtyre personave e kanë marrë virusin jashtë vendit, pasi kanë udhëtuar në vendet e huaja. Ndërsa, 2 të tjerët e kanë marrë virusin brenda vendit. Çka e komplikon situatën dhe, pasi virusi mund të merret në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›