E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi për tokën, kriteret e shpërndarjes së parave sipas qarqeve



Ervin KOÇI

Qeveria ka planifikuar një fond prej 600 milion lekësh për ta shpenzuar si kompensim financiar për ish-pronarët deri në fund të këtij viti. Sipas Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, procesi i kompensimit financiar për ish-pronarët do të bëhet në muajin shtator, por ai do të ketë disa ndryshime nga ai i programuar vetëm pak kohë më parë. Sipas këtyre ndryshimeve, shuma financiare e parashikuar për këtë kompensim do të ketë një shpërndarje më të gjerë gjeografike, për të përfshirë sa më tepër individë dhe qarqe, duke pasur parasysh edhe çmimin e tokës sipas zonave. Kështu duke ditur që tokat në zonat bregdetare dhe në kryeqytet kanë një vlerë më të lartë në bazë edhe të çmimit sipas vlerës së tregut, AKKP-ja ka vendosur që të përfshijë më pak individë nga këto zona, duke futur në listë të tjerë që i përkasin edhe qarqeve ku toka që do të lidhet me vlerën e kompensimit, kushton më pak. Në këtë mënyrë lista e publikuar vetëm pak kohë më parë prej 520 emrash do të pësojë ndryshime me qëllim që në proces të përfshihen më tepër individë (ish-pronarë) duke llogaritur fondin e parashikuar nga buxheti. Gazeta “Albania” publikon sot kriteret e reja të këtij procesi kompensimi, për të cilin agjencitë rajonale në qarqe kanë të drejtë të verifikojnë dokumentacionin e paraqitur. Aktualisht AKKP-ja është duke u marrë me verifikimin e dosjeve që janë pjesë e garës për vitin 2009.

Kriteret e reja

Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i ligjit nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet”, - thekson vendimi i qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar. AKKP-ja hapi nga data 15 qershor deri më 14 korrik 2009 procesin e pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim financiar për subjektet e shpronësuara dhe/apo trashëgimtarët e tyre ligjore, të cilët plotësojnë kriteret dhe kushtet e parashikuara nga VKM Nr. 487, datë 06.05.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”. Sipas ligjit, ky proces i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensim vazhdoi për 30 ditë.

Verifikimet

Zyra e AKKP-së në qendër dhe zyrat rajonale, shqyrtojnë dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim në të holla. Zyra rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose AKKP-ja, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Agjencitë rajonale kërkojnë nga zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 10 ditëve të konfirmojnë vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZVRPP, si dhe verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës, apo verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit të së drejtës së parablerjes. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale, përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës, merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar, i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore si dhe shpall listën e subjekteve fituese. Më pas ajo kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë.

Përfituesit

AKKP-ja Sështë aktualisht duke u marrë me verifikimin e të gjitha dosjeve që janë paraqitur sipas aplikimeve. Specialistët e agjencisë thonë për këtë proces se, sapo procesi i verifikimit të përfundojë do të nisë kompensimi i aplikuesve që do të shpallen fitues. Sipas tyre, ende nuk mund të bëhet e ditur nëse ka të skualifikuar apo jo, pasi këto janë të dhëna që do të bëhen publike në fund të verifikimit të plotë të të gjitha dosjeve. Numri i përfituesve do të varet nga data e vendimeve të dhëna nga Agjencia e Pronave dhe nga vendndodhja e pronave që kërkohet të kompensohet. Sa më shumë aplikime të jenë nga Tirana, aq më pak përfitues do të ketë, sepse gjithçka varet nga çmimi i tokës. “Nëse sipërfaqet që do të kompensohen do të kenë çmim të lartë, atëherë numri i përfituesve do të jetë i ulët”, bërë të ditur drejtues të AKKP-së.

Sa është çmimi i tokave për metër katror të truallit në zonat bregdetare

Vetëm pak muaj më parë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave miratoi tabelën e çmimit të tokave në zona të ndryshme bregdetare të vendit. Ajo që vihet re në këtë tabelë është çmimi i lartë i tokës për metër katror, e krahasueshme ky çmim me zonat urbane të qyteteve të rëndësishme të vendit. Por, çmimi i tokave në bregdet është i ndryshëm në bazë të largësisë së truallit nga deti. Kështu, sa më afër detit, aq më i shtrenjtë është çmimi i truallit dhe sa më larg detit, aq më i lirë është ky çmim. Po ashtu, vërehet dhe një diferencë mes çmimeve të publikuara nga Agjencia Shtetërore e Kthimit dhe Kompensimi të Pronës dhe çmimeve të tregut që publikohen nga agjencitë imobiliare. Nga një vëzhgim i njoftimeve bie në sy se çmimi real me të cilin funksionon tregtia e truallit në zonat bregdetare është disa herë më i lartë sesa çmimi që ofrojnë ekspertët shtetërorë. Kjo është në favor të banorëve që kanë ndërtuar vila në bregdet dhe në bazë të projektligjit të ri që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria, duke paguar truallin në bazë të çmimit të tregut që u referohet çmimeve të miratuara nga qeveria, ata bëhen pronarë të ligjshëm të këtyre objekteve të ndërtuara pa leje. Nga tabela e hartuar nga ekspertë të AKKP-së çmimin më të lartë të truallit e ka zona e Gjirit të Durrësit me 37 262 lekë për metër katror. Më pas vijnë zona të tjera, si Golemi me 17158 lekë/m2, Karpeni me 14117 lekë/m2, Spilleja me 11075 lekë/m2, Gjiri i Lalëzit me 13866 lekë/m2, Shëngjini me 25510 lekë/m2. Çmime të larta gëzojnë dhe tokat përreth liqenit të Pogradecit me çmimin maksimal prej 27 177 lekësh/m2 dhe çmimin minimal prej 22 000 lekësh/m2. Pra edhe këtu funksionon parimi; sa më afër bregut, aq më i shtrenjtë është çmimi i truallit. Një tjetër zonë bregdetare me çmime të larta për metër katror është ajo përreth liqenit të Shkodrës. Çmimi maksimal i tokave përreth liqenit të Shkodrës është 31 753 lekë/m2, ndërsa çmimi minimal është 13 429 lekë/m2. Çmimi i trojeve në Velipojë është 1 286 lekë/m2. Më pas çmimet vijnë duke u ulur në zona të tilla si Gjiri i Rodonit (Laç) me 4 904 lekë/m2, Gjiri në lumin Mat me 4 904 lekë/m2, bregu i liqenit me 21 564 lekë/m2. Për sa u përket zonave bregdetare të Jugut çmimet duket se janë më të ulëta se çmimet në zonat bregdetare që lagen nga deti Adriatik. Në zonën bregdetare të fshatrave të Jugut duket se çmimin më të lartë e kanë tokat në Orikum me 17 867 lekë/m2. Më pas vjen Dhërmiu me 2 281 lekë/m2, Palasa me 1 729 lekë/m2, Piluri me 671 lekë/m2, Radhima me 2 143 lekë/m2, Zvërneci me 1 617 lekë/m2, Delvina me 1 191 lekë/m2 dhe Ksamili me 3 686 lekë/m2. Burimet nga AKKP-ja bëjnë të ditur se çmimet e ulëta të këtyre fshatrave janë për pasojë të mungesës së një plani urbanistik për shkak të largësisë nga zonat e zhvilluara urbane.

Çmimet e tokave sipas AKKP-së

Dhërmi: 2 281 lekë/m2
Palasë: 1 729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17 867 lekë/m2
Radhimë: 2 143 lekë/m2
Zvërnec: 1 617 lekë/m2
Delvinë: 1 191 lekë/m2
Ksamil: 3 686 lekë/m2

Në Shkodër
Çmimi maks.: 31 753 lekë/m2
Çmimi min.: 13 429 lekë/m2
Velipojë: 1 286 lekë/m2

Pogradec
Çmimi maks.: 2 7177 lekë/m2
Çmimi min.: 22 000 lekë/m2

Golemi 17 158 lekë/m2
Karpeni 14 117 lekë/m2
Spilleja 11 075 lekë/m2
Gjiri i Durrësit 37 262 lekë/m2
Gjiri i Lalëzit 13 866 lekë/m2
Shëngjini 25 510 lekë/m2
Gjiri i Rodonit - Laç 4 904 lekë/m2
Gjiri në lumin Mat 4 904 lekë/m2
Bregu i liqenit 21 564 lekë/m2

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›