E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP, rastet kur duhet të merret mjekimi me medikamente



Specialistët apelojnë për t’u drejtuar tek mjekët, për të gjithë ata persona që vënë re simptomat e para, të ngjashme me virusin gripal. Kjo do të mundësonte shmangien e përhapjes së virusit dhe do të mundësonte kurimin e menjëhershëm brenda afateve të caktuara. Në rast se Tamifluja nuk përdoret brenda afateve të caktuara, ajo nuk mund të japë efekt tek pacientët. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48-orëshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit. Ndërsa, lidhur me efektin shërues të ilaçit, pohojnë se arrin deri në 98 për qind të shkatërrimit të virusit. Por përdorimi i këtij mjekimi që rezulton si shkatërrues i sëmundjes, rrezikon të japë efektet e tij kuruese për shkak të vonesave në kthimin e përgjigjeve të sakta të analizave. Në buletinin e ISHP-së, specialistët sqarojnë qartazi se cilët persona mund të quhen të prekur nga virusi i gripit. ISHP shprehet se raste të konfirmuara janë ato të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1) në laboratorin e referencës për Europën Juglindore në Rumani. Raste të dyshimta janë të gjitha rastet që plotësojnë përkufizimin e rastit. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Sipas ISHP-së, të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me virusin e Gripit A trajtohen njësoj si A(H1N1) nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për qytetarët që të mos shqetësohen, por dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e mjekëve. Ata vënë theksin tek respektimi i rregullave të higjienës personale dhe në rast të shfaqjes së shenjave gripale, qytetarët duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku. Për informimin e popullatës mbi simptomat dhe mënyrën e sjelljes në rast të prekjes nga ky virus, ISHP ka marrë masa me shpërndarjen e posterave të ndryshëm, fletëpalosje, si dhe përgatitjen e spoteve televizive.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›