E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, vdes 55-vjeçarja, i sëmurë edhe burri i saj

Autori i Lajmit: E.D

Shënohet viktima e dhjetë nga gripi i derrit në Shqipëri, një 55-vjeçare nga Fieri, e cila vuante nga obeziteti. Gruaja ka humbur jetën në të gdhirë të ditës së djeshme (datë 5 janar) dhe shënon rastin e 10-të gripit të derrit. Mësohet se 55-vjeçarja nga Fieri, vuante edhe nga hipertensioni arterial. Ajo ishte shtruar prej disa ditësh në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi rezultonte në gjendje të rëndë shëndetësore, por duket se trupi i saj nuk ka mundur të luftojë virusin vdekjeprurës. Ndërkaq, mësohet se i prekur nga virusi AH1N1 rezulton të jetë edhe bashkëshorti i 55-vjeçares, por mjekët pohojnë se ky i fundit është mjekuar dhe nuk shfaq rrezik për jetën. Vdekja e gruas nga Fieri pason atë të fundit nga gripi i derrit në vendin tonë, pas një gruaje të re shtatzanë e cila priste të sillte në jetë dy binjakë.

10 viktimat në Shqipëri

Rasti i parë
Një burrë i moshës 57-vjeçare nga Sukthi i Durrësit humbi jetën më 3 dhjetor pas prekjes me AH1N1. Viktima vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të agravuar, megjithatë shkaku i vdekjes së tij ka qenë infeksioni me virusin A H1N1.

Rasti i dytë
Ishte një 47-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga patologji të tjera. Gruaja humbi jetën ditën e shtunë dhe vuante prej kohësh nga hipertensioni në mushkëri dhe obeziteti.

Rasti i tretë
Bëhet fjalë për një 53-vjeçar me iniciale R.SH., që ndodhej prej datës 6 dhjetor në spitalin e Shkodrës dhe po kurohej nga gripi vdekjeprurës. Burri 53-vjeçar humbi jetën dhe mjekët thanë se vdekja është shkaktuar nga virusi A/H1N1. Mësohet se pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale.

Rasti i katërt
Mbrëmjen e së shtunës është shënuar viktima e katërt në Shqipëri që humbi jetën nga gripi i derrit. Ai ishte 30 vjeç nga qyteti i Vlorës, dhe sapo ishte kthyer nga emigracioni. I riu ishte trajtuar vetëm në shtëpi me antibiotikë, ndërsa ditët e fundit ishte shtruar në spital për shkak se nuk kishte pasur përmirësime. Ai ishte shtruar në gjendje të rëndë në Senatoriumin e Tiranës, ku edhe ndërroi jetë.

Rasi i pestë
Një vajzë 18-vjeçare nga Kuçova. Vdekja e saj ndoshta ishte më tragjikja deri më tani, duke qenë se e reja ishte edhe 8-muajshe shtatzënë. Mjekët thanë se ndryshe nga katër rastet e tjera, vajza nuk vuante nga sëmundje kronike. Por ajo pati një infeksion nga gripi, i cili tek kjo grua e re nuk u përballua dot me gjithë ndërhyrjen e specializuar.

Rasti i gjashtë

Një grua nga Kukësi është viktima e gjashtë e virusit AH1N1. Gruaja ishte shtruar në spitalin infektiv në Tiranë dhe ndodhej në gjendje të rëndë në reaminacion. Mjekët thanë se ajo vuante nga disa sëmundje, si tuberkulozi dhe kardiopati kronike.

Rasti i shtatë
Viktima e shtatë nga virusi A/H1N1 ishte një 25-vjeçar tetraplegjik nga qyteti i Korçës, i cili prej disa ditësh ishte prekur nga gripi i derrit.

Rasti i tetë
Ndodhi dje kur humbi jetën një grua nga Tirana e moshës 55-vjeçare, e cila vuante nga diabeti dhe hipertensioni. Mjekët thanë se gruaja mund të kishte shpëtuar, nëse nuk do të kishte vonuar shtrimi i saj në spital.

Rasti i 9-të
Ishte ai i një gruaje të re 25 vjeçare e cila fatkeqësisht priste të sillte në jetë edhe dy fëmijë binjakë. Gruaja shtatzënë humbi jetën pas qëndrimit prej mëse një jave në spital në gjendje kritike për jetën.

Rasti i 10-të
U shënua në të gdhirë të datës 5 janar (rasti i parë për 2010). Viktima ishte një grua 55-vjeçare nga qyteti i Fierit. Mjekët konfirmuan se pacientja vuante nga obeziteti dhe hipertensioni arterial.

Ky lajm është publikuar: 07/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›