Kule: ”MND do të zëvendësohen me mastera profesionalë”
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë për vitin 2010 janë komentuar dje edhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas tij, Institucionet e Arsimit të Lartë për vitin 2010 do të aplikojnë një skemë të re financimi për të ardhurat e universiteteve. Kjo do të thotë se krahas buxhetit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, universitetet do të kenë mundësi që të ardhurat e tyre ti menaxhojnë vetë si për pagat e personelit, ashtu edhe për stimujt përkatës sipas projekteve të caktuara.
MND
Një ndryshim tjetër gjatë vitit 2010 pritet dhe për masterat e nivelit të dytë. Lidhur me këtë, rektori Kule thotë se ato do të hiqen dhe do të zëvendësohen me mastera profesionalë dhe shkencorë. E njëjta gjë u shpjegua edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në konferencën e fundit për shtyp për vitin 2009. Ndërsa u fol për reformat e reja në arsim për vitin 2010, Tafaj theksoi se nuk do të ketë Master të Nivelit të Dytë. Ministri i Arsimit tha se ndryshime do të kenë disa nene të ligjit të arsimit të lartë që lidhen me titujt e diplomave. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi Bachelor, Master dhe Doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim masterin e nivelit të dytë. Është një nivel, i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë. Krahas sistemit të Bolonjës do të ketë disa mastera që nuk do mbivendosen, por do të jenë kualifikues për tiu përgjigjur tregut të punës, ndërsa ai që do të çojë në doktoratrurë do të jetë master magjistër”, - ka shpjeguar Tafaj.
Kampusi universitar
Në premtimet për 2010-ën dje, rektori Kule ka folur edhe për fillimin e punimeve për kampusin e ri universitar, i cili do të përfshijë disa fakultete brenda një godine, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemin e akomodimit të studentëve.
Akreditimi
Akreditimi i universiteteve publike dhe private pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm, ku agjencia gjermane do të ketë bërë klasifikimin e diplomave të studentëve. Faza e parë e këtij procesi ka një kosto prej 250 mijë dollarësh dhe është mbështetur nga Banka Botërore. Nuk do të jenë vetëm universitetet që do të përfshihen në një fazë akreditimi, por edhe të gjitha shkollat e mesme, të cilat do të vlerësohen në bazë të sistemit të Pizës.
Braktisja e shkollës
Duke iu përgjigjur interesit të mediave mbi strategjinë që do të ndiqet për arritjen e braktisjes zero të shkollave, Tafaj u shpreh se ka gati planin e veprimit. "Që nga ky vit, investimet do të përqendrohen në ndërtime të reja, në transportin e nxënësve dhe stimulimin e mësuesve, pasi kjo është mënyra e vetme për të arritur braktisjen zero."
Alterteksti
Po ashtu, ministri i Arsimit u shpreh dhe në lidhje me ndryshimin në kurrikula për vitin akademik që vjen, sipas tij, prioritet do të kenë autorët e teksteve dhe jo shtëpitë botuese siç edhe ishte këtë vit, e për pasojë u hasën jo pak gabime në tekste.
Arsimi i detyruar
Ndërsa për sa i përket arsimit të mesëm, ai do të bëhet i detyruar vetëm pas vitit 2013. Kështu ka deklaruar kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, në një konferencë përmbyllëse të vitit 2009. Sipas tij, gjatë këtyre viteve duhet të studiohen kapacitetet, si nga ambientet po ashtu dhe nga burimet njerëzore. Tafaj u shpreh se do të ndiqen edhe modelet që kanë vendet e rajonit. “Deri në vitin 2013 detyra jonë është të përgatisim kapacitetet. Pastaj do të shohim si do të reagojë publiku shqiptar. A do të jetë gati publiku shqiptar që të merret ky vendim politik që nuk do të jetë një vendim i lehtë, por një vendim i rëndësishëm dhe shumë afatgjatë”, - tha Tafaj.
Bursa studimi Master në Britani, afati deri më 13 janar
Në kuadër të Programit të Bursave “CHEVENING”, ambasada britanike në Tiranë njofton se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ofron bursa të plota për programe studimi Master në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar, për vitin akademik 2010-2011. Këto bursa ofrohen për të gjithë ata kandidatë, të cilët aktualisht punojnë në fusha prioritare strategjike në Shqipëri dhe që, mbas përfundimit të studimeve, janë të gatshëm që njohuritë e fituara ti zbatojnë në vendin e tyre. Bursa financohet nga shteti britanik dhe administrohet nga British Counsil. Ato mbulojnë të gjitha shpenzimet e shkollimit, udhëtimit dhe të akomodimit. Programet e studimit për master jepen sipas fushave të mëposhtme: Ekonomik; Financë; Kontabilitet; Administrim - biznes; Komunikacion; Studime në fushën e mbrojtjes; Gazetari; Studime për Integrimin Evropian; Drejtësi; Marrëdhënie Ndërkombëtare; Shkenca Politike; Administratë publike. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, referojuni adresës së mëposhtme të internetit: https://www.chevening.fco.gov.uk/CheveningApplications/CA_Start.aspx#* Afati i fundit për plotësimin e aplikimit on-line është data 13 janar 2010, ora 17:00.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010