Protestat, opozita vendos sot për axhendën
Autori i Lajmit: S. Topi
Krerët e opozitës shqiptare mblidhen sot, për herë të parë për vitin 2010, për të përcaktuar axhendën e mëtejshme të reagimit opozitar. Në takimin që pritet të zhvillohet sot pasdite pritet të jenë të pranishëm kryetarët e të gjitha partive opozitare që nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kryetari i Partisë G99, Erjon Veliaj, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Nard Ndoka por dhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Burime nga partitë opozitare pohojnë se ky takim tregon më së miri se opozita është e bashkuar në qëndrimin e saj duke hedhur poshtë dhe aludimet e bëra për përplasje brenda radhëve të saj.
Axhenda
Protestat pritet të jenë në qendër të diskutime të sotme mes krerëve të majtë. Burimet nga partitë opozitare pohojnë se opozita e bashkuar do të vijojë protestat në të gjithë vendin në kërkim të transparencës së zgjedhjeve pra hapjes së kutive ose largimit të Berishës nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Ky konfirmim është bërë pak ditë më parë dhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij nuk ka mazhorancë që pranon ose jo një gjë ose një tjetër, po ka vetëm një njeri që dikton rrugën dhe përcakton fatin e forcës që sot qeveris mbi kutitë e mbyllura forcërisht, Sali Berisha. “Prandaj le ta adresojmë aty ku duhet përgjegjësinë për mbajtjen me pahir mbyllur të kutive votimit dhe, për pasojë, për mbajtjen me pahir jashtë Parlamentit të deputetëve të opozitës. Cili kryeministër, i dalë nga zgjedhje të pacenuara në përmbajtjen e rezultatit të tyre, do të mbante mbyllur kutitë dhe do ta linte opozitën jashtë Parlamentit, duke refuzuar hetimin parlamentar e transparencën e zgjedhjeve në kushtet e një krize të frikshme si kjo që po kalon vendi? Asnjë në botë! Flas për botën demokratike sigurisht. Madje përkundrazi, një kryeministër që nuk ka ndotur zgjedhjet duke përmbysur rezultatin dhe duhet, njëkohësisht, të përballet me rrëshqitjen e pandalshme të ekonomisë në të tatëpjetën e një krize shumë-përmasore, është njeriu më i interesuar për të ndërtuar një proces politik konsensual jo një proces konflikti permanent me opozitën, një dialog politik të hapur, të barabartë, të thellë për problemet e vendit me të gjitha palët jo një monolog agresiv plot kërcënime e shantazh për çdo palë jashtë oborrit të vet, një bashkëjetesë qytetare jo shpellare me kundërshtarin”, - ka pohuar ai. Rama ka shtuar se Sali Berisha për fat të keq ka përmbysur rezultatin e zgjedhjeve duke i rënë ndesh vullnetit të popullit dhe prandaj s’ka kurajë të hapë kutitë. “Prandaj ka zgjedhur ndeshjen me forcë jo forcën e arsyes në ballafaqimin me opozitën. Ne jemi gati ta përballojmë e ta fitojmë sfidën edhe në terrenin që ai ka zgjedhur. Sigurisht do të parapëlqenim dialogun pa kushte, por s’ka kusht e forcë që na zmbraps në rrugën tonë të drejtë e të ndershme, jo më një grabitës votash që krekoset si gjel majë plehut mbi kutitë ku mban mbyllur forcërisht të vërtetën e hidhur të pushtetit të tij”, - ka vijuar më tej kreu i PS-së. Pas mbylljes së protestës 3-ditore më 20 nëntor PS u rikthye përsëri në rrugë por këtë herë më një thirrje të re për Berishën, “hap kutitë ose largohu” dhe me një mënyrë të re reagimi opozitar, nëpërmjet protestave të vogla në mbështetje të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Kjo zgjati pak ditë. Javën e dytë të dhjetorit ajo vijoi protestat në gjithë vendin për ti mbyllur ato në 21 dhjetor me premtimin se do tu rikthehej përsëri në janar.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010