A/H1N1, vendi ynë rrezikon marrjen e vaksinës kundër gripit
Autoritet shëndetësore shpeshherë kanë bërë të ditur se do të sigurohet vaksina për disa kategori, por duket se nga kërkesat e mëdha që kanë të gjithë vendet e botës dhe mungesa e fondeve, do të ndodhë e kundërta. Megjithëse numri i të prekurve nga virusi A/H1N1 në vendin tonë pritet të rritet më shumë në fillim të stinës së vjeshtës, Shqipëria rrezikon të mos sigurojë vaksinën për të cilën shumë vende të botës kanë nisur të lidhin kontratat me firmat farmaceutike që po e prodhojnë atë. “Ne gjithmonë presim uljen e temperaturave dhe presim një shtim të numrit të rasteve në muajt në vijim. Për këtë po japim këshilla për të instruktuar opinionin publik dhe mjekët në radhë të parë”,- shprehet Dritan Ulqinaku. Deri më tani nuk ka fonde të akorduara posaçërisht për vaksinën ndaj gripit të derrit dhe për më tepër Shqipëria nuk përfiton fonde nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi të ardhurat për frymë në vendin tonë përllogariten të jenë mbi 1000 dollarë. Deri më tani është gati një plan për grupet e riskut që do të vaksinohen në fazën e parë, por nuk ka asgjë konkrete për sigurimin e kësaj vaksine. Si fillim është përcaktuar të vaksinohen të parat gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, kardiovaskulare, diabet etj, punonjës të shëndetësisë, punonjës që punojnë në institucione të rëndësishme dhe fëmijët. Në fazën e parë janë menduar të vaksinohen gjithsej rreth 300 mijë persona për të cilët kërkohet një fond prej 3 milionë dollarë dhe nga këto janë siguruar vetëm 400 mijë dollarë nga një projekt i Bankës Botërore. Specialistët në Institutin e Shëndetit Publik po analizojnë çdo ditë mostra të reja të dyshuara dhe po japin këshillat për të qenë të përgatitur për sezonin vjeshtës. “Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara shkon në 16. Grupmosha më e prekur është 25-30 vjeç që është edhe mosha më aktive dhe më e prekura në të gjithë botën. Ne analizojmë deri në nivelin e gripit A dhe për konfirmim i çojmë në institucione të tjera”,- tha Ulqinaku. Salla e reanimacionit në Spitalin Infektiv duket se nuk do të jetë gati as në muajin shtator kur pritet të ketë rritje të numrit të të prekurve nga virusi A/H1N1. Qendra më e madhe spitalore universitare nuk ka fonde për të krijuar dhomat e oksigjenimit në Spitalin Infektiv, për rastet që mund të shfaqen me simptoma të rënda e do të trajtohen në spital në periudhën e gripit të zakonshëm. Për shkak të punimeve tepër të ngadalta edhe laboratori i virologjisë, pranë ISHP-së nuk përfundon në afatin e caktuar, prandaj do të duhet që mostrat e dyshuara të dërgohen për t’u analizuar në Bukuresht dhe rastet me grip konfirmohen atëherë kur pacientët e prekur janë shëruar.
19 Gusht 2009