PD kundërshton socialistët: “PS dënon dhënien e tokës falas për fermerët”
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Demokratike komentoi dje kundërshtitë e opozitës lidhur me ligjin e propozuar nga qeveria për ish-fermat shtetërore në jug. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se nga ky ligj përfitojnë mbi 10.000 familje të ish-fermave shtetërore nga Veriu në Jug të Shqipërisë, kurse evidentoi se në konferencën e shtypit opozita dënoi dhënien falas të tokës këtyre fermerëve në masën 300 deri në 700 metër katrorë. “Sot Edvin Kristaq Rama, njeriu që 3 javë më parë derdhte lot për fermerët e Orikumit, nxori zëdhënësin e tij të radhës për të kundërshtuar ligjin, nga i cili përfitojnë mbi 10.000 familje të ish-fermave shtetërore nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë. Në konferencën e shtypit Rama dënoi dhënien falas të tokës këtyre fermerëve në masën 300 deri në 700 metra katror. Njeriu që do të shkonte të protestonte në Orikum pse nuk u jepej toka fermerëve, tani denoncon vetëm për qëllime politike ligjin, i cili realizon një premtim elektoral të mazhorancës. Me këtë rast ne duam ti shtrojmë një pyetje z. Edvin Kristaq Rama dhe çunave të bllokut që ai udhëheq: çfarë dallimi kanë këto 10.000 familje fermerësh shqiptarë nga 460.000 familje të tjera të cilat morën falas tokën në përputhje me ligjin 7501?” - tha ajo. Kuvendi miratoi në seancën e fundit plenare për këtë vit ligjin Për disa ndryshime në ligjin e vitit 1995, për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore. Qëllimi i këtij ligji është kompensimi në troje i përdoruesve të tokave bujqësore, që i disponojnë këto në përdorim, por që përfshiheshin në zonën turistike të përcaktuar, si me përparësi për zhvillimin e tyre, sipas vendimit të vitit 1993 të Qeverisë. Në variantin e sjellë nga Qeveria, propozohej që nga 1500 m2 që përfitonin familjet me 6 persona, merrnin 500 m2 maksimumi. Por me ndryshimet e bëra në Komisionin e ligjeve masa e kompensimit u bë 750 m2. Drafti i Qeverisë ishte paraqitur rreth dy vite më parë nga Qeveria, por nuk u miratua në seancën e Kuvendit, pasi kundër tij ishte Partia Republikane.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009