E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1,hapet sot laboratori, përgjigjet brenda 5 orësh

TIRANE- Mostrat e dyshuara për gripin e derrit nuk do të presin disa ditë për përgjigje, por do të merren në kohë rekord. Që sot, kampionet do të analizohen në një laborator të ri, i cili do të nisë nga puna në Institutin e Shëndetit Publik. Përgjigjet e analizave nuk do të zgjasin më disa ditë, por brenda 5 orësh do të zbardhen dyshimet.

Laboratori që do të përurohet sot nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe është ndërtuar falë mbështetjes së Bankës Botërore.

“Në këtë laborator bëhet një studim i gjenomit të virusit dhe llojit të tij, duke dhënë një përgjigje të saktë të analizave brenda 5 orësh", - deklaroi shefi i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Në këtë mënyrë, rastet e identifikuara si pozitive me virusin A/H1N1 do të mund të marrin ndihmën mjekësore për t'u trajtuar në kohë, pa pritur rezultatet dhe nisjen e mjekimit të pacientit.

Me fillimin e muajit nëntor, vendi ynë regjistroi 9 raste të reja të prekura nga virusi i gripit të derrit. Instituti i Shëndetit Publik ka raportuar se numri zyrtar i të infektuarve deri tani arrin në 44, por situata është pozitive për faktin se të gjitha rastet janë shëruar. Sipas autoriteteve të Shëndetësisë, deri tani kanë qenë të dyshuara 978 raste, analiza të cilat janë kryer në ISHP për të parë nëse pacientët janë bartës të gripit A, por vetëm 9 prej tyre rezultuan pozitivë. Në kuadër të masave të parandalimit të përhapjes së virusit, ka mbërritur në ISHP një sasi e re preparati antiviral Tamiflu që mjafton për të trajtuar 10.000 raste. Kjo sasi pritet të shpërndahet në të gjithë vendin, me qëllim vaksinimin e personelit mjekësor që do të ketë kontakte direkte me personat e infektuar nga virusi i gripit të derrit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›