E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, Milani triumf në shtëpinë e Lacios

Seria A ka luajtur ndeshjet e tjera të javës së 12-të, ku ajo që bie menjëherë në sy është fitorja e Milanit në transfertë kundër Lacios. Kuqezinjtë duken ekipi më në formë i Serisë A, duke ruajtur hapin e Juventusit dhe duke qëndruar në zonën e Ligës së Kampioneve. Ndeshja e “Olimpikos” ka nisur në mënyrën më të mirë për miqtë, me Tiago Silvën që realizoi pas 21 minutash, ndërkohë që më pas ishte Aleksandre Pato ai që dyfishoi. Tiago Silva më pas shënoi një autogol në portën e tij, por kjo nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar. “Kishim një ndeshje të vështirë, por që e përballuam në mënyrën e duhur. Luajmë pak a shumë si Brazili i Tele Santanës dhe tani besojmë më shumë te titulli”, shtoi tekniku brazilian i kuqezinjve. Në takimet e tjera, Xhenoa arriti të fitonte 4-2 kundër Sienës, duke shënuar 3 gola që në pjesën e parë. Ndërkohë Fiorentina mori një fitore mjaft të vështirë në fushën e Udinezes, falë një goli të Vargas 6 minuta para përfundimit. Parma mundi Kievon 2-0, ndërsa me të njëjtin rezultat Kaljari fitoi me Sampdorian.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›