E Shtunë, 31 Tetor 2026

AHMET LEPENICA, KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I TRUPAVE KOMBËTARE NË LUFTËN E VLORËS MË 1920

90-vjetori i Luftës së Vlorës

Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishe shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishe ushtar.

Në juglindje të Vlorës, buzë lumit të Shushicës, shtrihet fshati i bukur i Lepenicës.
Njëra prej nëntë pikturave prehistorike të Europës, datuar 3600 vjet p. e. s., gjendet në Shpellën e Shkruar të Lepenicës, dëshmi e autoktonisë së banorëve të saj dhe atyre përreth.
Këtu më 1872 lindi Ahmet Islam Canaj, që në histori ka për të hyrë me emrin Ahmet Lepenica.
Ahmeti shërbeu si ushtar dhe oficer në Perandorisë Osmane dhe për zotësi dhe vleftë trimërie mori gradën kapiten, por për këtë periudhë na mungojnë të dhënat.

Që nga viti 1912 deri në dhjetor të vitit 1924, ky Bir i Madh i Vlorës do të luajë një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike që përcaktonin fatin e Shqipërisë.

1 – Lufta për mbrojtjen dhe konsolidimin e Pavarësisë

“Më 1912 kur u ngrit flamuri në Vlorë u arratis prej trupave turke dhe ka mbet kurdoherë në

Gjindarmëri”, shkruhet në fletanketën e tij.
Në këtë kohë, trupit të drobitur të Shqipërisë iu vërsulën armiq të shumtë, serbët nga Veriu, grekët

nga Jugu dhe nga deti, esadistët nga brenda, mbeturinat e ushtrisë së Xhavit Turgut Pashës, nga Fieri dhe Berati. Mjaftonte vetëm që mbeturinat e ushtrisë turke të dilnin në limanin e Vlorës për në Turqi dhe qeveria e Vlorës do të rrafshohej përtokë dhe kështu Pavarësia e Shqipërisë që porsa kish lindur, do të merrte fund.

Por janë dy heronj, Isa Boletini, që gjendej në Vlorë me 400 ushtarë të tij dhe Ahmet Lepenica që e kuptojnë rrezikun që i kanosej pavarësisë. Ata i dolën përpara në Vjosë mbeturinave të ushtrisë turke të gjeneralit të tmerrshëm Xhavit Turgut Pashës dhe e detyruan atë të kthehej mbrapa dhe të nisej për në vendin e tij nga limani i Semanit.

“Asnjë shërbim tjetër të mos i kishte bërë Atdheut Isa Boletini me kosovarët e tij trima, kjo trimëri e tij do të ishte e mjaftueshme t’i siguronte një vënd të nderuar në historinë e Shqipërisë...”,
thotë Skënder Luarasi, biografi i Isa Boletinit.

Në prill të vitit 1913, Ismail Qemali dërgoi në Lushnjë dy burra të zgjedhur: Qazim Kokoshin, firmëtarin e aktit të pavarësisë, prefekt dhe major Ahmet Lepenicën, komandant të xhandarmërisë në krye të 100 xhandarëve dhe nëpunësve të administratës.

“Duke mburrur me të drejtë qeveritarët e Lushnjës dhe Libofshës, detyrë e quajmë të përhirojmë dhe komandantin e gjindërmarisë të Lushnjës, z. Ahmet Lepenica, se është treguar vërtet një ushtar i detyrës në një kohë kur kusaria e vjedhja kishin mbytur Myzeqenë”., shkruan shtypi kohës.
Në vitin 1914, nuk mjaftuan ujqërit e jashtëm, por Shqipërisë ju vërsulën edhe çakejtë e brendshëm, rebelët esadistë me devizën “Dum babën” e me flamurin turk në krye, duke shkelur me këmbë flamurin e kombit shqiptar. Kjo bandë çakejsh, antishqiptare, e mbyti në gjak vendin tonë. Zëri i atdheut e thirri edhe kësaj here trimin dhe shqiptarin Ahmet Lepenica për të treguar se shpirti shqiptar rronte dhe do të triumfonte. Në fletanketën e tij shënohet se: “Asht gradue major më 1914, me urdhën extra, prej një komisioni të posaçëm në përpjekje me rebela në Vjosë”.

2 - Lufta për çlirimin e krahinave të Jugut të Shqipërisë prej pushtuesve grekë

Kur qeveria e Athinës krijoi të ashtuquajturën Lëvizje të Epirit të Veriut dhe “palikarët grekë” shkelën vendin tonë, duke djegur e therur gra dhe fëmijë, major Ahmet Lepenica u ngarkua të organizonte qëndresën e popullit, të çlironte krahinat e pushtuara, t’i merrte ato në dorëzim dhe t’i bashkonte me tokën mëmë, duke ngritur atje flamurin shqiptar, gjindërmarinë dhe administratën shqiptare.
Gjatë vitit 1914, Ahmet Lepenica u ndodh atje ku ishte rreziku më i madh, atje ku kërkohej guximi, trimëria dhe jeta e njeriut.

Qeveria dërgoi në Jug një kompani prej 120 vetësh dhe vuri në dispozicion të major Ahmet Lepenicës edhe 4OO “djemtë” e Isa Boletinit. Me këto forca Ahmeti çliroi Leskovikun, Kolonjën, Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin etj.

“Vullnetarët kosovarë të shpërndarë aty këtu në grupe të vogëla, ndihmuan edhe në Jug të Shqipërisë. Këta djem trima të Veriut, i pashë me sytë e mi të parën herë, në kompaninë e major Ahmet Lepenicës dhe në togën e Abas Taushanit e të Faslli Kurtit, kur erdhën në Kolonjë dhe çliruan fshatin tonë nga andartët grekë, në prill 1914. Ata niseshin në luftë duke kënduar marshin e Shkupit”, shkruan Skënder Luarasi.
Në dhjetor 1914, pas pushtimit të vendit nga Italia, ai u largua nga detyra dhe u kthye të jetonte në vendlindjen e tij në Lepenicë.

3 - Qëndresa ndaj pushtuesit italian dhe përgatitja për luftë

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 1918, Italia vazhdoi të mbante të pushtuar një pjesë të territorit shqiptar, ndërmjet të cilit edhe Vlorën, prandaj vlonjatët filluan të interesohen për fatin e tyre.

Kështu, në mars të vitit 1919, në Brataj të krahinës së Mesaplikut, u formua shoqëria “Mbrojtja shkollore”. Ky emër ishte sa për t’iu veshur sytë italianëve, se në fakt shoqëria kishte si synim përgatitjen e popullit për të çliruar Vlorën, prandaj në plan të parë shoqëria shtroi nevojën e propagandës kundër pushtuesve italianë.

“Midis asaj djalërie çquheshin: Hysni Lepenica, Tahir Hoxha, Abdurrahman çiraku, Foto Vitua, Rexhep Sulejmëni, Gani Alikua, Meçan Selami, Gani Iliazi, Hasan Pulua, e shumë të tjerë. Prej intelektualëve në katunde Qazim Koculi e Murat Miftari punuan shumë për kryengritjen”, shkruan Halim Xhelua.

Përleshja me pushtuesit më 28 nëntor 1919 ishte kulmi i kundërshtimit dhe urrejtjes ndaj pushtuesit, por edhe sinjali i zemërimit popullor për të thelluar përpjekjet për liri.
Qytetarët vlonjatë, së bashku me shumë fshatarë që kishin zbritur në Vlorë, u mblodhën në Xhaminë e Tabakëve dhe shpërthyen në një demonstratë të fuqishme nëpër rrugët e qytetit, që u shndërrua në një përleshje të përgjakshme me pushtuesit. Bashkë me patriotë të tjerë në krye të kësaj demonstrate qëndronte edhe major Ahmet Lepenica.

4 - Në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës

Në fillim të vitit 1920, major Ahmet Lepenica organizoi njësitet e armatosura, për të mbrojtur Kongresin e Lushnjës.

“Më 12–13 janar 1920, shkruan Ibrahim Abdullahu, në Vlorë sosi ministri i Brëndshëm Myfit bej Libohova, për të mbledhur milicë. Ahmet Lepenica nga Lushnja më dërgonte një letër, ku midis të tjerash më thoshte të lajmëronim popullin në qytet, se milicët që po mbledh Myfit beu i do si forca kundër Lushnjës”.

Po kështu, Hamza Isai, përfaqësues i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” me botën e jashtme me qendër në Korfuz shkruan:

“Kongresi i Lushnjës hasi në kundështimin e komandës italiane në Vlorë… Më 13 janar u shpall se mbledhja e Lushnjës ishte e ndaluar. Me inisiativën e Ymer Radhimës, Halim Xhelos, Myqerem Hamzarajt dhe Osmën efendiut u bë një takim tjetër i fshehtë ku qeshë edhe unë… Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Ahmet Lepenica, që ishte dërguar këtu nga nënprefekti i Lushnjës, që kërkonte përfaqësimin e Vlorës në Lushnjë. Më pas Ahmeti më kërkoi një deklaratë që ja dhashë me fjalët:

“Zotëri e Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të çmuet në organizim të gjindarmërisë për mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut”.
Po të shfletojmë me kujdes historinë, do të dalë e qartë se pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do ta kishim Kongresin e Lushnjës dhe mrekullinë e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë.

5 - Epopeja e Vlorës më 1920, lavdia e Ahmet Lepenicës

Sapo mbaroi Kongresi, Ahmeti u kthye në Vlorë për organizimin e kryengritjes së armatosur. Ai kishte besim të madh se populli priste vetëm sinjalin e kryengritjes, ndaj fshat më fshat e derë më derë i ngriti njerëzit në këmbë.

Më 10 mars 1920, Ahmet Lepenica, si përfaqësues i krahinës së Mesaplikut, mori pjesë në mbledhjen që u bë me parinë e qytetit dhe të fshatrave të Vlorës, në të cilën u vendos “që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”.

Në një takim tjetër: “ Në Armen takimi zgjati dy ditë… Ahmet Lepenica kishte përgatitur të dhënat për armatimin e municionet që gjëndeshin në Vlorë, dhe armatosjen e fshatarsisë së Vlorës. Në këtë mbledhje foli edhe Duro Shaska, që u tregua i gatshëm për të vënë në dispozicion të vatanit mallin e gjënë e gjallë… Takime të fshehta u bënë edhe në fshatra të tjerë si Picar, Dukat e Lepenicë. Në takimin që u bë në Lepenicë, në shtëpinë e Ahmet Lepenicës, morën pjesë edhe Memo Metja, Sali Vranishti, Shero Agaj…”.

I rëndësishëm është edhe takimi që u bë në Lepenicë, më 27 shkurt 1920, pasi në këtë takim mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Sulejman Delvina. Lepenica u zgjodh prej tij, pasi ajo ishte vendlindja e Ahmet Lepenicës, mikut të tij që nga koha e Turqisë. Takimi u bë në rrëzë të malit, në vendin e quajtur Krivovë. Paria e Vlorës aty, miq nga Mallakastra si dhe kryeministri Sulejman Delvina, ishin në besë të Ahmet Lepenicës, të cilët u pritën dhe u siguruan prej tij.
Sinjali i kryengritjes u dha më 29 maj 1920, kur në malin e Barçallasë në Dukat, u mblodhën parësitë e qytetit dhe fshatrave të Vlorës.

Në këtë kuvend u vendos: “Kundështimi i armikut dhe me armë dhe gjer ne shuarje e shfarosje të njërës palë, nëqoftese nuk do të lironte vetë e me të mirë vëndin e zaptuar pa asnjë të drejtë … dhe më pas u ngrenë një e nga një e me radhë, plot qetësi por me një shprehje të rëndë e një lloj solemniteti në fytyrat e ashpëra, të djegura nga dielli e të rrahura nga era, dhe u betuan në Kuran: “Më thertë me gjithë ç’kam…”

Në Barçalla u zgjodh një Këshill Kombëtar prej 30 vetësh, nga gjiri i të cilit doli një komitet i ri, “Mbrojtja Kombëtare”, i përbërë prej 12 anëtarësh. Kryetar i Komitetit u zgjodh Osmën Haxhiu.
Anëtarë ishin: Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Muqërem Hamzaraj dhe Murat Miftari.
Komiteti i zgjedhur emëroi një komision oficerësh që do të drejtonte veprimet nga pikëpamja ushtarake. Në krye të këtij komisioni u emërua major Ahmet Lepenica.
Pra, e thënë në gjuhën ushtarake, u formua shtabi i luftës dhe shefi i shtabit u emërua major Ahmet Lepenica.

Më datën 2 qershor 1920, komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, e vendosi selinë në mal të Beunit, mbi fshatin Vajzë. Në mbledhjen e datës 4 qershor 1920, major Ahmet Lepenica u emërua Komandanti i Përgjithshëm.

Major Ahmet Lepenica e merrte detyrën e shenjtë të Komandantit të Përgjithshëm në sajë të personalitetit tij të njohur, atdhetarizmit të flaktë, dijeve në fushën e strategjisë ushtarake, njohjes së artit popullor ushtarak, përvojës në shumë luftëra, besimit të madh që populli kishte tek ky bir i denjë i tij.
“Të bëjmë të ditur Z. S. se je i emruar me fuqi të plotë Kumandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, duke u pështetur në burrërin dhe në atdhetarsinë tuaj.

Ngarkohe me këtë barrë shumë të shënjtë dhe të rëndë.”, thuhet në urdhrin e emërimit lëshuar në Malin e Beunit, mbi Vajzë, të datës 4 qershor 1920, dhe të firmosur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare”.

Epopeja e Vlorës më 1920 është një ndër faqet e lavdishme të historisë sonë. Gjaku i trimave shqiptarë dhe sherqet që mbetën si legjendë mbi telat me gjemba të armikut, përsëritën edhe një herë heroizmin stërgjyshor të të parëve tanë.
Detyra e Komandantit të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare, ishte jo vetëm e vështirë - thuhet në urdhrin e emërimit - por edhe e shënjtë dhe me përgjegjësi historike.

Ahmet Lepenica, derisa erdhi në Luftën e Vlorës kishte kaluar me fitore dhe lavdi shumë beteja në të gjithë territorin e Ballkanit, prandaj populli kish thurur për të shumë legjenda: “Nuk e zë plumbi”, “Ka lindur oficer me fat”, “Ai s’mundet kurrë”. Këto legjenda kishin bazën e tyre të vërtetë. Në karrierën e tij të gjatë, që kur kishte marrë në dorë pushkën si ushtar i Perandorisë Otomane, dhe në Shqipëri, ai nuk e kish njohur humbjen dhe të gjitha gradimet i kish marrë jashtë radhe dhe vetëm për vleftë trimërie, në Turqi dhe në Shqipëri.

Edhe gjatë kësaj lufte ai u tregua strateg, trim, organizator i shkëlqyer, udhëheqës i shquar popullor. Ai udhëhoqi fuqinë dhe furinë popullore përballë gjeneralëve akademistë më të njohur të Europës si Piaçentini, Gotti, Maxoni, Pulieze etj., dhe fitoi mbi ta.

Kështu major Ahmet Lepenica në komandë të fshatarëve të Vlorës, Kurveleshit dhe Tepelenës, niste udhën e lavdisë kundër një ushtrie nga më modernet e kohës. Fuqitë italiane komandoheshin nga gjeneral Setimio Piaçentini, i cili kishte një ushtri prej 20.000 trupash dhe një shtab prej 12 gjeneralësh.

Në kohën që shqiptari Ahmet Lepenica jepte komandën që do ta vendoste atë në faqet e lavdishme të historisë së vendit tij, gjeneral Piaçentini i shkruante Komandantit të Divizionit të 13, gjeneral E. Pulieze: “është fjala për një masë amorfe, që nuk ka udhëheqje, që nuk ka rregullsi (disiplinore) dhe që nuk ka asnjë organizim të shërbimeve”.

Por ç’tregoi sheshi i luftës? Ranë Kota, Gjormi, ku një luan i Lepenicës, Meçan Isa Ngucaj, i vuri gjoksin mitrolozit të armikut, ra Vajza, Dukati, Radhima, Drashovica, Matohasanaj, pa përmendur stacionet e vogla e të shumta të karabinierëve, të shpërndara në krahinë. Mbetej vetëm Llogoraja, ku po luftohej ditë e natë për dy ditë rresht, prej çetave të Lepenicës nën komandën e Sheme Jazos dhe të Gjormit nën komandën e Selam Hasanit.

Kështu, pasi ranë të gjitha garnizonet e pushtuesit, mbetej vetëm Tepelena dhe qyteti i Vlorës. Pushtuesi u grumbullua i gjithë në kalanë e Kaninës, në qytetin e Vlorës dhe në Kalanë e Tepelenës, e cila ra me humbje të mëdha më 21 qershor.
Fitoret e rrufeshme në këto kuota bënë që të binte morali i ushtrisë italiane dhe njëkohësisht të rritej autoriteti dhe prestigji i Ahmet Lepenicës dhe besimi i kryengritësve tek ai.

Që të kuptojmë rëndësinë historike të këtij shërbimi të shquar, që Ahmet Lepenica i bëri vendit të tij, duhet të kuptojmë rëndësinë që pati kjo luftë; që sipas historianit Muin çami:

“Lufta e Vlorës zgjati dy muaj. Ajo nisi më 5 qershor 1920 dhe mbaroi më 2 gusht të atij viti. … Kjo periudhë dy mujore nuk është e mbushur e gjithë me ndeshje të armatosura. Vetëm faza e parë tre javore, që shtrihet deri më 21 qershor, ka qënë karakterizuar nga luftime të ashpëra dhe nga fitore ushtarake të pa ndërprera dhe bile të bujëshme të palës shqiptare. Gjatë kësaj faze, faktorët ushtarakë të fitores janë tejet të dallueshëm dhe me shumë peshë. Ishin këto fitore, ato që i detyruan qeveritarët italianë të pranonin atë që e kishin kundështuar vendosmërisht më parë … Ndërsa faza tjetër pasuese më e gjatë prej gati 5 javësh, që shtrihet deri më 2 gusht 1920, është dalluar më shumë nga bisedimet diplomatike midis dy palëve …

Pas 21 qershorit e deri më 2 gusht 1920, që shënon mbarimin e Luftës me nënshkrimin e Protokollit, nuk pati më ndeshje të armatosura në shkallë të gjërë … Vetëm më 22–23 korrik 1920, forcat shqiptare të çlirimit, ndërmorën një sulm të furishëm kundër pozicioneve italiane, sulm që kishte një synim politik. Donte të ndikonte mbi palën italiane për t’i dhënë fund zgjatjes së bisedimeve italo–shqiptare … Megjithatë fitoret ushtarake që ishin arritur deri më 21 qershor nga forcat çlirimtare, mbetën të pa cenuara …

Pavarësisht nga diskutimi rreth sasisë së forcave, i rëndësishëm dhe i padiskutueshëm mbetet fakti, që ja vlen ta përsërisim, se ishte fillimi i luftës së armatosur dhe ishin sidomos fitoret ushtarake të arritura në fazën e parë të luftës, ato që i hapën udhë tryezës së bisedimeve, të refuzuara më parë me kryeneçësi nga qeveria e Romës …

Mund të thuhet pa mëdyshje se ishte faktori ushtarak, se ishin lufta dhe fitoret e armëve shqiptare, në fazën e parë të luftës, gjatë qershorit, që bënë të mundur lindjen e faktorëve politikë dhe që gërshetimi i tyre çoi në nënshkrimin e Protokollit, të 2 gushtit 1920.”

Pra siç del nga gjykimi i historianit Muin çami, që iu referohet gjithë studiuesve shqiptarë dhe të huaj; kundrejt një literature mjaft të gjerë, në fushën ushtarake merita e fitores iu takon fshatarëve trima të Vlorës, Tepelenës dhe Kurveleshit, nën udhëheqjen e Komandantit të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare, major Ahmet Lepenicës.

Në historinë e Shqipërisë, Ahmet Lepenica vlerësohet me këto fjalë: “Në Kotë, fshatarët kryengritës treguan shembuj të shkëlqyer heroizmi. Kundër regjimentit të gjeneralit Gottit, që mbrohej nga fortifikimet e betonuara dhe nga zjarri i artilerisë së rëndë, patriotët trima, nën komandën e Kapiten Ahmet Lepenicës, kaluan disa herë me radhë në sulm. Më në fund, afër mëngjezit, duke hedhur gunat e tyre mbi gjerdhet me tela me gjëmba, kaluan përmbi to, hynë brënda gazermave, dhe i detyruan ushtarët dhe oficerët italianë që kishin lënë shumë të vrarë, midis të cilëve edhe vetë gjeneralin Gotti, të dorëzohen”, thuhet në një dokument të kohës.
Edhe studiues të tjerë kanë vlerësuar fitoret e kryengritësve nën udhëheqjen e major Ahmet Lepenicës:

Në fazën e dytë të luftimeve Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, u vendos në Drashovicë, një fshat 10 kilometër larg Vlorës.

Komiteti që tani kishte marrë pamjen e një qeverie, siç thoshte popullit, për qëllime politike, e shpalli Drashovicën prefekturë dhe Vlorën n/prefekturë që varej nga Drashovica.

“Në Drashovicë ishte ngritur gjithashtu flamuri kombëtar shqiptar, të cilin autoritetet italiane nuk e kishin lejuar të ngrihej në krahinën e Vlorës qysh prej vitit 1916”.
Pas vendosjes së Komitetit në Drashovicë u bë edhe riorganizimi i forcave luftarake.
Major Ahmet Lepenica u emërua Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, dhe mbeti Shef Shtabi, nënkomandant i Luftës.

Kapiten Qazim Koculi u emërua Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare
Edhe si n/komandant Ahmet Lepenica e ushtroi funksionin e tij, kështu që vazhdoi të jepte përvojën e tij të gjatë dhe të vyer në fitoren e luftës. Korrespodenti i gazetës “Drita” të Gjirokastrës, Gani Abazi kujton:

“Për marrjen e Vlorës Komisioni ka bërë disa takime … U ndanë detyra për mobilizimin e forcave të tjera të luftëtarëve. Qazim Koculi, Spiro Koleka, e Ali Beqiri shkuan në Himarë, ku i bënë thirrje popullit të atyre fshatrave për t’u mobilizuar në luftë… Ahmet Lepenica u la zëvëndës i Qazim Koculit që shkoi në Himarë … Nuk e harroj kurrë takimin e Komisjonit në Vreshtat e Mëdha, ku Qazim Koculi bashkë me Ismail Hakiun e Ahmet Lepenicën përgatitën planin e sulmit të 22 korrikut 1920. Sipas këtij plani… ushtria italiane u godit nga shtatë drejtime”.
Rëndësinë e Luftës së Vlorës e kanë përcaktuar shumë studiues dhe historianë, ndërmjet të cilëve përmendim:

Arben Puto: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur … Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës, ashtu edhe Lufta e Vlorës mund të barazohen me Shpalljen e Pavarësisë në nëntor të vitit 1912”.
Ndërsa Muin çami thotë se: “Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare … E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës … Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial”.

6 - Major Ahmet Lepenica, një ndër katër ushtarakët më të vlerësuar të Shqipërisë

Ende pa hyrë trupat kombëtare në Vlorë, major Ahmet Lepenica më 29 gusht 1920, mori emërimin prej ministrit Spiro Koleka: “Ju bëj të ditur se Z.J. u emruat Kumandant i Fuqis së Gjendarmarisë, Vlorës…”, pra kemi një vazhdim të detyrës që ai kish marrë në Drashovicë.
Në janar 1921, Ahmet Lepenica u transferua komandant i detashmenteve të Lushnjës, ndërsa më

12 shkurt 1921:

“Ju njoftohet se jeni shënue Kumandant i Krahut të Vjosës. Porositeni; komandën e detashmenteve të Lushnjes ja dorëzoni major Veis Sevranit, e zotria juaj të niset në krye të detyrës në Vlonë”.
Që të kuptojmë rëndësinë e kësaj detyre dhe vlerësimin që qeveria i bënte major Ahmet Lepenicës, mjafton të kujtojmë se territori i Shqipërisë ishte ndarë në katër zona: Krah komanda e Shkodrës, Krah komanda e Peshkopisë, Qark komanda e Tiranës dhe Krah komanda e Vjosës.

Kështu pra del e qartë se major Ahmet Lepenica ishte një ndër katër burrat ose një ndër katër ushtarakët e vlerësuar të gjithë Shqipërisë. Por Krahu i Vjosës ishte territori më i vështirë për të vendosur rendin dhe qetësinë, sepse politika greke vazhdonte intensivisht provokacionet, ndërsa pjesa më e madhe e territorit Vlora dhe Gjirokastra, sapo kishin dalë nga pushtimi italian, Himara ndodhej akoma nën pushtimin grek.

Këtë detyrë Ahmet Lepenica e kreu me devocion, me aftësi dhe kompetencë të lartë ushtarake. Në atë kohë, për të kryer një detyrë kaq të rëndë, në fushën e gjindarmërisë në radhë të parë duhej vendosmëria dhe atdhedashuria, trimëria dhe disa dhunti natyrore të intelektit që Ahmetit nuk i mungonin.

7 – Kthimi i Himarës shqiptare në gjirin e mëmës Shqipëri

Fati i kishte rezervuar Ahmet Lepenicës edhe një vepër tjetër të madhe, kthimin e Himarës shqiptare në gjirin e mëmës Shqipëri.

Dihet se që nga 28 nëntori vitit 1912, Himara nuk ka qenë faktikisht e bashkuar me shtetin shqiptar, ajo vazhdoi të vetëqeveriset me venomet e kohës së Turqisë nën diktatin grek, ndërsa nga data 25 gusht 1916, ndodhej nën pushtimin italian.

Pas fitores së Luftës së Vlorës, vlonjatëve dhe qeverisë së Ilias Vrionit i mbetej edhe një detyrë e rëndësishme: bashkimi Himarës, me 7 fshatrat që përbënin këtë krahinë, me shtetin shqiptar.
Këtë barrë të rëndë dhe të shenjtë e mori përsipër major Ahmet Lepenica. Kështu ai po nisej drejt heroizmit dhe drejt përjetësisë, me një plan të studiuar më së miri.

Më 1 qershor 1921, toger Azis çami nga Qafa e Llogorasë hyri në Palasë. Komandanti i Përgjithshëm i operacionit, major Ahmet Lepenica kishte marrë udhën më të vështirë dhe me luanët e tij të Labërisë, kapiten Osman Tetova, toger Dhimitër Bala, n/toger Anest Qesari, toger Rrapo çelo nga ana lindore e Himarës kishin mbërritur tek Qafa e Mretes në Kuç, afro një orë e gjysmë larg nga Piluri, fshati që i zotëron të gjashtë fshatrat e tjera të Himarës dhe i ka si në pëllëmbë të dorës. Këto masa ushtarake dhe strategjike ishin të domosdoshme, sepse në çdo moment mund të godiste djallëzia dhe pabesia greke, si dhe njerëzit që kishin shitur shpirtin e tyre tek grekët.

Në lëmë të Pilurit u mblodh fshati dhe major Ahmeti mbajti këtë fjalë: “Juve duke qënë shqiptarë nën sundimin shqiptar të mos kini sot dhe kurdoherë as ndonjë shqetësim, se Qeveria jonë popullore mendon dhe vepron vazhdimisht për qetësinë dhe lumturinë e popullit shqiptar dhe kurrë s’mundet të guxojë njeri të prish qetësinë tuaj…”.

“Ora më 19 e gjysëm u fut xhandarmëria në qytetin e Himarës, ku popullsia kishte dalë për pritje.
Z. Azis çami jashtë Himarës kishte nxjerrë ushtarët e tij … dhe së bashku shkuan e u vendosën në shkollë.

Z. major Ahmet Lepenica me kapiten Tetovën, mbetnë atë natë në Pilur për arsye ushtarake...” ,
Por lavdia dhe heroizmi tij nuk ndalen këtu…

8 - Nga Jugu në Veri. Në luftë për mbrojtjen e kufijve veriorë

Duke qenë se forcat e armatosura të Vlorës tashmë ishin mbuluar me lavdi me fitoren heroike të Luftës së Vlorës, vlonjatët u thirrën për ndihmë në Veri për të nxjerrë nga tokat shqiptare, serbët, këtë armik barbar dhe dinak.

Komandanti i Përgjithshëm i Operacionit në Veri, Ahmet Zogu, i shkruan Ministrisë së Luftës:
“Në emrin e gjith popullit të Matit, lus atë Ministri të ketë mirësinë të ndërmjetësojë e të shfaqë falnderimet e posaçme Katundarisë së Vlorës, për mirësinë që patën me dërgimin e vullnetarëve të asaj prefkture, në këtë qark, të cilët kanë qënë për herë të parë nga Shqipëria e Jugut dhe ngjyen me gjak të vlefshëm të tyre shkretëtinat e malësisë sonë.

Vullnetarët e naltpërmëndur me sjelljet e bukura, dhe me trimëritë e qëndrimet e plota që kanë rrëfyer ndër këto malet tona, të ftohta e plot dëborë, kanë lënë një kujtim atdhetar dhe fisnik të pa harruar, sidomos major Ahmet Lepenica, komandant i kësaj fuqie në të mësymet që ka ba me marrjen e Sharës Zogollit, tuj lanë tre të vdekur e disa të varrosun ka pas një sukses të plotë andaj më tutje për me e nderue me një nishan të Shqipnis, tash propozoj major z. Ahmet Lepenica t`i jepet një lavdërim nga Këshilla e Naltë”.

Lis, 12.11.1921 Me nder Kumandant i Përgjithshëm A.Zogolli d.v.
Ishte takimi i dytë në fushën e betejës i dy Ahmetëve. Takimi i parë kishte ndodhur në Kongresin e Lushnjës. Takimi i tretë do të ndodhte gjatë zgjedhjeve të dhjetorit 1923, kur Ahmet Lepenica u akuzua prej partisë së Myfit Libohovës, se kishte ushtruar dhunë dhe kishte manipuluar zgjedhjet. Ahmet Zogu e mbrojti në Parlament Ahmet Lepenicën, duke folur gati dy orë për të.

9 - Nga Veriu në Jug. Përsëri në luftë për caktimin dhe mbrojtjen e kufijve.

Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, më datën 17 janar 1922, jep këtë njoftim të shkurtër: “Thuhet se major Ahmet Lepenica qënka emruar Qarkkomandant i Gjindarmërisë Gjirokastër”.

Përsëri në një detyrë të vështirë, për shkak të politikës dhe provokacioneve të vazhdueshme greke, për shkak se akoma midis shtetit shqiptar dhe atij grek, ende nuk ishin përcaktuar kufijtë, për shkak të problemeve të shumta që kishte në atë qark, varfëria, vjedhjet, krimi etj. Punën e lehtësonte prefekti Kolë Tromara, burri me të cilin pati fatin të punojë Ahmeti, deri në prill të vitit 1924.
Tromara ishte një atdhetar i klasit parë, ish-kryetar i “Vatrës” në SHBA, shok, mik dhe bashkëluftëtar me Fan Nolin, Faik Konicën, Luigj Gurakuqin, dr. Omer Nishanin etj.

Më 27 gusht 1923, ngjau një krim i madh, ndërsa Komisjoni Ndërkombëtar i Kufijve (KNK) ishte duke udhëtuar nga Janina në Gjirokastër bandat greke sulmuan makinën e gjeneral Telinit dhe e vranë atë bashkë me dy oficerë italianë dhe një përkthyes shqiptar.

Ngjarja tronditi botën shqiptare. Kryetari i Parlamentit, për shënjë zie pushoi Parlamentin për 24 orë.
Edhe këtë moment të vështirë, major Ahmet Lepenica e kaloi me sukses, duke bindur Komisionin Hetues Ndërkombëtar se krimi i rëndë dhe i pabesë ishte kryer nga qeveria greke.

10 - Humbja e parë dhe e fundit në fushën e betejës

Ahmet Lepenica u rreshtua në shoqërinë “Bashkimi” dhe më vonë në federatën “Atdheu”. Ky pozicionim e shpuri atë në udhëheqje të Lëvizjes së Qershorit 1924.
Si shkak për këtë lëvizje, shërbeu vrasja e Avni Rustemit, më 24 prill 1924.

“Fatkeqësia juaj dhe e jona, na e përfshiu heroin në alltarin e lartë pranë Kastriotit e Qemalit.
Bashkë me ju, djalëria vlonjate humbet e vajton birin e vlefshëm të atdheut”.
Ky telegram është firmosur prej 26 personaliteteve vlonjate ndër të cilët: Qazim Koculi, Azis çami, Riza Cerova, Ahmet Lepenica, Qazim Kokoshi, Sali Hallkokondi, Halim Xhelo, Hasan Sharra etj.
Avni Rustemi u varros në Vlorë, më 1 maj 1924, me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë vetëve, ndër ta 43 asamblistë, të cilët duke qenë se nuk morën përgjigje nga Zogu për kërkesat e tyre, vendosën fillimin e kryengritjes së armatosur dhe rrëzuan qeverinë e Ahmet Zogut që u arratis në Serbi.
Ahmet Zogu në asnjë moment nuk hoqi dorë nga ambicia për pushtet, ai u kthye në pushtet me ndihmën serbe më 24 dhjetor 1924.

Major Ahmet Lepenica u arratis jashtë vendit dhe u kthye i falur në fund të vitit 1926.
Në këtë kohë një përfaqësi vlonjatësh prej 50 vetësh u thirrën në Tiranë prej Ahmet Zogut për pajtim.

11 - Fundi i jetës së një ushtari të atdheut

Ahmet Lepenica dha frymën e fundit në vendlindjen e tij në Lepenicë, më 14 janar 1941. Ai nuk la pas as fëmijë, as pasuri dhe as gjë prej gjëje, por la emrin dhe veprën e tij të paharruar.
Ai u varros pa asnjë ceremoni zyrtare në pronat e tij në malin e Shën Mërtisë, përcjellë vetëm nga fshatarët dhe miqtë e tij të shumtë që tërë jetën e deshën, e mbajtën, e mbrojtën dhe e nderuan, sepse ai me veprën e tij kish nderuar përgjithnjë Shqipërinë.

Major Ahmet Lepenica është vlerësuar dhe dekoruar me medalje të ndryshme në vitin 1962, në vitin 1992, në vitin 2005 dhe në vitin 2009 është shpallur “Qytetar Nderi i Qarkut të Vlorës”, por ende nuk është ngritur në vendin që meriton për veprën e tij që ka bërë për Shqipërinë.

Autori: Enver Memishaj (Lepenica)

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›