Alexandra Penney, viktima e luksit
Alexandra Penney e kujton mirë momentin kur mori lajmin se Bernard Madoff, “broker”-i amerikan i dënuar për një mashtrim kolosal ndaj klientëve të tij, i kishte marrë kursimet e një jete. Më 11 shtator të vitit 2008, ishte në apartamentin e saj në Nju Jork, në rrugën numër 52 dhe po përgatiste darkë për miqtë e saj. Mori një telefonatë ku i thanë se Madoff ishte arrestuar. Ishte e paralizuar, thuajse e terrorizuar. Mori një qetësues dhe shkoi në dhomën e gjumit. Në vend që të fliste, kërkonte në “Google” një mënyrë që të vdiste me sa më pak dhimbje. Një jetë pa para? E paimagjinueshme. Në internet lexoi se cianuri, i përdorur në punimin e bizhuterive, ishte shumë efikas. Gjithmonë i ka pëlqyer bizhuteritë, kështu që cianuri iu duk një mënyrë e mirë për të vdekur. Pastaj e zuri gjumi.
Më mirë se asgjëMë 17 dhjetor të vitit 2008, pak ditë pas arrestimit të Madoff-it, Penney vendosi të kishte një blog në sajtin “The daily bast”. Ia kishte kërkuar drejtoresha Tina Brown, një mikeshë e saj e vjetër, e cila i ofroi edhe një shpërblim të vogël. “Më mirë se asgjë”, komenton Penney. “Pak kohë më parë, ato para do më mjaftonin vetëm për të ftuar një mik për drekë në ndonjë restorant të shtrenjtë. Tani më duken shumë”. Penney e ka quajtur blogun e saj “The bag lady papers”, sepse kishte frikë se mos përfundonte në mes të rrugës. Postimet e saj i kanë ndarë lexuesit në dy pjesë. Për disa, sidomos për viktimat, Penney është bërë një rast emblematik. Për të tjerë është një pasanike e çmendur pa asnjë kontakt me realitetin. Akoma sot, Penney nuk e imagjinon dot se sa shumë reagime ka shkaktuar. Penney është një artiste dhe ish-drejtoreshë e revistës “Seli”, një e përmuajshme e një galerie në Manhatan që ekspozon fotografitë e saj. Ekspozita titullohet “After Madoff” dhe përbëhet nga dhjetëra fotografi. Penney është një grua elegante. Mban veshur një këmishë të bardhë, xhinse dhe çizme. është e kënaqur, sepse sapo ka marrë vesh se ka të drejtë të marrë një shumë parash nga shoqëritë e sigurimeve. “Nuk jam më në telashe, edhe pse shqetësimet nuk mbarojnë kurrë. Këtë mëngjes, për shembull, më zuri frika kur pashë një mal me fatura që duheshin paguar mbi tavolinën time”, tregon ajo. Kohët e fundit ka dalë në SHBA libri i saj “The bag lady papers”. Vitin e kaluar arriti të ecte përpara vetëm falë paradhënies nga botuesi, por nuk e di se çfarë e pret në të ardhmen. “Nuk dua të dukem e përkëdhelur me këtë historinë e frikës se mos përfundoj në rrugë, por në të vërtetë më vjen mirë ta di se do të kem një rimbursim”. është interesant fakti që Penney përdor termin e “përkëdhelur”, duke qenë se shumë kritika që ka marrë lindin pikërisht prej kësaj fjale. Penney ka qenë shumë e sinqertë kur ka treguar frikërat e saj. Si duhej t’ia thoshte kamerieres që ia dërgonte paratë familjes së saj të varfër që do ta pushonte nga puna? Pastaj duhet të merrte metronë, gjë që nuk e kishte bërë prej 30 vjetësh dhe nuk e dinte as ku shiteshin biletat. Duhej t’u thoshte lamtumirë çarçafëve “Frette”, këpucëve “Louboutin,” dhe çantave “Hermes”. Po këmishat e bardha kush do t’i hekuroste? Pyetjet e Penney kanë bërë që njerëzit të fillojnë të mendojnë nëse për të pasurit duhet pasur mëshirë njëlloj si për të varfrit. Një grua ka komentuar në blogun e saj: “Mos u shqetëso për këmishat, mjafton të mësosh të hekurosësh siç bën pjesa më e madhe e njerëzve. Kështu është jeta. Duhet të fillosh të punosh dhe mjaft qave për atë që nuk është më”. Një tjetër shkroi: “Duhet të shesësh shtëpinë në Palm Beach dhe të pushosh kamerieren? Pastaj të duhet të marrësh edhe metronë? Me të gjithë të këqijat e botës, këto të tuat nuk më duken shumë probleme të mëdha. Të tjerë janë rreshtuar në anën e saj. “çdo tragjedi është e tillë për ata që e jetojnë. Je më e re nga sa mendon. Do t’ia dalësh mbanë”, i ka shkruar një burrë. Një tjetër ka komentuar: “Jam e sigurt që blogu yt do të shërbejë si komfort dhe frymëzim për të gjithë ata që kanë dashur të ndryshojnë në mënyrë radikale jetën”. Penney ka qenë e ftuar në shumë programe televizive. Në sajtin e CNN-it, historia e saj është ndjekur nga më shumë se 2 milionë persona, kronika e tretë më e vizituar në historinë e sajtit. Debati është zgjeruar edhe më shumë. Penney e kuptonte se kishte prekur një argument delikat në SHBA, ripërcaktimin të rolit të parave, koncepteve të klasës dhe statusit, në një moment kur kriza financiare i kishte kthyer të gjithë në viktima. Penney shpesh është sulmuar sepse nuk ka dashur kurrë të tregojë sasinë e shumës që ka humbur. Duke folur për paratë që humbi, tregon se në vitin 199, kur u bë kliente e Madoff-it, ishin rreth 500 mijë dollarë. Refuzon të tregojë se sa vjeç është, por duhet të jetë rreth të 60-ave, një moshë kur njeriu duhet të shijojë frytet e një jete nga puna. “E kam rritur djalin tim e vetme dhe kam fituar me mund çdo qindarkë të parave që humba. Asnjëherë nuk kam kërkuar gjë dhe asnjëherë nuk më kanë falur asgjë. Personat që më kritikojnë nuk i llogaris fare. Jeta ime para Madoff ishte e rehatshme, falë kursimeve që kisha hequr mënjanë”. Si shumë investitorë të tjerë, gruaja tregon se ia besoi paratë Madoff-it, jo për t’u pasuruar, por për të pasur një pleqëri të qetë. “Nuk e njihja Madoff-in para se t’i drejtohesha atij”, shprehet Penney. “Ishte një miku im që më këshilloi të flisja me brokerin që premtonte interesa deri në 11 për qind”.
Jeta pas Madoff-itLibri “The bag lady papers” është një portret i jetës pas Madoff-it. Ajo e përshkruan rezultatin si një rrugë që i ka mësuar një leksion: “Edhe kur frika jote më e madhe të mbërthen, mund të mbijetosh”. Duke lexuar librin, mund ta imagjinosh teksa negocion për çmimet e ushqimeve, shet bizhuteritë e preferuara, çantat e saj luksoze në “Ebay”, heq dorë nga mbrëmjet mondane. Penney e quan librin e saj një “libër pop”, jo një kryevepër. Stili i të shkruarit nuk është qaraman. “Më besoni, më ndodh shumë shpesh që të qaj”, tregon Penney. Ajo që e ka shpëtuar, ka qenë shpirti i humorit. Ajo e mban mend mirë kur shkoi në zyrën e Madoff-it një mëngjes për t’i kërkuar shpjegime bashkë me shumë viktima të tjera. Kujton që aty ishte edhe një zonjë e moshuar, e veshur me një peliçe dhelpre që mbështeste kokën te një burrë, fytyra e të cilit ishin e verdhë e si limoni. “Luksi që më mungon është paqja mendore që vinte nga fakti se e dija që i kisha vënë mënjanë ato kursime”, tregon ajo. Edhe pse në libër Bernie Madoff përcaktohet me shkurtimin MF (motherfucker), Penney tregon se tani i ka kaluar inati. “Nuk e kam takuar kurrë. I kam folur vetëm një herë të vetme. Inati ishte një luks që nuk mund t’ia lejoja vetes. Duhet të ecja përpara. Nëse është dikush që më bën të inatosem, ata janë ‘Securities and Exchange Commission’, enti qeveritar amerikan që duhet të vigjilonte bursën dhe gruaja e Madoff-it”. Kjo është një ndjesi e përbashkët e viktimave të Madoff-it. Ruth Madoff tërhoqi miliona dollarë një javë para arrestimit të bashkëshortit? Ku përfunduan? Zonja e ka mohuar se ishte në dijeni të mashtrimeve të të shoqit. “Si mund të mos dinte asgjë”, pyet Penney. Ajo nuk nguron të tregojë edhe historinë e një tjetër personi të mashtruar. Bëhet fjalë për një grua të moshuar, burri i së cilës, në shtratin e vdekjes, i kishte kërkuar t’i dorëzonte 8 milionë dollarë Madoff-it. “Bernie do të kujdeset për ty”, i kishte thënë ai. Më 2 dhjetorin e vitit 2008, Madoff i mori edhe qindarkën e fundit gruas plakë. Nëntë ditë më pas u arrestua. “E dinte se çfarë do të ndodhte. Si arriti t’i merrte paratë e tyre?”, pyet Penney. Gruaja i është shumë mirënjohëse miqve të saj, sepse me ndihmën e tyre arriti të kalojë një fazë shumë të vështirë. Njëra i pagoi takimin te parukieri (vetëm një grua, thotë ajo, mund të kuptojë vlerën e këtij veprimi), një tjetër i mundësoi një bursë studimi nga “New York Foundation for the Arts”. Deniss, i dashuri i saj 62-vjeçar, të cilin ajo e cilëson “fëmijë”, është një artist që përpiqet gjithmonë ta bindë se paratë nuk kanë shumë rëndësi. “Nuk jam dashuruar kurrë me një bankier apo biznesmen. Ndoshta duhej ta kisha bërë, por nuk më kanë interesuar kurrë”, thotë ajo. Doktor J. është një tjetër njeri i rëndësishëm në jetën e saj. 11 vjet më parë, i diagnostikoi një mungesë të theksuar vetëvlerësimi. Gjatë tre viteve që kaloi në terapi me të, arriti të bëhej drejtoreshë e revistës “Self”. “Për herë të parë në jetën time u ndjeva e pasur. Kisha një makinë me shofer, bizhuteri, orkide, para për të organizuar festa të mëdha. Por e dija që nuk do të zgjaste përgjithmonë”. Pastaj vendosi ta linte atë punë, sepse qëndrimi në “Conde Nast”, thotë ajo, ishte njëlloj si të mbante në duar pranga prej platini. Por frika për t’u bërë e varfër nisi sërish të mbizotëronte. I telefonoi doktor J., i cili i tha se nuk kishte nevojë që t’i rikthehej analizës, por të provonte ndjesinë e sigurisë ekonomike. “Ai për të cilin kisha nevojë ishte njeriu me emrin Bernie Madoff, që mund të merrej me paratë e mia njëherë e përgjithmonë”. Me pak fjalë, doktor J. ishte ai që e sugjeroi të shkonte të Madoff. Nuk i mban inat? “Inat? Unë e adhuroj atë njeri. është 97 vjeç. Edhe ai humbi gjithçka. U përpoq të më ndihmonte. I thashë Madoff-it që isha mbesa e tij që të më pranonte si kliente. Nuk mund të provoj kurrë mëri kundrejt tij”. Ironi e fatit, njeriu që e shëroi ndikoi në shkatërrimin e saj indirekt. “Doktor J., jo vetëm që më shëroi, por më bëri kjo që jam sot”. Në fakt, problemet e Penney-t kanë lidhje me fëmijërinë. Vajza e një gruaje të pasur, por me probleme nervore dhe një avokati të vrazhdë, ka pasur një fëmijëri të privilegjuar por shumë të brishtë emocionalisht. Në moshën 6-vjeçare shkoi të jetonte me gjyshen. Në jetën e saj la gjurmë depresioni i së ëmës që e bëri të ndihej e braktisur dhe e pasigurt. “Dikur doja të martohesha me një pronar të madh anijesh grek. Por kur vendosa të martohesha me një dizajner, prindërit e mi nuk erdhën fare në dasmë”, tregon ajo. Sa herë që ka pasur poste të rëndësishme, si tek “Glamour”, “The New York Times” apo “Self”, i ka braktisur. E la punën tek “Glamour” për të pasur më shumë kohë që t’i kushtohej pikturës. Penney është edhe autore e dy bestsellerëve “Si të bësh dashuri me një burrë” dhe “Si të bëjmë dashuri me njëri-tjetrin”. “Humbja e kursimeve ka qenë gjëja më e keqe që më ka ndodhur në jetë. Edhe divorci ka qenë i hidhur, por jo kaq shumë. Kur më vdiqën prindërit nuk derdha asnjë pikë lot. Tani kam frikë se mund të më ndodhë diçka vërtet e tmerrshme”. Por pas humbjes së parave, mësoi t’i jepte vlerën e duhur gjërave. “E vërteta është se ajo që përjetova më bëri t’i shoh gjërat me një tjetër sy”.
#