AI: BE, dështim me refugjatët libianë

Vendet e Bashkimit Evropian “kanë dështuar në mënyrë të turpshme” me strehimin e mijëra refugjatëve libianë që kaluan kufijtë e vendit.
Kështu thotë "Amnesty International", sipas të cilës vendet evropiane kanë dështuar në sistemimin e rreth 5 mijë afrikanëve nga zona nën-sahariane, që përballeshin me persekutime në vendet e tyre.
“BE, disa shtete anëtare të të cilit kanë marrë pjesë në operacionet e NATO-s në Libi, duhet të zgjidhin urgjentisht cështjen e sistemimit”, ka deklaruar AI.
Britania ka hedhur poshtë kritikat, ndërsa vende të tjera të Bashkimit Evropian nuk kanë bërë komente. Luftimet në Libi vazhdojnë, me forcat besnike të udhëheqësve të rinj që kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit.
Trupat kanë avancuar drejt qytetit bregdetar të Sirtes, që është dhe vendlindja e kolonelit Muammar Gaddafi, si dhe një nga bastionet e tij.
Në raportin me titull “Evropë, tani është radha jote të veprosh”, Amnesty kritikon ashpër qeveritë perëndimore për dështim me cështjet e strehimit.
“Kemi qenë dëshmitarë të një përgjigjeje skandaloze ndaj problemeve të të zhvendosurve që kanë qëndruar para dyerve të Evropës”, ka deklaruar Nicolas Beger, drejtor i zyrës evropiane të AI.