AI: Evropa, dështoi në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve

Një raport i ri i organizatës “Amnesty International” kritikon Evropën për dështimin e saj në mbrojtje të refugjatëve dhe azil-kërkuesve në territorin e saj.
Organizata me seli në Londër ka deklaruar se gjatë vitit 2010 shumë qeveri evropiane nuk kishin mbrojtur sa duhet shtetasit e huaj nga kërcënimet dhe dhuna me motive raciste. Në raport thuhet se disa politikanë kishin kontribuuar në krijimin e një klime ku mungon toleranca, duke bërë aludime për lidhje mes krimit dhe emigracionit.
Në komentet pozitive, raporti përmend vende si Shqipëria, Bullgaria, Gjermania, Sllovakia dhe Spanja që ranë dakord të pranojnë ish-të ndaluar të bazës Guantanamo, të cilët nuk mund të ktheheshin në atdheun e tyre pasi u kanosej kërcënimi i torturave dhe rreziqe të tjera.