Kosovë, në takimin Tahiri Stefanoviç, edhe flamuri serb

Zv/kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka deklaruar se në takimin me kryengociatorin serb Bojko Stefanoviç përveç flamurit të Kosovës dhe deklaratës së pavarësisë, për ta kompletuar karakterin “shtetëror” të vizitës ishte edhe flamuri serb.
Në një intervistë për mediat kosovare zv/kryeministrja Edita Tahiri, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme vizitën e Stefanoviçit dhe si nisje të njohjes së Kosovës nga Serbia.
Flamuri i Serbisë nuk duket në foto, por zv/kryeministrja thotë se ka të tjera foto që tregojnë praninë e flamurit serb. Tahiri e ka arsyetuar protestën e “Vetëvendosjes”, duke thënë se ka qenë reagim i natyrshëm ndaj genocidit që Serbia ka bërë në Kosovë.
Kryenegociatorja kosovare ka shprehur bindjen se dialogu është në të mirë të Kosovës, dhe se do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia, pasi kjo e fundit sipas Tahirit, nuk mund të hyjë në BE pa arritur marrëveshje me Kosovën.
Ndërkohë dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë javën e ardhshme në Bruksel.