E Shtunë, 31 Tetor 2026

AIDS, 21 raste janë zbuluar te Sanatoriumi

Nga Esmeralda Keta
Që nga viti 1993, 21 raste me AIDS janë zbuluar te Sanatoriumi, ku ata kanë qenë të shtruar për probleme kryesisht në mushkëri. 

TIRANE-Shumica e personave të prekur nga virusi HIV, e kanë zbuluar sëmundjen e tyre në mënyrë fare të rastësishme. Kështu, që nga viti 1993, 21 raste janë zbuluar te Sanatoriumi, ku ata kanë qenë të shtruar për probleme kryesisht në mushkëri. Një studim i bërë nga mjekët specialistë mbi rreth 30 mijë pacientë që janë shtruar në Spitalin e Sëmundjeve të Mushkërive, Sanatoriumi, ka zbuluar se nga 1797 raste të cilat për shkak të shenjave dyshoheshin si të infektuar, ka rezultuar se 21 prej tyre ishin mbartës të virusit HIV dhe 12 nga këto ishin edhe mbartës të tuberkulozit.
Studimi
Për të dalë në një përfundim, mjekët specialistë kanë përdorur materiale të mbledhura pas depistimeve të kryera në Sanatorium që prej vitit 1993. Kështu nga rreth 30.000 pacientë të shtruar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë, janë përzgjedhur ata pacientë, tek të cilët, të dhënat klinike krijonin dyshime për mundësi të prezencës së infeksionit HIV/SIDA. Si p.sh, i sëmuri paraqiste formë jo tipike të sëmundjes pulmonare TB, nga ana klinike, Ro/genollogjike, bakteriologjike, ka qenë emigrant, ka kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura ose veprime invazive mjekësore. Në bazë të këtyre kritereve, iu nënshtruan depistimeve 1797 të sëmurë të shtruar në spital nga mosha 17-68 vjeç, nga të cilët, 1457 ishin meshkuj dhe 340 femra, me qëllim që të evidentohej bashkëshoqërimi i tuberkulozit TB me HIV në grupe target të popullatës së sëmurë me sëmundje pulmonare specifike dhe tuberkulare. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë zbuluar 21 raste të infektuar me HIV, nga të cilët 12 ishin edhe mbartës të tuberkulozit, 9 prej të cilëve ishin meshkuj dhe vetëm 3 femra. Shpërndarja gjeografike tregon për prekje me HIV në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Kosovë, nga ana e seksit rezultoi se 15 ishin meshkuj dhe 6 femra. Në 6 femrat e prekura me HIV, 2 femra ishin prostituta dhe 4 ishin infektuar nga burrat vdekur nga SIDA, 3 femra rezultuan me bashkëshoqërim TB/ HIV. Rruga kryesore e marrjes së virusit HIV mbetet ajo seksuale, me 8 raste, 7 janë me rrugë seksuale normale, 1 me rrugë homoseksuale, 1 me manipulime mjekësore dhe 1 përdorues droge.
Rekomandimet
Duke parë bashkëshoqërimin e tuberkulozit me HIV-n, specialistët rekomandojnë që sa herë zbulohet një rast i ri i infektuar nga HIV, duhet të kihet parasysh edhe mundësia e prezencës së tuberkulozit evolutiv. Duhet pyetur personin nëse paraqet shenja të kësaj sëmundjeje (kolle, hemoptizi, djersë sidomos natën, temperaturë, humbje në peshë), nëse ka pasur probleme tuberkulare apo kontakte me të sëmurë me TB në të kaluarën. Gjithashtu, ata rekomandojnë që të gjithë të infektuarit nga HIV-i të bëjnë testin kutan tuberkulinik (TCT) dhe sa më shpejt nga diagnostikimi për infeksionin HIV, sepse besueshmëria e TCT mund të ulet nga pakësimi i limfociteve CD4 si dhe induracioni >5mm i TCT tek të infektuarit HIV duhet të merret si shenjë e infeksionit TB.
HIV dhe
Tuberkulozi
Një i infektuar me HIV mund të infektohet nga TBC në stadin e SIDA-s, ose të ketë qenë i sëmurë nga TBC në momentin që merr HIV-in. Por nëse një person përveç HIV ka edhe TBC, e bën edhe më të rëndë gjendjen shëndetësore të tij, pasi është i vështirë për t'u mjekuar (nuk i përgjigjet mjekimit), mund të infektojë njerëz të tjerë, duke qenë se nuk shërohet (ndryshe nga të sëmurët vetëm me TBC të cilët mjekohen dhe shërohen) si dhe bashkinfeksioni HIV/TBC shpejton arritjen e stadit terminal SIDA. TBC pulmonar kalon në disa stade: fokal(i lokalizuar, është infeksioni primar nga Mykobakteri i TBC), infiltrativ (fillon të përhapet në bronke), bronkopulmonare, fibrokavernoze (kur e ka shkatërruar parenkimen, indin e mushkërive dhe ka krijuar për pasojë zgavra në mushkëri të mbushura me qelb, ose gjysmë të mbushura sepse zbrazen nëpërmjet bronkeve dhe dalin si gëlbazë), ekstrapulmonar ku nëpërmjet gjakut mykobakteri përhapet në gjithë organet e trupit, limfonodulare, kur prek nyjat limfatike etj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›