E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolta ne burg, transferohen VIP-at e denuar

Nga Klodiana Lala
Tre organizatorë të revoltës janë transferuar nën masa të rrepta sigurie në një tjetër burg. Bëhet fjalë për Pashk Lleshin dhe Nikolin Topallin, të dënuar me burgim të përjetshëm 

FUSHE-KRUJE-Situata në burgun e Fushë-Krujës vazhdon të jetë ende tejet e tensionuar. Të burgosurit kanë refuzuar ushqimin dhe paralajmërojnë nisjen e një greve urie, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Tre të cilësuarit si organizatorë të revoltës janë transferuar nën masa të rrepta sigurie në një tjetër burg. Bëhet fjalë për Pashk Lleshin dhe Nikolin Topallin, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm si dhe Genci Tafilin, i dënuar për vrasjen e kolonelit të policisë, Arben Zylyftari. Në izolim kanë përfunduar të cilësuarit si VIP-at e krimit, Gazmend Braka, ose siç njihet ndryshe me nofkën “Gaxhai”, i dënuar përjetë, Admir Tafili, Gëzim Cafi dhe Gëzim Guri. Të dënuarit pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga një ndërhyrje mesditën e djeshme nga forcat speciale të Policisë së Burgjeve. Por zyrtarisht, dikasteri qendror i burgjeve e hedh poshtë një fakt të tillë.
Marrëveshja
Revolta e të dënuarve ka detyruar inspektorë të Avokatit të Popullit të udhëtojnë drejt Fushë-Krujës, për të vëzhguar nga afër situatën e krijuar. Pas kontakteve me të dënuarit, inspektorët kanë deklaruar se pretendimet e tyre janë të drejta, pasi mbyllja e dyerve të qelive krijon një ambient mbytës. Inspektorët thanë se situata e krijuar nuk ka të bëjë me Drejtorinë e Burgjeve, por me vetë projektin e këtij burgu, pasi mbyllja e dyerve krijon mjaft probleme për të dënuarit. Por duket se pas shumë bisedimeve me të dënuarit, është vendosur të shqyrtohen kërkesat e tyre dhe të gjendet një zgjidhje e përshtatshme. Deri vonë në mbrëmje nuk pati asnjë urdhër të ri për hapjen e dyerve të qelive me qëllim që të dënuarit të shfrytëzonin dhe korridoret, apo zgjatja e orareve të ajrimit.
Revolta
Revolta në burgun e Fushë-Krujës shpërtheu dy ditë më parë, pas një urdhri për mbylljen e dyerve të qelive. Gjatë verës, për shkak të temperaturave të larta, Drejtoria e Përgjithshme kishte urdhëruar hapjen e dyerve me orare të përcaktuara, sigurisht nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur çfarëdolloj tentative të mundshme të të dënuarve për t’u arratisur. Ndryshimi i stinës dhe ulja e temperaturave u shoqëruan me shfuqizimin e urdhrit. Ndryshimi i këtij urdhri ka sjellë pakënaqësi tek të dënuarit, të cilët refuzuan ushqimin. Këta të fundit deklarojnë se do të nisin grevë urie pa afat derisa t’u krijohen kushtet që parashikohen në ligj, pasi minimizimi i orarit të ajrimit dhe mbyllja brenda qelisë është një dhunim i hapur i të drejtave të njeriut.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›