E Shtunë, 31 Tetor 2026

AIDS, intervista n ë 9 mij ë familje

Autori i Lajmit: Entela Duraj
“Të dhënat e studimit mbahen konfidenciale, sidomos për ata shtetas të cilët kanë pësuar dhunë familjare apo janë infektuar nga sëmundje të rënda si AIDS etj. Gjatë punës me studimin intervistuesit kanë hasur vështirësi në zonat rurale me popullatën për marrjen e këtij informacioni, por dhe në qytetet e mëdha”

I realizuar për herë të parë në Shqipëri, Studimi Demografik Shëndetësor do të përfshijë 9 mijë familje. Me iniciativën e ISHP-së dhe INSTAT, studimi i cili pritet të mbyllet në prill të 2009-ës, do të mbledhë të dhëna të rëndësishme mbi shtetasit shqiptarë si popullata, migrimi, arsimimi, lindshmëria, vdekshmërinë foshnjore, të dhëna mbi HIV/AIDS, dhuna në familje etj. Të gjitha informacionet e grumbulluara do të dixhitalizohen.
Studimi
“Në këtë studim përfshihen nëntë mijë familje, femra dhe meshkuj të moshës 15-49 vjeç, si dhe fëmijë deri në 5 vjeç. Për studimin demografik shëndetësor punohet me 12 grupe në të gjithë vendin. Nëpërmjet tij, synohet të merret informacion për gjendjen shëndetësore të popullatës, aksesin në shërbimin shëndetësor, vaksinimin, vdekshmërinë, planifikimin familjar", tha Elizana Petrela, nëndrejtore teknike e ISHP-së. Po sipas saj, në studim përfshihen edhe pyetje mbi cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet, dhunën në familje, duke përfshirë këtu dhe këndvështrimin gjinor.
Apeli
Nisur nga kjo iniciativë, dje Instituti i Shëndetit Publik apeloi për sensibilizimin e popullatës, të familjeve të përfshira në Studimin Demografik Shëndetësor, për dhënien e informacionit të nevojshëm për realizimin e tij. Në Tiranë puna është realizuar me rreth 80 për qind të popullatës, ndërkohë që në qytetat e tjera në mbi 94 për qind. Ndërkohë, të dhënat e studimit mbahen konfidenciale, sidomos për ata shtetas të cilët kanë pësuar dhunë familjare apo janë infektuar nga sëmundje të rënda si AIDS etj. Nëndrejtorja teknike e ISHP-së Elizana Petrela nënvizoi se gjatë punës intervistuesit kanë hasur vështirësi në zonat rurale me popullatën për marrjen e këtij informacioni, por dhe në qytetet e mëdha.
Procedura
Mbledhja e të dhënave bazohet në një pyetësor standard, fazë e cila do të pasohet nga përpunimi dhe analiza e tyre. Intervistuesit përdorin sistem të kompjuterizuar për regjistrimin e të dhënave (PDA), një metodë e re e përdorur vetëm në pak studime të tjera në botë. Shkrimi i raportit me rezultatet përfundimtare parashikohet të jenë gati për shpërndarje në shtator të këtij viti. "Ne bëjmë antropometrinë (pesha dhe gjatësi), masim tensionin arterial, bëjmë testin e anemisë, të jodit të kripës, përgjigjet për të cilat jepen menjëherë", duke shtuar se "kripa e jodizuar është një element i rëndësishëm për zhvillimin mental",” theksoi më tej Petrela.
Përmbajtja
Studimi demografik shëndetësor shqiptar do të ofrojë të dhëna të përditësuara për karakteristikat e familjeve, popullatës, migrimin, arsimimin, lindshmërinë, vdekshmërinë foshnjore, shëndetin e nënës dhe fëmijës, sjelljet seksuale, të dhëna mbi HIV/AIDS dhe infeksionet seksulisht të transmetueshme, ushqyerjen me gji, si dhe dhunën në familje. Kjo mënyrë studimi është një metodë shumë e mirë për vjeljen e informacionit, i cili do të ndikojë direkt në cilësinë e shërbimit ndaj popullatës.. Kjo mënyrë studimi aplikohet nga 120 vende të botës.
Mbështetja
Studimi udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë dhe zbatimi lokal i tij realizohet nga ISHP dhe INSTAT. Ndërsa, asistenca teknike, me qëllim sigurimin e cilësisë dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare, ofrohet nga MACRO International. Studimi demografik shëndetësor shqiptar ka marrë mbështetje dhe nga organizmat ndërkombëtarë si Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Zyra e Kooperacionit Zvicerian (SCO), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Rëndësia
Të dhënat e tij do të shërbejnë për vitet që vijnë për agjenci të ndryshme, shtetërore dhe joqeveritare, për procesin e planifikimit dhe monitorimit të politikave. Studimi pritet të përmirësojë bazën e të dhënave për gratë dhe fëmijët, si dhe të ofrojë të dhëna për vendimmarrësit për hartimin e politikave dhe planifikimin e ndërhyrjeve. Të dhënat e tij do të jenë të rëndësishme gjithashtu për ata që duan të kuptojnë situatën aktuale, të përshtasin politikat dhe të planifikojnë ndërhyrjen për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›