E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj për Bolonjën : Pa suplementin diploma është memece”

Autori i Lajmit: red.
Vlera e diplomës universitare të një studenti identifikohet nga suplementi që e shoqëron, pasi kjo shtojcë hartohet nё përputhje me kërkesat e hapësirës europiane tё arsimit tё lartë. “Pa suplementin, diploma është memece , sepse ajo përshkruan në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve, që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës”, u shpreh Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Prof. Dr. Myqerem Tafaj. Duke iu referuar problemit të ngritur ditët e fundit nga disa studentë të gazetarisë, Tafaj, shpjegoi se “duhet kuptuar që Diplomat e Nivelit te Parë janë diploma që shënojnë përfundimin e studimeve universitare të nivelit të parë, e barazvlefshme me gradën shkencore të parë universitare Bachelor ”. Pra, sipas tij, kjo diplomë duhet konsideruar si një diplomë me vlerë të plotë për të kërkuar punë në fushën ku ka studiuar studenti/ja ose për të vijuar studimet e nivelit të dytë (Master) në drejtimin e njëjtë të studimeve ose në drejtimet e afërta më të. Sigurisht që diploma e nivelit të dytë, vijoi Tafaj, është më e dëshiruara, sepse pasqyron edhe një nga qëllimet kryesore të sistemit të ri të studimeve të ndërtuar në disa cikle, fleksibilitetin; me thjesht nga një Bachelor të krijohet hapësira reale për të vijuar studimet e nivelit të dytë në një drejtim tjetër. “Vlera e diplomës, sipas sistemit të Bolonjes, duket në suplementin që e shoqëron atë, në të cilin pasqyrohet e gjithë përmbajtja e studimeve, në kuptimin e kohëzgjatjes, numrit total të krediteve, notën mesatare, lëndët ose modulet dhe peshën e tyre në kurrikulë si dhe nivelin dhe peshën që zë teza e diplomës së bërë”, deklaroi Tafaj, duke theksuar se pa suplementin diploma nuk ka vlerë, edhe pse mund të ketë logo republike, ministrie, universiteti apo fakulteti. Suplementi i diplomës, u konsiderua nga Tafaj, si baza kryesore për gjykimin e një punëdhënësi mbi llojin dhe cilesinë/nivelin të diplomës së fituar. “Sidoqoftë, diplomat janë aq cilësore sa i njohur dhe i besueshëm është universiteti dhe profesorati i tij”, tha Tafaj, pasi sipas tij, në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të përcaktojë vetëm kritere minimale për diplomën dhe suplementin e saj. Sistemi i Bolonjës, i cili ka hyrë në shumicën e shkollave europiane, ka vendosur të njëjtat standarde edhe në universitetet shqiptare. Praktikisht universitetet tona kanë hyrë plotësisht në sistem, pasi tani kanë filluar zbatimi i ciklit të dytë të studimeve të masterit dhe modalitete e reja për doktoratat. Institucionet e Arsimit të Lartë, të përfshira plotësisht në sistemin e vështirë të Kartës së Bolonjës, kanë si hallkë të fundit forcimin e cilësisë së diplomave.

PS-Shamku
Ti jepet zgjidhje kërkesave të studentëve
Pas rrëmujës së krijuar me studentët , Partia Socialiste i ka bërë thirrje qeverisë ti japë zgjidhje situatës. Sipas kryetares së Komisionit të Edukimit në Asamblenë kombëtare të PS, është Ministria e Arsimit ajo që duhet të mos bëjë më indiferenten. Shamku ka theksuar se qeveria po anashkalon rebelimin e studentëve, me pretendimin se protestat janë të manipuluara nga politika. “Ka mbi një javë që një pjesë e studentëve shqiptarë janë në shesh. Kundër kujt protestojnë ata? Kundër asgjësimit të investimit të tyre trevjeçar, kundër gënjeshtrës se me këto diploma mund të punësohen jo vetëm këtu, po edhe jashtë shtetit dhe kundër arrogancës së paskrupullt të Ministrisë së Arsimit”, ka thënë Skamku në një deklaratë për mediat. Ndërkohë, Partia Socialiste ka kërkuar nga qeveria marrjen e menjëhershme të masave për sistemimin e akteve rregullatore që i japin diplomave trevjeçare vlefshmëri praktike në tregun e punës. Studentët e gazetarisë prej më tepër se një jave kanë vijuar protesta për shkak se refuzojnë të marrin diplomën e trevjeçarit të propozuar nga Ministria e Arsimit, e cila sipas tyre ka shumë mangësi.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›