E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Bashkëpunimi PS- PD, turp kombëtar. Është si ligji omerta i mafies

Aleanca KuqeZi vlerëson se bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është i turpshëm. Ata thonë se është tragjedi kombëtare që opozita shitet e blihet nga pazaret e Berishës.

Sot shqiptarët do të jenë dëshmitarë të takimit të radhës të Këshillit Legjislativ ku do të diskutohen ndryshimet Kushtetuese të nevojshme për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe politikanëve të vendit tone. Sot shqiptarët do të jenë dëshmitarë të takimit të  radhës të përfaqësuesve të partisë demokratike dhe asaj socialiste pikërisht për këtë çështje.

Aleanca KuqeZi e konsideron bashkëpunimin PD-PS turp kombëtar, i cili ka kaluar të gjithë caqet e moralit politik të liderëve të partive-pushtet, madje tashmë dita-ditës vetëm përpiqen ti hedhin hi syve shqiptarëve me deklarata farsë të ndërsjella, e ndërkohë marrëveshjet mes tyre po rrezikojnë seriozisht të ardhmen europiane të vendit tonë. Viti 2112 shënon një bilanc tragjik të nënshtrimit të PS, e cila i ka dhënë konsensus Berishës në 100% të projektligjeve të paraqitura nga qeveria.

Është tragjedi kombëtare që opozita e këtij vendi shitet dhe blihet në tavolinat e kafeneve të Tiranës nga pazaret e Sali Berishës, i cili për të mbajtur pushtetin me çdo kusht është i gatshëm të ndjekë modelin grek të qeverisjes të PASOK me Demokracine e Re, tha Sekretari Politik i AK, Eduard Kaca.

Ai tha se Aleanca KuqeZi do të hapë dosjet kriminale të të dyja palëve.

Aleanca KuqeZi nuk është kundër heqjes së imunitetit të zyrtarëve, por ne kundërshtojmë që kjo kërkesë modeste e Bashkimit Europian të kthehet në ligjin omerta të mafies, nëpërmjet të cilës sigurohet heshtja dypalëshe për krimet e njëra tjetrës.  Aleanca KuqeZi deklaron se në këtë 100 vjetor populli shqiptar do ti japë kësaj klase politike që ka ndjellë përçarje dhe ndasi në jetën e çdo shqiptari përgjigjen e merituar duke i premtuar publikut se do hapë dosjet kriminale të dy palëve. E vetmja rrugë që vendos kombin shqiptar parësor, kryesor dhe prioritar është Aleanca KuqeZi dhe për këtë tashmë shqiptarët janë të bindur. Koha e pazareve të turpshme për interesa personale në kurriz të shqiptarëve ka kapitulluar. Ne do të dalim në ballë të betejës morale, krahë për krah me shqiptarët duke konsideruar si shpëtimin e vetëm dhe çlirimin nga kthetrat e politikanëve pengmarrës, burracakë, mafiozë e bixhozxhinj ardhjen e Aleancës KuqeZi me një qeverisje kuqezi 9 muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›