E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri tërhiqet: Nënë Tereza është e Kalkutës. Berisha e Topalli përkujtojnë bamirësen me një ditë vonesë

(E PERDITESUAR)- Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit janë kujtuar për Nënë Terezën një ditë me vonesë. Një ditë më parë mbizotëroi heshtja, edhe pse ishte 15 vjetori i vdekjes së saj. Emisioni Fiks Fare ironizoi këtë heshtje për bamirësen e madhe, sidomos kur ajo ndodh në 100 vjetorin e Pavarësisë. Por një ditë më pas Kuvendi është kujtuar të bëjë një seancë përkujtimore për të.

Parlamenti shqiptar ka organizuar seancën përkujtimore me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së misionares së madhe Nënë Tereza.

Seanca e veçantë, është zhvilluar në prani të deputetëve, kryeministrit, përfaqësuesve të fesë, e të tjerë të ftuar. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, në sallën e Kuvendit është shfaqur edhe një reportazh me fotografi të marra nga aktivitetet dhe takimet e Nënë Terezës.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kujtuar veprimtarinë e madhe të misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhi. Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë do të kujtohen burrat dhe gratë që lindën kombin dhe Gonxhe Bojaxhiu është një prej tyre, tha Topalli.

Më 5 shtator 1997, zemra e Nënë Terezë pushoi së rrahuri. Trupi i saj u varros në Shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë,në Kalkutë të Indisë. Varrin e saj e vizitojnë shumë persona nga e gjithë bota, duke e respektuar veprën e madhe të saj.

Kryeministri Sali Berisha ndezi një konflikt dhe skandal njëkohësisht kur kërkoi kthimin e eshtrave të saj në Shqipëri.

Ndryshe nga 2009-ta kur deklaronte se do nisnin negociatat me qeverinë indiane për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri, Berisha tërhiqet e pranon se Nënë Tereza është e Kalkutës.

Duhet të jemi të sinqertë. Ajo është Nënë Tereza e Kalkutës dhe nuk duhet të kemi xhelozi. Nënë Tereza u bë simbol i shpirtit shqiptar, por Zoti e çoi në Kalkuta për tu përballë në vendin më të vështirë, tha kryeministri në ceremoninë homazh që u zhvillua sot paradite në sallën e parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›