E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Po rrëshqasim drejt shtetit partiak. Politika dhe ekonomia, më keq se në vitin 96

Nga Renato Kalemi, Revista Klan

Ai nuk e ka humbur shpresën. Nuk i pëlqen të mendojë se Shqipëria do të refuzohet për herë të tretë nga Brukseli. Prandaj, Pandeli Majko beson se në momentin e fundit do ta marrim një ftesë të kushtëzuar nga Bashkimi Europian. Një ftesë, e cila të nxisë dhe vendosë piketa për ecjen në drejtimin e duhur, për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por jo sipas stilit, më të mira se të mëparshmet. Faktori ndërkombëtar dhe Brukseli nuk ka pse vihet më në rolin e berberit Figaro me politikën shqiptare. Boll!, thotë deputeti dhe ish kryeministri socialist. Sipas tij, shqiptarët i përkasin ndërgjegjes europiane dhe ftesa ndaj Shqipërisë do të ishte edhe shtrirja e përgjegjësisë së saj në një hapësirë dhe komb unik në ndjenjën proeuropiane. Në këtë intervistë për Klan, Majko prek edhe çështjen e diskutueshme të imunitetit, që pritet të ndezë debat me çeljen e Parlamentit; por, edhe për përshtypjen e tij se klima politike në vend i ngjason shumë asaj të vitit 1996.

- Zoti Majko, veprimtaria e politikës tani për tani është ndalur në çështjen e imunitetit dhe kërkesën e kryeministrit Berisha për të mbajtur një referendum, pavarësisht kërkesave/kushteve të opozitës. Duket se kjo është çështja nga e cila do të fillojnë debatet në shtator. Çfarë hapash duhet të ndjekë Partia Socialiste me fillimin e punimeve të Kuvendit?

Besoj se do të jetë një histori me të papritura. Arsyet janë shumë, por ato përgjithësisht lidhen me dy procese që shtyjnë dy polet kryesore të politikës në pozicione shpesh kontradiktore. Ato janë procesi i Integrimit Europian dhe fillimi i vitit zgjedhor parlamentar. I pari, nxit bashkëpunimin thuajse të detyruar, ndërsa i dyti, nxit betejën politike në kushtet e një shteti partiak. Palët janë të kontraktuara sa shpesh është e vështirë ta shpjegosh marrëdhënien e tyre në publik. Ndodh që një ditë një palë akuzon tjetrën si kriminele dhe ditën tjetër bashkon votat me të për një reformë të rëndësishme. Realiteti politik në Shqipëri është në fakt pak i matshëm me nivelin e propagandës mediatike. Çështja e imuniteteve u bë pasqyrë e kësaj të fundit. Opozita, çështjen e imuniteteve e mori me seriozitet. Kuptoi strategjinë e kundërshtarit dhe iu përgjigj asaj me racionalitet.

Sot, për PD-në duhet një sforcim i madh që ti shpjegojë publikut se urgjenca e votimit në datën 6 gusht ka si binjakun e vet një referendum hipotetik të propozuar si zgjidhje. Kjo sigurisht shkakton humor, por të hidhur. Shpresoj në reflektim.

- Duke filluar nga muaji maj e deri në mbylljen e punimeve të Kuvendit, u bënë mjaft përpjekje për konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, qoftë për zgjedhjen e Presidentit, apo mbylljen e disa reformave të rëndësishme. Përpjekje që deri tani kanë rezultuar pas sukses. Sipas jush, a ka më arsye të shpresojmë se në vjeshtë do ta marrim statusin e vendit kandidat? A ka më kohë në shtator-tetor për të ndrequr diçka? 

Mendoj se kohë ka. Sigurisht, kjo është e thjeshtë për tu thënë dhe e vështirë në marrëdhënien e mosbesimit të opozitës me mazhorancën. Loja e patates së nxehtë për të shpallur fajtorë për mosbashkëpunimin bllokues është bërë bajate. Partisë Socialiste nuk mund ti kërkosh më shumë. Ajo tejkaloi vetveten dhe marrëdhënien denigruese të mazhorancës. Partia Socialiste pranoi faktin se procesit të integrimit europian nuk mund ti bëhet opozitë. Oferta e saj ishte që brenda shtatorit, dhe pa asnjë kusht të panegociueshëm, pas diskutimit të mbetur për ndryshimet kushtetuese të PS-së, gjithçka mund të mbyllet me votim në Parlament. Kaq për imunitetet.

Për procesin e integrimit në tërësi, mendoj se do të duhet mjaft punë nga qeverisja e përgjumur shqiptare. Janë 12 rekomandime dhe çdo gjë që do ketë të bëjë me votën e opozitës jam i bindur se ajo do të jetë veç pro. Kot vijmë vërdallë me shpenzime energjish për lançime referendumesh, për të zëvendësuar në fakt, paaftësinë negociuese të mazhorancës.

Shpresoj që në momentin e fundit të kemi një ftesë të kushtëzuar nga Brukseli. Shpresoj një ftesë që nxit dhe vendos piketa për ecjen në drejtimin e duhur. Kjo e fundit, për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe jo më të mira se të mëparshmet. Faktori ndërkombëtar dhe Brukseli nuk ka pse vihet më në rolin e berberit Figaro me politikën shqiptare. Boll! Shqiptarët i përkasin ndërgjegjes europiane dhe ftesa ndaj Shqipërisë do të ishte edhe shtrirja e përgjegjësisë së saj në një hapësirë dhe komb unik në ndjenjën proeuropiane.

Në Shqipëri standardet e politikanëve në qeverisje dallojnë dukshëm nga mentaliteti i votuesve. Me historinë 100 vjeçare të përmbledhur në një mbretëri, diktaturë dhe tranzicion postkomunist, shqiptarët kanë rrugë për të bërë në takimin me veten. Ata meritojnë ftesën. Ajo është vetë shpresa për të ardhmen e tyre. Shpresa nuk mund të refuzohet.

- Pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga radhët e PD-së, lajmi për shkarkimin e drejtorit të SHISH-it ishte jo edhe aq surprizues për opinionin publik. Ndërkaq, po afron edhe fundi i mandatit të Prokurores së Përgjithshme. Duke qenë se viti 2013 është vit elektoral, sa e shqetësuar është PS-ja lidhur me këto zhvillime në institucione të rëndësishme të shtetit dhe çmund të bëjë ajo? 

Niveli i shqetësimit lidhet dhe nuk lidhet me PS-në. Kjo që po ndodh nuk ka të bëjë me qeverisjen dhe opozitën, por me diçka më të përtejshme. Ajo është kontrolli i shtetit. Ai po humbet autokontrollin e vet të brendshëm dhe balanca me opozitën është diçka krejt tjetër.

Prokurorja e Përgjithshme është që tani e shkarkuar. Ajo që ka ngelur është vetëm procedurë. Pse ta lodhim lexuesin me naivitete. Ajo që po ndodh është më e rëndë se kaq. Të kesh një qeveri të keqe, është politikë e të parit të zgjidhjeve. Të kesh një shtet partiak, është një dramë me dy akte.

Aktualisht po rishkruhet një histori e njohur. Ajo vjen nga paaftësia e një kulture që nuk mirëkupton humbjen në politikë. Në Shqipëri, humbja në politikë barazohet me dështimin. Mungesa e modeleve të historisë kombëtare dhe konstrukti i ferrit të interesave që rrethon dëshira për pushtet, po shtyn vendin në lidhjen e fatit të shtetit me fatin e individit. Kjo ka qenë dhe është drama jonë historike, tavani që nuk ka lejuar ngritjen fenomenit shqiptar në një njohje reale të cilësive të veçanta të vetvetes.

- Në një analizë tuajën të fundit, të botuar fillim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›