E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flaka Olimpike ndricon Londren

Thuajse katër orë emocione, ngjyra, muzikë dhe fjalë. Olimpiada e Londrës ka nisur me një ceremoni hapëse maratonë, nëpërmjet të cilës regjisori i mirënjohur Deni Bojli tregoi historinë, veshjet, kulturën dhe mënyrën e jetesës në Angli.

Gjithçka përpara qindra liderëve politikë të botës dhe milionave telespektatorëve nga i gjithë planeti. Moto e Lojërave është “frymëzimi i një brezi” dhe me këtë qëllim flaka olimpike u ndez nga shtatë sportistë të rinj. Qëllimi i organizatorëve ishte në në qendër të vëmendjes të viheshin të rinj të panjohur dhe jo emra të mëdhenj të sportit.

Mbretëresha 86-vjeçare Elizabet, deklaroi të hapur edicionin e 30-të të Lojërave Olimpike moderne, pas spektaklit të zhurmshëm, emocionuies dhe ku nuk mungoi as humori. Monarkja, që feston 60-vjetorin e saj në fron, kishte një rol protagonisteje në ceremoni.

Madhëria e saj u shfaq në një film të shkurtër me aktorin Daniel Kreig në rolin e tij si agjenti 007, Xhejms Bond. Dublantë të Mbretëreshës dhe Bond u hodhën me parashutë nga helikopteri mbi Fshatin Olimpik, ndërsa flamuri i Britanisë së Madhe u ngrit me një kor fëmijësh në sfond që këndonte himnin.

Ceremonia e frymëzuar nga vepra “Shtrëngata” e Shekspirit, nisi me britanikun Bredli Uigins, fitues të “Turit të Francës”, që kishte nderin ti binte këmbanës gjigande 23 tonëshe, e cila ëhstë më e madhja në Europë.

Në skenat e realizuara përpara liderëve nga e gjithë bota, mes të cilëve ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, fillimisht u rikrijua Anglia rurale, me livadhe, kafshë e mulli me ujë, ku u përdorën edhe dhjetëra kafshë të gjalla.

Toka “jeshile dhe e këndshme” e Anglisë, më pas u zëvendësua nga zymtësia e ndërtesave që shënuan revolucionin industrial. Oxhakët gjigandë u ngritën nga toka duke nxjerrë tym, ndërsa një ushtri me vullnetarë të veshur si punëtorë të shekullit të 19-të farkëtuan një prej rrathëve olimpikë.

Më pas, unaza u ngrit në qiell, duke iu bashkuar katër të tjerave për të formuar simbolin e Lojërave Olimpike, të cilat u shoqëruan me shkëndija për një shfaqe mjaft spektakolare. Nuk munguan as skenat e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, apo personazhe të mirënjohur nga Meri Popins te Harri Poter.

Komediani Rouan Atkison, i njohur botërisht si Mr. Bean, dhuroi skena gazmore, kur iu bashkua Orkestrës Sinfonike të Londrës, por luante vetëm një notë. Akti final i ceremonisë, ku pasqyroheshin qindra kërcimtarë të lokaleve të natës, ishte një udhëtim mbresëlënës mes kulturës britanike në pesë dekadat e fundit, me muzikën e grupeve si “Sex Pistols”, “Queen”, “Beatles”, “Led Zeppelin” apo edhe “Rolling Stones”, por edhe një kalim në epokën dixhitale.

Në momentin kur në stadium hyri edhe flamuri olimpik, ashtu si pritej protagonist është bërë edhe legjenda e boksit Muhamed Ali, i cili mbante syze të ërreta dhe shoqërohej nga bashkëshortja. Pishtari olimpik iu afrua impiantit nga lumi Tamiz me një motoskaf që ngitej nga Devid Bekham, ndërsa në stadium ai mbahej nga Stiv Redgrejv, kanoisti që ka fituar më shumë medalje olimpike për Anglinë.

Pas ndezjes së flakës olimpike nga shtatë sportistë të rinj, filloi edhe parakalimi i skuadrave pjesëmarrëse në “Londër 2012”. Shqipëria ishte e treta gjatë paradës dhe kryesohej nga flamurmbajtësja Romela Begaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›