AK: Vendimi i Kushtetueses, vula kuqezi në procesin e censusit

Aleanca Kuq e Zi në një deklaratë të dhënë për shtyp përshëndet zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi termin “kombësi”, i përfshirë në ligjin për gjendjen civile, pas ndryshimeve të bëra në të. Aleanca Kuq e Zi ka kundërshtuar me forcë përdorimin e termit “kombësi” në ligjin e gjendjes civile, i cili u pasua me ndryshime fiktive të kombësive nga qytetarë shqiptarë në disa qytete të vendit. Aleanca Kuq e Zi thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vula kuqezi në procesin e censusit, të cilin e kundërshtuam mbi të gjitha, për kombësitë e falsifikuar, për të cilat u vendos me kast pyetja për etninë dhe fenë në faqet e pyetësorit.
Aleanca Kuq e Zi e konsideron damkën e zezë të politikës shqiptare të gjithë procesin e censusit për të cilin u shpenzuan miliona euro, edhe pse ishte një proces i paralajmëruar për të dështuar. Aleanca Kuq e Zi shpreh shqetësimin e saj për heshtjen që po mbajnë instancat shtetërore dhe qeveritare mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideron të papajtueshëm me Kushtetutën termin “kombësi”, në nenet e ligjit “për gjendjen civile”.
Ashtu sikundër Aleanca Kuq e Zi ka deklaruar edhe më pare, Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar se Kushtetuta Shqiptare nuk ka një përkufizim të qartë për termin `kombësi` apo termin “pakicë kombëtare”, edhe pse këto terma janë të përfshira në dispozita kushtetuese. Kushtetuesja ka vendosur se termi `kombësi` në ligjin për gjendjen civile është i pajtueshëm, pasi bie në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese vlerëson se termi për `kombësinë` cenon parimin e sigurisë juridike, pasi nuk mbron të dhënat personale.
Aleanca Kuq e Zi përshëndet Gjykatën Kushtetuese për vendimin e dhënë dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë ta zbatojnë këtë vendim të formës së prerë. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje edhe Parlamentit shqiptar që të marrë në konsiderate 25 mijë qytetarët shqiptarë që kanë firmosur peticionin kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, i cili dergjet në magazinat e Kuvendit, duke shpërfillur vullnetin e lirë të qytetarëve të garantuar pikërisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.